Policia po heton grafitet në shtëpinë e Adelina Graincës

21 prill 2021 | 11:26

Policia e Kosovës ka thënë se është duke hetuar rastin që lidhet me disa grafite, të cilat besohet se janë shkruar në disa lokacione në Ferizaj.

Në to thuhet “Bijat i shesim, votat i qesim”.

Deputetja e Lëvizjes Vetëvendosje (LVV) Mimoza Kusari ka thënë se grafitet janë shkruar në muret e shtëpisë të familjes së Adelina Graincës.

Grainca, pak pas pjesëmarrjes në seancën e Kuvendit të Kosovës më 4 prill, kur është votuar Vjosa Osmani si presidente e Kosovës, ka kaluar nga Partia Demokratike e Kosovës në Lëvizjen Vetëvendosje.

Partia Demokratike e Kosovës pati kritikuar vendimin e Graincës për marrjen e këtij vendimi.

Kusari ka thënë se grafitet janë “realitet i mizogjenisë në politikën kosovare, sipas së cilës vajzat dhe gratë nuk konsiderohen të denja për vendimarrje”.

“Nëse ky akt i shëmtuar nuk denohet nga grupimi politik pjesë e të cilit ishte Adelina deri para zgjedhjes së presidentes, atëherë aty qëndron vetë përgjigja e largimit të saj nga ata, në mënyrën se si një parti e konsideron dhe trajton një vajzë të re me mendim ndryshe”, ka thënë mes tjerash ajo në një postim në “Facebook”.

Ndërkohë, Avni Bytyçi, zëdhënës i Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), ka thënë se partia të cilës i përket ai nuk beson në këtë formë të “protestës” dhe se vetë ajo ka qenë, siç ka thënë ai, viktimë e këtij lloj sulmi në të kaluarën.

“Vetë reagimi i LVV-së tregon qartazi se kush qëndron mbrapa këtyre grafiteve. Pyetjet me rëndësi që duhen shtruar është se pse tani pasi disa javë janë bërë këto grafite? Edhe atë në shtëpinë e gabuar?! Partia Demokratike e Kosovës asnjëherë nuk e ka ulur vetën në këtë nivel duke e sulmuar dikë në shtëpi e në familje për motive politike. Për këtë arsye ky sulm është i papranueshëm për ne”, ka thënë ai po ashtu përmes “Facebook”-ut.

 

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Nga raportimet e datës 21 prill 2021, të klinikave Covid…