Roli udhëheqës i UÇK-së për krijimin e shtetit të Republikës së Kosovës

28 nëntor 08:55

Dr. Dorian KOÇI

Represioni serb në Kosovë, në demonstratat e vitit 1981, heqja e autono­misë së Kosovës më 1989, helmimet e fëmijëve më 1992, represioni dhe masakrat më 1998 e, së fundi, dëbimi biblik i bashkëkombësve tanë më 1999, përgatitën momentin historik me datën 17 shkurt të vitit 2008, që Kosova të shpallej e lirë dhe e pavarur. Ngjarje të tilla historike të takojnë shumë radhë t’i përjetosh e t’i ndiesh, ndaj në optikën e ngjarjeve që kalojnë si ujë që rrjedh, të duken gati-gati të pabesueshme. Krijimi dhe fillimi i luftës së armatosur nga UÇK-ja në Kosovë në vitet ’90 është në fakt sa një lindje e lirisë së Kosovës, por edhe një rrugëtim i përjetimit të idesë së lirisë mes vetë kontinentit evropian. Rënia e Murit të Berlinit në Evropë, përfun­dimi i Luftës së Ftohtë dhe triumfi i demokracisë liberale në Evropën Lindore dhanë pamjen e gënjeshtërt se erdhi fundi i historisë që Francis Fukuyama profetizoi në studimin e tij të njohur[1] por, në fakt, konfliktet e ngrira filluan të dalin në sipërfaqe. Shkrirja e akujve të totalitarizmit do të sillte edhe shkrirjen e konflikteve ndëretnike ku vakuumin e ideologjisë së përmbysur të socializmit shkencor do ta zinte shumë shpejt ideologjia e nacionalizmit ekstrem. Rrugëtimi i rinisë shqiptare i Kosovës në fund të viteve ’80 dhe fillim të viteve ’90 është një rrugëtim identitar për të parë sesi shoqëria jugosllave e fundit të viteve ’80, e dominuar nga nacionalizmi serb, shkoi buzë greminës në luftërat e Kroacisë, Bosnjës dhe në paranda­limin që iu bë tmerrit pa fund të makthit ndëretnik në Kosovë. Pikësëpari Jugosllavia u përball me krizën e marrëdhënieve ndëretnike midis kombë­sive që synonin të krijonin shtetet e veta kombëtare. Kjo krizë vinte si një pasqyrim i tendencave të forcës centrifugale që ishte ushtruar mbi Jugosll­avinë për të qenë e bashkuar, por që nën realitetet e reja gjithçka po rishi­kohej, përfshirë edhe tërësinë territoriale të shtetit jugosllav. Nacionalizmi politik si forma më e lartë e nacionalizmit e ushtruar nga politikat shtetërore që ndjekin vendet në marrëdhëniet e tyre ndërkombëtare gjeti shprehjen e tij më të lartë në periudha të ndryshme në marrëdhëniet e ndërsjella serbe, kroate, sllovene, boshnjake, maqedonase, malazeze dhe shqiptare në vitet ’90. Në fushën politike, zhvillimet e veçanta apo ngjarjet , siç është një luftë apo ndryshimi i një regjimi, do t’u japin hov shpresave dhe mundësive ose do të shkaktojnë frenim dhe pengesa.[2] Ndryshe nga rasti i Çekosllovakisë, ku me aktin e miratuar më 25 nëntor 1992, përfaqësuesit çekë dhe sllovakë ranë dakord për shpërbërjen e Çekosllovakisë që nga 31 dhjetori 1992, Jugosllavia përjetoi ndryshime të tjera. Shpërbërja e Çekosllovakisë ishte rasti i parë dhe i vetëm në Evropën Qendrore e Lindore që një konflikt etnik u zgjidh në mënyrë paqësore pasi zhvillimet në Jugosllavi dhe ish-republikat e BS-së treguan se spiralet e nacionalizmit etnik tërhoqën në vorbullën e tyre dhe morën peng zhvillimin ekonomik dhe prosperitetin e këtyre vendeve. Vakumi i pushtetit që po ndihej në Evropën Lindore, për­fshirë këtu dhe Jugosllavinë, po nxirrte në pah mekanizma të rinj pushteti të ngjashëm me autoritarizmin dhe centralizmin komunist. Nacionalizmi etnik mundësoi dhe aleancat e reja fiktive ndërmjet ish-komunistëve dhe ultranacionalistëve antikomunistë. Leninizmi i zhvleftësoi shoqëritë ball­kanike nëpërmjet mospërmbushjes së nevojave për shoqëritë civile. Në vend të tyre ai mbështeti modelet kolektiviste, ku individi i dedikohej tërësisht shtetit dhe jo parimeve të lirisë së individit e të drejtave njerëzore. Kur u shkatërrua pushteti komunist, institucionet demokratike filluan të ngrihe­shin ngadalë dhe ndërhyrja e publikut në vendimmarrje ishte e kufizuar.[3] Sfidat dhe problematikat e tranzicionit të vendeve të Evropës Lindore drejt demokracisë liberale dhe ekonomisë së tregut duke u përqendruar në var­iablat kryesore apo faktorët kyçë që e pamundësuan “normalitetin” demo­kratik janë : (a) regjimi totalitar dhe kohëzgjatja e tij përkundër formave të tjera autoritare; (b) mungesa e një kulture politike dhe institucionale të trashëguar; (c) ekonomia jofunksionale e paaftë për të konkurruar në tre­gjet globale si pasojë e privatizimeve klienteliste, mungesa e modeleve të zhvillimit dhe strategjive koherente; (ç) mungesa e shtetit të së drejtës, ku pushteti i tretë, do të ishte arbitri i paanshëm në garancitë procedurale, marrëdhëniet konktraktuore dhe mbikëqyrëse të pushteteve ekzekutive dhe legjislative.[4] Disa vende në ish-Evropën Lindore, ku përfshihen shumica e vendeve të Evropës Lindore, në saje të reformave të ndërmarra në të gjitha aspektet, e patën më të lehtë kapërcimin e këtyre sfidave duke bërë të mun­dur që të pranohen anëtarë të NATO-s dhe BE-së pas një periudhe 15-vjeçare. Disa të tjera, përfshirë disa vende të ish-Jugosllavisë dhe Shqipërinë, janë ende në procesin e hapjes së negociatave me BE-në. Ndërsa Kosova, për shkak të pengesave ndërkombëtare të vendeve të BE-së(Greqisë, Rumanisë, Qipros,Sllovakisë dhe Spanjës) që nuk e kanë njohur ende si shtet të pavarur, edhe pse i ka plotësuar kushtet teknike, nuk e ka fituar ende liberalizimin e vizave.

