Prishtina sot përballet me Lincoln Red

18 gusht 2020 | 11:16

Skuadra e Prishtinës të hënën ka mbërritur në Gjibraltar, kurse sot (e martë do të përballet me Lincoln Red, në ndeshjen parakualifikuese të Evropa Ligës, edicioni 2020/2021. Kapiteni Armend Thaqi ka premtuar se skuadra e Prishtinës do ta japë maksimumin në këtë ndeshje për ta arritur kualifikimin.

Skuadra fituese e Kupës së Kosovës në futboll, FC Prishtina, ka mbërritur në Gjibraltar të hënën, pas katër orë udhëtimi. Skuadra më e madhe në futbollin e Kosovës sot (e martë) do të përballet me Lincoln Red nga ora 18:00. “FC Prishtina ka mbërritur në shtetin e Gjibraltarit për ndeshjen parakualifikuese të Evropa Ligës, edicioni 2020/2021, Lincoln Red Imps (Gjibraltar) – F. C. Prishtina (Kosovë), takim ky i cili zhvillohet më 18.08.2020 me fillim nga ora 18:00 në stadiumin ‘Victoria’ të Gjibraltarit”, thuhet në njoftimin e FC Prishtina.

Më të mbërritur në aeroportin e shtetit të Gjibraltarit, i tërë kontingjenti i skuadrës së Prishtinës, duke përfshirë futbollistët, stafin dhe kryesinë e klubit, iu ka nënshtruar testeve SARS-CoV-2 nga autoritet vendore, kurse rezultatet e këtyre testimeve do të dalin në orët në vazhdim.

Ditë më parë, lidhur me ndeshjen parakualifikuese në Ligën e Evropës, ka folur kapiteni i “bardhekaltërve”, Armend Thaqi. Ky i fundit ka thënë se Prishtina synon kualifikimin në raundin tjetër të kësaj gare mjaft prestigjioze në futboll. “Është hera e tretë që do të udhëtojmë në Gjibraltar. Ndoshta kundërshtari më i vështirë që ka qenë në short. Në të gjitha mënyrat duhet ta tentojmë kualifikimin në raundin e parë. Normalisht, pres kalimin tutje, nuk do të jetë e lehtë, sidomos nëse e kujtojmë vitin e kaluar, por duhet të kualifikohem. Kemi ende kohë për të punuar në këtë fazë përgatitore dhe duhet të jemi sa më të gatshëm”, ka thënë Thaqi.

(V.Z / Epoka e re) 

 

 

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Pandemia, si dhe masat e Qeverisë, kundër Covid-19 që kufizojnë…