Policia demonstron kapacitetet e dronëve në Vushtrri
Njësia e Dronëve dhe Antidronëve e Policisë së Kosovës (NJDA) ka realizuar të enjten, në Akademinë e Kosovës për Siguri Publike (AKSP) në Vushtrri, prezantimin e kapaciteteve dhe demonstrimin praktik të përdorimit të dronëve në skenarë të ndryshëm operacionalë policorë.
Në këtë aktivitet morën pjesë zëvendësministri i Ministrisë së Punëve të Brendshme, ambasadori i Bashkimit Evropian në Kosovë, ambasadorët e Italisë, Francës dhe Belgjikës, përfaqësues të OSBE-së dhe EULEX-it, zyrtarë të AKSP-së dhe Doganës së Kosovës, si dhe eprorë të Njësive Speciale dhe DINJS-së.
Skenari demonstrues u realizua nga Njësia e Dronëve dhe Antidronëve, me asistimin operacional të pjesëtarëve të Njësisë Speciale Operative (NJSO). Gjatë demonstrimit u prezantua ndërveprimi ndërmjet kapaciteteve teknologjike dhe atyre profesionale në mbështetje të operacioneve policore.
Sipas njoftimit, ky aktivitet ka dëshmuar avancimin e kapaciteteve profesionale dhe teknologjike të Policisë së Kosovës, si dhe rezultatet e trajnimeve të realizuara në kuadër të projektit HAPE.
Po ashtu, është theksuar rëndësia e bashkëpunimit me partnerët ndërkombëtarë, veçanërisht me Bashkimin Evropian, në zhvillimin dhe avancimin e kapaciteteve të Policisë së Kosovës.



