Pozita gjeostrategjike e kufirit të Kosovës me Serbinë

25 dhjetor 2018 | 14:02

Shkruan: Prof. Ass. Dr. Sabri Kiçmari

Pozita gjeografike e Republikës së Kosovës është mjaft komplekse. E gjendur në zemër të Evropës Juglindore (që padrejtësisht quhet Ballkan), Republika e Kosovës kufizohet nga dy vende anëtare të NATO-s nga Shqipëria në jug dhe jugperëndim, dhe nga Mali i Zi në perëndim, si dhe nga një vend që aspiron anëtarësimin në NATO, Maqedonia në juglindje.
Me të tri këto vende fqinje Republika e Kosovës ka marrëdhënie shumë të mira dhe ndan një numër vlerash të përbashkëta në fushën e sigurisë dhe orientimit euro-atlantik. Por, në pjesën më të madhe të kufijve të saj, në veri dhe lindje, Republika e Kosovës kufizohet me Republikën e Serbisë, me të cilën nuk i ndan të njëjtat vlera në fushën e sigurisë dhe nuk ka orientim identik euro-atlantik.

Në fakt, kufiri verior dhe lindor i Kosovës sot i ndan dy trende gjeostrategjike në fushën e sigurisë: Lindjen me Perëndimin.
Pra, në rrafshin gjeostrategjik, Kosova është në një situatë identike me Gjermaninë dhe Austrinë në kohën e Luftës së Ftohtë. Serbia ka një orientim lindor në fushën e
sigurisë. Ajo është e varur në fushën ushtarake dhe të industrisë së armatimit nga Rusia.

Republika e Serbisë paraqet një paradoks të llojit të vet në Evropë: në njërën anë ka shpallur vullnetin për t’u pranuar në Bashkimin Evropian dhe në anën tjetër është në partneritet të ngushtë ushtarak me Rusinë. Është i vetmi vend, që përgjatë procesit të negocimit për pranim në BE, organizon ushtrime ushtarake me Rusinë dhe Belorusinë, blen armatim nga Rusia dhe ka hapur një Qendër Humanitare Ruso-Serbe, që në fakt është një qendër spiunazhi rus në Nish.

Zyrtari i lartë i State Departamentit të ShBA, Hoyt Yee, pati paralajmëruar para Subkomitetit për Çështje të Jashtme të Senatit të ShBA-së se “nëse Serbia e lejon Rusinë të krijojë një qendër të tillë spiunazhi në territorin e saj, ajo do të humb kontrollin në një pjesë të territorit të saj”.
Nga 18-28 qershor 2018 Serbia mori pjesë në ushtrimet ushtarake me Rusinë dhe Belorusinë, me një emërtim agresiv pansllavist “Vëllazëria Sllave”.
Më 28 qershor 2018 Serbia bleu dy helikopterë ushtarak rusë Mi17 për 25 milionë euro, kurse në dhjetor 2016, Qeveria serbe nënshkroi një marrëveshje për ndihmë ushtarako-teknike me Rusinë, si rezultat i së cilës përfitoi gjashtë avionë luftarak Mikoyan MiG-29, 30 tanksa moderne T-72 dhe 30 automjete të blinduara BRDM-2.

Presidenti serb Vuçiq, duke u fotografuar pranë aeroplanëve luftarak deklaroi se “kam qarë kur pashë dhe dëgjova zhurmën e tyre”.
Njoftime nga Rusia bëjnë me dije se presidenti rus, Vladimir Putin, do ta vizitojë Beogradin më 17 janar 2019, me ç’rast pritet të bisedojë detale të mundësisë së vendosjes së një kontingjenti të trupave ushtarake ruse në Serbi. Kjo është analizuar në detale në një mbledhje të Këshillit të Sigurisë Nacionale të Federatës Ruse më 17 dhjetor 2018.

Vendosja e trupave elitore ushtarake ruse në Serbi do të ndikojë në forcimin e statusit gjeostrategjik të kufirit në mes të Kosovës dhe Serbisë si kufi ndarjeje në mes të Lindjes dhe Perëndimit.
Prandaj, është e vetëkuptueshme miratimi, me të cilin Administrata e ShBA-së dhe e disa vendeve anëtare të NATO-s reaguan, kur më 14 dhjetor 2018 Parlamenti i Republikës së Kosovës votoi shndërrimin e FSK-së në ushtri të Kosovës. Serbia është i vetmi vend në rajon që ka refuzuar të aplikojë sanksione kundër Rusisë pas cenimit të integritetit territorial të Ukrainës dhe pushtimit të Krimesë në vitin 2015. Edhe në fushën ekonomike ndërthurja është e madhe: Kompania më e madhe serbe e naftës, Naftna Industrija Serbie, është blerë nga Gazpromi rus, i cili eksporton gazin e vet në Serbi.

Në rast se Serbia do të pranojë vendosjen e trupave ruse në territorin e saj, Bashkimi Evropian do të gjendet në një pozitë tejet të palakmueshme: të distancohet për të pranuar në radhët e saj një vend me prezencë ushtarake ruse, i cili e konsideron veten zonë ruse të influencës.
Qëndrimi i Serbisë ndaj Kosovës është vetëm një nga shumë dimensione të orientimit të saj joperëndimor. Qeveria serbe po e shijon yshtjen e madhe të institucioneve të BE për ta shkëputur Beogradin nga Moska dhe orientuar atë drejt Brukselit. Kjo yshtje është paradoksale dhe instrumentale. Një mision i tillë është i pamundur.

Udhëheqësit e institucioneve të BE dhe vendet anëtare të BE duhet ta kuptojnë se orientimi i Serbisë drejt Bashkimit Evropian është një farsë, një lloj aktrimi. Baza e këtij interesimi, të shfaqur publikisht, është interesi ekonomik. Rusia nuk mund t’i ofrojë Serbisë, atë që i ofron BE dhe integrimi në BE, në fushën ekonomike dhe sociale: investimet dhe mbështetjen financiare dhe ekonomike. Por, Serbia ndan me Rusinë një aleancë tradicionale religjioze, politike, ushtarake dhe kulturore, e cila është shumë e fuqishme. Prandaj, vlerat politike demokratike evropiane nuk janë në akord me linjën politike të Republikës së Serbisë. Bashkimi Evropian do të gjendet i kurthuar thellë në paradoksin serb. Kosova dhe Bosnja e Hercegovina janë duke vuajtur shumë nga ky paradoks. Ai nuk zgjidhet duke e lajmitur Serbinë.

Politika e jashtme dhe politika e mbrojtjes së Republikës së Kosovës duhet t’i kenë parasysh këto zhvillime. Orientimi perëndimor i partive politike dhe shoqërisë së Kosovës, si vlerë e jashtëzakonshme, duhet ruajtur jo vetëm sa për formë, por edhe në përmbajtje. Është e domosdoshme që ky orientim strategjik të materializohet jo vetëm në rrafshin politik e ushtarak, taktik e strategjik, por edhe në atë kadrovik. Politikanët e vendit tonë duhet të kujdesen për gjuhën që përdorin në raport me BE-në, NATO-n, ShBA-të dhe Britaninë e Madhe. Ata janë aleatë tanë të natyrshëm dhe të tillë do të mbeten.

Fjalët Kyçe:

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Rhian Sugden modelja britanike kohët e fundit ka thënë se…