Presidenti Thaçi mori pjesë në hapjen e Samitit të Frankofonisë

11 tetor 2018 | 13:15

Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, sot ka marrë pjesë në ceremoninë solemne të hapjes së Samitit të 17-të të Frankofonisë në Jerevan të Armenisë.

Në ngjarjen që ka bashkuar mbi 80 shtete dhe qeveri anëtare, të cilat kanë të përbashkët gjuhën frënge dhe vlerat që i ndajnë ato, ndër çështjet më me rëndësi që do të diskutohet për Kosovën është edhe avancimi e statusit të Republikës së Kosovës në këtë organizatë nga vëzhgues në anëtar të asociuar.

Në mesin e krerëve të shteteve që po marrin pjesë në këtë samit janë edhe presidenti i Francës Emmanuel Macron, kryeministri i Kanadasë Justin Trudeau, Princi Albert II i Monakos, kryeministri i Shqipërisë Edi Rama, si dhe shumë liderë të tjerë të vendeve frankofone.

Para hapjes së samitit, fjalë rasti kanë mbajtur presidenti i Senatit të Madagaskarit Rivo Rakotovao si dhe Sekretarja e Përgjithshme e Frankofonisë Michaëlle Jean.

Organizatat dhe partnerët e përfaqësuar në samit përfshijnë Organizatën e Shteteve Amerikane, UNESCO-n, Komunitetin e Shteteve të Gjuhës Portugeze, Unionin Afrikan, Ligën Arabe, Urdhrin Sovran të Maltës, Unionin Ndërkombëtar të Telekomunikimeve, Fondin e Kombeve të Bashkuara për Popullsinë, Organizatën Botërore të Pronësisë Intelektuale, Komisionin e Oqeanit Indian, Këshillin e Evropës, Kombet e Bashkuara, Organizatën Ndërkombëtare për Migrim dhe Programin e Kombeve të Bashkuara për Mjedisin.

Me ftesë të presidentit të Republikës së Armenisë, Armen Sarkissian, presidenti Thaçi do të marrë pjesë edhe në koncertin dhe darkën presidenciale shtetërore.

/Epoka e re/ 

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Sonte nga ora 20:45 në stadiumin “Fadil Vokrri” zhvillohet ndeshja…