Policia: Videon e sherrit të dhunshëm mes Princit Leka dhe Elias nuk e nxorëm ne!

06 mars 2024 | 21:46

Drejtoria e Policisë Tiranë mohoi sot se video që bëri i ashtuquajturi Princi Leka është nxjerrë prej saj.

Reagimi erdhi pak orë pasi përmes një deklarate nga Oborri Mbretëror, la të kuptojë në mënyrë akuzuese se video doli nga policia:

“Në lidhje me një reagim të bërë nga Oborri Mbretëror, ditën e sotme, ju informojmë se:

Nga ana jonë në lidhje me rastin janë kryer të gjitha veprimet e nevojshme procedurale, janë sekuestruar pamjet filmike, të cilat i janë përcjellë Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë.

Po kështu deklarojmë që kjo video nuk ka dalë nga strukturat e Policisë”, thuhet në reagimin policor.

Reagimi erdhi pas kësaj deklarate të të ashtuquajturit Oborri Mbretëror:

“Princ Leka pasditen e 5 marsit është sulmuar fizikisht me sende të forta nga ish-bashkëshortja dhe ish-vjehrri i tij dhe videot e këtij momenti janë bërë publike në rrjetet sociale. Videot janë dorëzuar vetëm në komisariatin e policisë nga Princ Leka ll Zogu, si provë materiale për dhunën e ushtruar ndaj tij, por pavarësisht se janë konsideruar si një sekret, këto materiale, së bashku me deklaratën, qarkulluan gjerësisht në rrjetet sociale dhe në medie duke përcjell imazhe të pakëndshme dhe me përmbajtje dhune. Oborri Mbretëror shpreh thellësisht zhgënjimin nga institucionet ligjzbatuese te të cilat dyshojmë se kanë cenuar të drejtën e anonimitetit, duke shpërndarë videot te të tretë”, thuhet në reagim.

Princ Leka dhe ish-bashkëshortja e tij, Elia Zaharia kanë paditur në polici njëri-tjetrin për dhunë. Kallëzimi është bërë në komisariatin nr.1, ku Princ Leka ka kallëzuar ish bashkëshorten e tij Elia Zaharia dhe babanë e saj Gjergj Zaharia për ushtrim dhune. Të njëjtën padi ka bërë edhe Elia Zahari kundrejt Princ Lekës.

Sipas dëshmisë së Princ Lekës dhuna ndaj tij nga ish bashkëshortja dhe ish vjehrri kanë ndodhur në rezidencën e familjes mbretërore pasditen e 5 marsit, ku ai kishte vajtur për të takuar vajzën e tij 3-vjeçar

Pas kallëzimit, të dy si Princ Leka dhe ish bashkëshortja e tij Elia Zaharia janë pajisur me urdhër mbrojtje.

“Në Komisariatin e Policisë Nr. 1 është paraqitur shtetasi Leka Zogu, 42 vjeç, dhe ka kallëzuar se shtetasja Elia Zaharia, 42 vjeçe, dhe shtetasi Gjergj Zaharia, 71 vjeç, kanë ushtruar dhunë ndaj tij. I është marrë deklarim shtetases Elia Zaharia e cila gjithashtu pretendon se është dhunuar nga shtetasi Leka Zogu. Për të dy këta shtetas janë plotësuar kërkesë paditë për urdhër mbrojtjeje të menjëhershme”, thuhet në njoftimin e policisë.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Avokati Tomë Gashi ka komentuar zhvillimet e fundit që lidhen…