Quni, vizitë zyrtare në Shqipëri: Ushtria shqiptare, aleate e natyrshme e FSK-së në rrugën drejt NATO-s

19 qershor 2020 | 16:14

Me ftesë të homologes së tij, Olta Xhaçka, ministri i Mbrojtjes Anton Quni, ka qëndruar për vizitë zyrtare në Shqipëri, ku është pritur me ceremoni të lartë ushtarake.

Në takimin dypalësh, Xhaçka e ka uruar Qunin për detyrën e re, duke thënë se me përvojën si udhëheqës ushtarak i karrierës dhe me përvojën politike përfaqëson dhe do të përfaqësojë denjësisht aspiratat e Kosovës për integrimin euroatlantik dhe synimin kombëtar për zhvillimin e forcave ushtarake bashkëkohore.

“Integrimi euroatlantik është synim i natyrshëm i Kosovës, krahas synimit të të gjitha vendeve të Ballkanit. Në emër të Qeverisë së Republikës së Shqipërisë, iu garantojmë gatishmërinë tonë për të intensifikuar bashkëpunimin mes dy vendeve e mbi të gjitha për të ndarë me Ministrinë e Mbrojtjes, eksperiencën tonë lidhur me anëtarësimin në NATO”, ka thënë Xhaçka.

Ndërsa ministri i Mbrojtjes, Anton Quni, ka nënvizuar se për Kosovën, krahas partneritetit me miqtë tanë të përhershëm si ShBA-në, Mbretërinë e Bashkuar, Gjermaninë, Turqinë etj, Shqipëria është aleati i natyrshëm në rrugëtimin drejt anëtarësimit të vendit tonë në organizatat rajonale të sigurisë, programin për partneritetin për paqe dhe për t’u finalizuar me integrimin në NATO.

“Objektivi kryesor i Ministrisë së Mbrojtjes, pas kalimit në misionin e ri të FSK-së është përmbushja e detyrave të përcaktuara në Planin e Tranzicionit të FSK-së në forcë ushtarake, e cila do të jetë në shërbim të të gjithë qytetarëve të saj pa dallime etnike, kulturore, religjioni etj. Mbështetja vëllazërore e deritashme dhe në të ardhmen e Ministrisë së Mbrojtjes dhe Forcave të Armatosura të Republikës së Shqipërisë, si në rrafshin politik por dhe atë ushtarak është shumë e rëndësishme për operacionalitetin e FSK-së në përmbushjen e misionit dhe detyrave kushtetuese dhe ligjore me theks në ofrimin e kontributit në operacione shumëkombëshe në ruajtje të paqes, sigurisë dhe stabilitetit rajonal e më gjerë”, është shprehur Quni.

Në vazhdim të diskutimeve, të dy ministrat kanë vlerësuar pandemia Covid-19 është menaxhuar me sukses nga ana e dy ministrive dhe forcave në mbështetje ushtarake të autoriteteve civile.

Pas takimit në mes të dy delegacioneve, ministrat Quni dhe Xhaçka kanë dalë në një konferencë për medie, ku kanë theksuar se takimi i së premtes kishte për qellim thellimin e mëtejmë i bashkëpunimit bilateral dhe rritjen e mbështetjes në të gjitha fushat, respektivisht për realizimin e Planit të Bashkëpunimit Bilateral në mes dy ministrive.

Quni ka theksuar se trajtimi i temave me interes të përbashkët nga fusha e sigurisë dhe mbrojtjes është shumë i gjerë, duke e ftuar ministren Xhaçka për vizitë të ndërsjellë në Kosovë.

Pas takimit në Ministrinë e Mbrojtjes, delegacioni, i shoqëruar nga zëvendësministri i Mbrojtjes, Petro Koçi, kanë vizituar Muzeun Historik të Forcave të Armatosura. Gjatë vizitës, delegacioni i ministrit Quni përbëhej nga komandantja e KDS-së, gjeneralbrigade Irfete Spahiu, ambasadori i Republikës së Kosovës në Tiranë, Nait Hasani, atasheu ushtarak, kolonel Bashkim Shillova, drejtori i Departamentit për Marrëdhënie Ndërkombëtare dhe Integrime Euroatlantike, kolonel Hasan Hoxha, zyrtarja e lartë, Martina Dedaj-Kçira si dhe këshilltarët, Feriz Trezhnjeva e kolonel Hamdi Pollomi.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Gruaja e Kevin-Prince Boateng, Melissa Satta, është një ndër femrat…