Rama publikon letrën e UÇK-së që thotë se Goxhaj refuzoi t’i bashkohet luftës në Kosovë
Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, ka publikuar një letër të vjetër, që sipas tij, lidhet me Driton Goxhajn, i cili është përfshirë si organizator në protestat e fundit në Tiranë.
Rama ka thënë se dokumentin ia ka dërguar një person me të vrarë në familje gjatë luftës, i cili ka ngritur pretendime për të kaluarën e Goxhajt në raport me Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës (UÇK).
Në reagimin e tij, Rama ka shkruar se nuk do të lejonte që, sipas tij, veprimet e një individi të dëmtonin imazhin e UÇK-së.
Letra e publikuar nga Rama, e datës 21 prill 1999 dhe e nënshkruar me emrin “komandant plaku”, pretendon se Goxhaj kishte dërguar disa persona me automjet për t’iu bashkuar UÇK-së, por më pas ishte larguar dhe kishte thënë se nuk do të qëndronte në luftë.
Kryeministri shqiptar më herët ka kritikuar Goxhajn, duke e cilësuar si person të lidhur me Iranin, pretendim që është bërë në kuadër të debatit rreth protestave në Tiranë.
Driton Goxhaj nuk është cituar në këtë reagim duke dhënë një përgjigje ndaj letrës së publikuar.



