Pres nga gjykata të bëjë interpretim të Kushtetutës, jo shkrim të saj

26 maj 2020 | 11:33

Kryeministri në detyrë i Kosovës, Albin Kurti, ka vizituar sot Qendrën e Studentëve në Prishtinë, një ditë pas paralajmërimit se në fund të këtij muaji do të hiqet karantina në Kosovë. Në një deklarim para mediave, Kurti ka folur edhe për vendimin që pritet të marrë Gjykata Kushtetuese deri më 29 maj.

“Në Qendrën e Studentëve u takova me drejtorin, vullnetarët, mjekët e policët që e kanë menaxhuar karantinën që, siç ka paralajmëruar edhe ministri Vitia, kah fundi i muajit do të mbyllet meqë janë krijuar kushtet mbi fitoren ndaj pandemisë. Ndodhemi në prag të ngadhënjimit të plotë. Ruajtja e distancës, higjiena personale dhe mospraktikimi i vizitave familjare janë të domosdoshme. Besoj se në javën e ardhshme do ta vazhdojmë edhe lirimin e masave të tjera dhe t’i kthehemi një normaliteti të ri”, ka thënë Kurti.

Kryeministri në detyrë ka bërë me dije se nuk do t’i përflasë raportimet se shtatë gjyqtarë të Kushtetueses mund të vendosin pro dekretit të presidentit, kur u pyet nga mediat. Ai nga distanca i është përgjigjur edhe presidentit të vendit, Hashim Thaçit, i cili dje e ka quajtur Kurtin uzurpues.

“Së pari unë nuk mund ta përflas atë që po përflitet. Këtu kur u takova me vullnetarët ma kishin përzgjedhur karrigen më të mirë jo vetëm për shkak se kjo nuk varet nga Gjykata. Duhet ta presim aktgjykimin, pastaj mund të flasim. Pres nga gjykata të bëjë interpretim të Kushtetutës, jo shkrim të saj. As presidenti, as kryeministri, as gjykata nuk mund ta shkruajnë Kushtetutën. Kushtetuesja ta interpretojë atë. Shkrim dhe ndryshim mund të bëhen vetëm me amendamente. Çka po thotë presidenti për mua, më duket se dëshirat e tij i përshkruan si fakte të mia. Unë jam kryeministër në detyrë dhe nuk bëhet fjalë këtu për kurrfarë përshkrimesh”, ka thënë Kurti.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Janë rritur rastet e reja me Covid-19 në Shqipëri. Në…