Ramë Buja: Nuk jam larguar nga PDK-ja, por nga kryesia e partisë

28 shtator 2022 | 23:53

Ish-nënkryetari i PDK-së, Ramë Buja ka thënë se nuk është larguar nga partia, por ka dhënë dorëheqje nga kryesia e kësaj partie. Ai në “Lajmet e Fundit” në RTK ka thënë se dorëheqjen e ka dhënë qysh në fillim të korrikut, teksa është shprehur i habitur që ajo u bë publike tani.

“Unë nuk e bëra publike dorëheqjen. Kam dhënë dorëheqje qysh me 5 korrik. E kam lajmëruar kryesinë e ngushtë nëpërmjet një letre dhe aty i kam renditur arsyet e mia. Për mua ka qenë interesante që tani pas dy muajsh u bë publike ajo letër dhe doli se as kryesia nuk ishte informuar për dorëheqjen time”, ka theksuar Buja.

Ai ka thënë se nuk e di se kush e nxori letrën e tij tani në media. “Nuk e kam idenë kush e nxori. Iu pata thanë atëherë se nuk kam qenë i interesuar ta bëjë këtë letër publike. E tani kjo letër e dorëheqjes sime u komentua në portale e media se Ramë Buja dha dorëheqje nga PDK. Kjo ishte një gënjeshtër e llojit të vet dhe pastaj u desht që t’ua dërgoj disa mediave tekstin e asaj  letre për të treguar se nuk është dorëheqje nga partia. Unë jam një nga themeluesit e kësaj partie dhe e çmoj shumë partinë dhe si diçka timen. E vërteta është se dhashë dorëheqje nga kryesia dhe arsyet i kam thënë në atë letër”, ka thënë Buja.

Sipas tij PDK është në një përgjumje dhe Kosova për momentin s’ka fare opozitë. Ai ka thënë se shpreson se dorëheqja e tij të mos e dobësojë PDK-në, por ta kthjellon atë për të vepruar ndryshe.

Buja ka thënë se mbetet anëtar i Këshillit Drejtues, që është organ vendimmarrës dhe aty do të jetë shumë aktiv.

Ai ka thënë se pas dorëheqjes nuk është kontaktuar as nga kryetari e as nga anëtarët e tjerë të kryesisë.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Duke nisur nga muaji tetor, të gjithë punonjësit e policisë…