Policia shqiptare e Tropojës jep detaje për vjedhjen veturës së ministrit Liburn Aliu

17 gusht 2022 | 18:46

Ministrit të Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës, Liburn Aliut, mbrëmjen e djeshme i është vjedhur vetura zyrtare.

Demokracia.com ekskluzivisht raportoi sot sesi i ishte vjedhur ministrit Liburn Aliu vetura zyrtare e tipit “Audi A3” në oborrin e ministrisë, në parkingun e ministrisë që ai drejton.

Policia e Shqipërisë, përkatësisht ajo e Tropojës, ka thënë se 43-vjeçari me inicialet B.S. nga Obiliqi kishte tentuar ta kalojë kufirin për në Shqipëri, por gjatë kontrolleve ai është vërtetuar që vetura ka qenë e vjedhur dhe i përket ministrit Liburn Aliu.

“Në PKK Qafë Morinë, në hyrje të RSH, shërbimet e Policisë Kufitare, në vijim të punës për goditjen e krimeve ndërkufitare, si rezultat i kontrolleve me përzgjedhje, kanë kaluar në vijë të dytë për kontroll më të imtësishëm, automjetin tip “Audi A3”, me drejtues shtetasin B. S., banues në Obiliq, Kosovë. Gjatë verifikimit ka rezultuar se automjeti që drejtonte 43-vjeçari, ishte i vjedhur në Kosovë dhe ishte në pronësi të një institucioni shtetëror”, thuhet në përgjigjen e Policisë së Tropojës.

Po ashtu, policia shqiptare bën të ditur se i njëjti është arrestuar për veprën penale “Trafikim i mjeteve motorike”.

“Në përfundim të veprimeve proceduriale, specialistët për Hetimin e Krimeve në Komisariatin e Policisë Tropojë arrestuan në flagrancë, për veprën penale “Trafikimi i mjeteve motorike”, shtetasin B. S., 43 vjeç, banues në Obiliq, Kosovë. Materialet i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Tropojë, për veprime të mëtejshme”, bëjnë të ditur nga Policia shqiptare.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Mjafton vetëm të ngrihet temperatura e ajrit të kondicionuar me…