Putini thotë se Rusia nuk ka ndryshuar qëndrim ndaj Kosovës

17 janar 2019 | 17:24

Presidenti rus, Vladimir Putin, gjatë vizitës në Beograd të enjten ka thënë se Rusia pajtohet që Beogradi dhe Prishtina të arrijnë një marrëveshje të pranueshme reciproke në përputhje me rezolutën 1244.

Gjatë një konference për media ai ka thënë se autoritetet në Prishtinë morën disa hapa së fundi, siç është formimi i Ushtrisë së Kosovës, e cila, siç tha, është shkelje e rezolutës 1244.

“Rusia ndan shqetësimin me udhëheqjen dhe popullin serb se këto veprime të papërgjegjshme mund ta destabilizojnë Ballkanin”, ka shtuar Putin.

Putini ka thënë se pozicioni i Rusisë ndaj Kosovës nuk ka ndryshuar.

Duke përsëritur se ai nuk e sheh një zgjidhje të afërt në perspektivë ndërmjet Beogradit dhe Prishtinës, presidenti serb Aleksandar Vuçiq ka thënë se për çdo zgjidhje do të konsultohet me Putinin.

“Serbia është gjithmonë e gatshme për negociata dhe kompromis, por nuk pajtohet me poshtërimin”, ka thënë presidenti Vuçiq.

Të njëjtin qëndrim Vuçiqi ka thënë se ia ka shprehur edhe homologut të tij rus kur kanë biseduar për Kosovën.

Ai ka thënë se e ka njoftuar presidentin rus me gjithë atë çfarë po ndodh në Kosovë, për siç tha “tarifën ndaj mallrave nga Serbia të vendosur nga ana e Prishtinës dhe formimin e Ushtrisë së Kosovës në kundërshtim me Rezolutën 1244”.

“Morëm mbështetje të konsiderueshme nga Putini”, ka thënë Vuçiq.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Sindikata e Bashkuar e Arsimit, Shkencës dhe Kulturës (SBAShK) përmes…