Rezoluta kundër Dick Martyt, Osmani: S’ka fuqi juridike, mos prisni përshëndetje speciale për të

22 korrik 2022 | 12:32

Edi Rama gjatë qëndrimit të fundit në Kosovë ku edhe ka marrë pjesë në përurimin e librit të Enver Hoxhajt, ka bërë publike nismën e tij për miratimin e një rezolute kundër raportit të Dick Martyt në Kuvendin e Shqipërisë. Një gjë e tillë ma marrë formë dje, ku edhe me shumicë absoulte votash deputetët e Kuvendit të Shqipërisë e kanë miratuar rezolutën kundër raportit të Dick Martyt, e cila do të dërgohet edhe në Këshillin e Evropës (KE).

Siç ka thënë kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, do të kërkohet distancimi i Këshillit të Evropës ndaj raportit të Dick Martyt, meqë ka qenë pikërisht KE-ja që i ka dhënë jetë pretendimeve të ish-senatorit zviceran.

Për këto zhvillime të djeshme në Shqipëri dhe për mosreagim të krerëve të institucioneve të Kosovës është pyetur të premten shefja e shtetit, Vjosa Osmani, gjatë një konference për media me Ilir Metën.

Osmani ka thënë se s’mund të pritet një përshëndetje speciale për një zhvillim të tillë, meqë siç ka thënë ajo qëndrimi i Kosovës për pastërtinë e luftës së UÇK-së është i përditshëm.

“Nuk mund të prisni përshëndetje speciale për një ditë të veçantë, sepse qëndrimi ynë për pastërtinë e luftës çlirimtare është i çdoditshëm, është në çdo veprim tonin, është në çdo punë tonën, është në çdo frymëmarrje tonën dhe çdo punë që e bëjmë për ta çuar Kosovën përpara, ne e nderojmë secilin çlirimtare. Prandaj qoftë rezolutat që miratohen në Shqipëri, qoftë në Kosovë, ne vazhdimisht e kemi konfirmuar një të vërtetë e cila asnjëherë nuk do të mund të ndryshohet nga askush, pavarësisht nga përpjekjet e Serbisë dhe aleatëve të saj. E vërteta është kjo. Serbia ka qenë agresori, Kosova ka qenë viktimë e një regjimi gjenocidal, UÇK-ja e ka mbrojtur popullin e Kosovës dhe ka luftuar për lirinë e vendit tonë”, ka thënë Osmani.

Presidentja Osmani, ka thënë se ekziston edhe një parim bazë juridik që një rezolutë apo akt politik ose juridik mund të shfuqizohet vetëm nga organet që i kanë miratuar ato.

“Sa i përket rezolutës së miratuar nga Kuvendi, natyrisht që rezolutat shprehin vullnetet politike të parlamenteve përkatëse. Mirëpo, po ashtu ekziston edhe një parim bazik juridik, që një akt, qoftë ajo rezoluta apo akt politik apo juridik mund të shfuqizohet vetëm nga organet që i kanë miratuar ato. Kuvendi i Shqipërisë ka shprehur atë që secili shqiptar e ka thënë deri sot që lufta çlirimtare e Kosovës, lufta çlirimtare  e UÇK-së s’mund të zhbëhet nga askush. Historinë s’mund ta ndryshojë askush. Kosova asnjëherë nuk ka pasur çfarë të fsheh, sepse Kosova e ka mbrojtur vetveten nga një regjim gjenocidal të udhëhequr nga Millosheviqi në atë kohë, mbetjet e të cilit janë ende në Serbi për fat të keq, në kontekst të mentalitetit po flas”, ka thënë Osmani.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Zyra e Rregullatorit të Energjisë (ZRrE) ka treguar se furnizuesi…