Prishtina marrëveshje me Bashiktashin për grupmoshat e reja

20 janar 2020 | 18:31

Kryetari i FC Prishtinës, Remzi Ejupi, ka zhvilluar në Stamboll një takim me presidentin e Beshiktashit, Ahmet Nur Çebi. Ejupi u shpreh se takimi ishte shumë i frytshëm me investitorin e madh të një prej klubeve emblemë të Turqisë.

“Ishte një takim vëllazëror, në të cilin u dakorduam që në të ardhmen të bashkëpunojmë për grup-moshat e reja, të organizohen kampe për të rekrutuar talente. U morëm vesh që talente nga Prishtina të marrin pjesë në turnetë, të cilët i organizon skuadra e Beshiktashit këtu në Turqi dhe ne të sjellim në këtë klub lojtarët më potencialë që i kemi në Prishtinë, në mënyrë që edhe ata ta ndjekin rrugën e Vedat Muriqit, i cili po shkëlqen në Superligën turke”, ka deklaruar Ejupi për faqen e klubit “prishtinafc.com”.

Ejupi me këtë rast ia dorëzoi presidentit Çebi si dhuratë fanellën e Prishtinës me numrin 10. Njeriu i parë i klubit prishtinas ndër të tjera zbuloi se presidenti Ahmet Nur Çebi së bashku me drejtorin e Akademisë së Beshiktashit së shpejti do ta vizitojnë Prishtinën. “Mikut Ahmet Nur Çebi i kemi bërë ftesë dhe pritet ai së bashku me drejtorin e Akademisë së Beshiktashit ta vizitojnë Prishtinën, në mënyrë që ta thellojmë edhe më shumë bashkëpunimin me këtë klub gjigant”, ka shtuar Ejupi.

Kujtojmë se Ejupi ka miqësi të ngushtë edhe me drejtues të tjerë të skuadrave elitare turke. Me kundërshtarin e djeshëm të Beshiktashit, Sivasspori, skuadër që po udhëheq në Superligën e Turqisë, FC Prishtina i ka zhvilluar edhe dy ndeshje miqësore, një në Kosovë dhe një në Turqi.

FC Prishtina të dielën ka zbarkuar në tokën turke, ku është akomoduar në bregdetin e Antalias për përgatitje 13-ditore. Kryetari Ejupi ditëve në vazhdim pritet ta vizitojë skuadrën gjatë përgatitjeve.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Sulmuesi Dren Gashi nuk do të djersitë fanellën e skuadrës…