Prokuroria konfirmon hetimin ndaj IPKO-s për evazion fiskal dhe miliona €uro shmangie tatimesh çdo vit

21 shtator 2022 | 21:08

Prokuroria Themelore e Prishtinës ka konfirmuar të martën se janë duke hetuar dyshimet e ngritura ndaj operatorit të telekomunikimeve IPKO për evazion fiskal dhe shmangie tatimore ndaj shtetit.

Pasi është raportuar se një prej aferave më të mëdha në Kosovë të evazionit fiskal dhe shmangies së tatimeve ndaj shtetit është duke shkuar drejt zbardhjes nga Prokuroria e Shtetit në bashkëpunim me ATK-në.

Tek një ditë pas Prokuroria e Shtetit ka folur në lidhje me këtë hetim. Zëdhënësja e Prokurorisë Themelore të Prishtinës ka thënë se kjo prokurori është duke i trajtuar këto dyshime në koordinimin të plotë me institucionet relevante.

“Lidhur me kërkesën e parashtruar nga ana juaj, mund t’iu njoftojmë se Prokuroria Themelore në Prishtinë e ka pranuar këtë rast dhe është duke e trajtuar në koordinim të plotë me institucionet relevante”, ka thënë për Gazetën Online Reporteri.net Laureta Ulaj, zëdhënëse e Prokurorisë Themelore të Prishtinës.

Gazeta Online Reporteri.net ka mësuar përmes burimeve të sigurta se afera në fjalë që po hetohet nga Prokuroria “fund e krye” përfshinë kompaninë e telekomunikimeve IPKO, në pronësi të Telekomit slloven.

IPKO, po dyshet se për vite të tëra i është shmangur obligimeve tatimore ndaj shtetit të Kosovës, në shifra që kalojnë miliona Euro në vit.

Nga kompania nuk janë deklaruar ende në lidhje me hetimin, përderisa kompania amë e IPKO’s, Telekomi slloven kanë thënë të hënën për Gazetën Online Reporteri.net se nuk mund të japin asnjë koment për këtë temë.

“Ju sugjerojmë që lidhur me procedurën të pyesni autoritetet kompetente të Republikës së Kosovës”, deklaroi Drejtoresha për komunikim e Telekomit slloven, Katarina Prešeren për Gazetën Online Reporteri.net.

Hetimi për evazion fiskal dhe shmangie tatimesh nga IPKO po kryhet nga Prokurira Themelore e Prishtinës në koordinim me inteligjencën financiare, të cilat siç mëson Gazeta Online Reporteri.net kanë vënë në dukje dyshimet.

Të gjeturat, siç ka mësuar Gazeta Online Reporteri.net janë tronditëse dhe përfundimi i hetimit, nëse gjithçka shkon deri në fund siç duhet, pritet të nxjerrë para drejtësisë një nga aferat më të mëdha në vend të evazionit fiskal dhe shmangies së tatimeve.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Kryetari i Sindikatës së Bashkuar të Arsimit, Shkencës dhe Kulturës,…