Provimi i pjekurisë!

31 gusht 2021 | 20:21

Shkruan: Ardiana Mehmeti

Tash kur ka filluar viti i ri shkollor në Zvicër, bashkatdhetarë, prindër të nderuar, shumë nga ju do të përballeni me pyetjen: A është fëmija im i pjekur mjaftueshëm për shkollë?

Kjo pyetje i përfshin më shumë fëmijët, të cilët këtë vit do të vijojnë kopshtin e dytë dhe klasën e parë.

Çka do të thotë “i pjekur mjaftueshëm për shkollë”?

E vështirë është të përcaktohet pjekuria shkollore te fëmijët, pasi që ajo është shumë e ndryshme prej një fëmije te fëmija tjetër. Shpesh ndodh që një fëmijë të zhvillohet aq shpejt, për të cilin kemi menduar se nuk është i gatshëm për shkollë, sikur do të na dëshmojë se prognoza jonë ka qenë e gabuar për të. Shumë e vështirë është të përcaktohemi për fëmijët, të cilët intelektualisht qëndrojnë mirë, çka do të thotë dinë të shkruajnë e të lexojnë nga pak, para se të fillojnë shkollën, por socio-emocionalisht nuk janë ende stabil.

Disa këshilltarë janë për një shkollim të hershëm dhe disa të tjerë mendojnë se duhet të presim me këta fëmijë. Por, vendimin e marrë domosdoshmërisht duhet ta mendojmë dhe ta peshojmë mirë si prindër dhe të këshillohemi me persona kompetentë, pasi që kjo mund të lërë pasoja te fëmijët, të cilat mund t’i përcjellin gjatë viteve shkollore.

Cilët janë faktorët që luajnë rol në pjekurinë shkollore:

☆ Pjekuria socio-emocionale,

☆Zhvillimi trupor,

☆Zhvillimi intelektual.

Pjekuria socio-emocionale:

☆Fëmija nuk fillon të qajë për çdo vogëlsi,

☆Fëmija mund të jetë pjesë e grupit, pa u përpjekur të jetë gjithmonë në qendër të vëmendjes,

☆Fëmija mund të krijojë kontakt të besueshëm me një person të ri,

☆Fëmija mund të mbrojë veten verbalisht, me anë të shprehjeve të gjuhës,

☆Fëmija deri diku mund t’i përballojë ngacmimet e vogla të fëmijëve të tjerë dhe kritikat e të rriturve.

☆Fëmija i respekton rregullat dhe mund të presë për nevojat e veta (ushqimi, pirja, vrapimi).

Zhvillimi trupor:

Zhvillimi trupor testohet nga mjeku i familjes dhe ju duhet ta sillni këtë test në shkollë.

Zhvillimi intelektual:

Zhvillimi intelektual ka shumë rëndësi. Fëmijët e përgatitur intelektualisht para fillimit të shkollës tregojnë aftësitë e duhura për t’i përdorur veglat e punës në shkollë (lapsin, gomën, gërshërët), çka do të thotë që nuk kanë problem me motorikën. Fëmijët e tjerë, sipas rregullave, duhet të vijojnë terapinë adekuate për përmirësim dhe aftësim./ Albinfo.ch

 

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Shoferit kosovar i cili shkaktoi aksidentin tragjik në Slavonski Brod…