Pikërisht në zhgënjimet nga era e rrëzimit të Murit të Berlinit zë fill edhe përforcimi i rezistencës së shqiptarëve në Kosovë. Historia e themelimit dhe luftës së UÇK-së për t’i dhënë popullit shqiptar në Kosovë dinjitetin e munguar dhe lirinë politike nuk mund të mos shikohen si një kronikë e paralajmëruar rrokopujës dhe prishjes së Jugosllavisë, agresioneve serbe në Kroaci e Bosnjë, Konferenca e Dejtonit, lindja e UÇK-së Konferenca e Rambujesë, bombardimet ndaj Serbisë, rezolutat e kombeve të Bashkuara, diplomacia ndëraktive, diplomacia fluturuese, dorëzimi i “Kasapit të Ball­kanit”-Millosheviqit, hyrja e trupave të KFOR-it në Kosovë, përpjekjet për stabilizimin e vendit, pakoja Ahtisari e, së fundi, shpallja e Pavarësisë së Kosovës. Në gjithë këtë rrugëtim lëvizin personazhet më të rëndësishëm politikë të fundshekullit XX, si presidenti amerikan Bill Clinton, sekretarja e shtetit Madlin Ollbrajt, ambasadorët Hollbruk e Kristofer Hill, krye­ministri britanik Tony Bler, presidenti francez Zhak Shirak, ministri i Punëve të Jashtme italiane Lamberto Dini, kancelari gjerman Gerhard Shroder e ministrat e jashtëm gjermanë Klaus Kinkel e Joshka Fisher, ish-kryeministri spanjoll Felipe Gonzales etj. Në vitin e fundit të shekullit të XX duket sikur Fushë-Kosova e Kosova kthehen në skenë tragjedish shek­spiriane, ku luhet fati i një populli të vogël. Mes gjithë këtyre personazheve politikë evropianë shfaqet dhe roli i UÇK-së dhe Hashim Thaçit, Jakup Krasniqit, Kadri Hysenit, Ramush Hajradinajt, Fatmir Limajt etj. që me staturën e studentëve të etur për arsim, kulturë e identitet për shqiptarët, gjejnë metaforën e lirisë të plazmuar në historinë e pothuajse çdo familjeje shqiptare në Kosovë. Që nga shekulli i iluminizmit e deri në ditët tona humanizmi dhe liria kanë ushqyer breza të tërë të njerëzimit duke mbetur piketa të rëndësishme të shtetndërtimit e filozofisë politike të popujve të Evropës. Pikërisht në këto dy piketa u ringjall feniksi i shpresës për theme­limin e shtetit të Kosovës nga UÇK-ja dhe udhëheqësit e saj. Akti i rebelimit të tyre ndaj pushtetit nacionalist e shovinist serb nuk duhet parë si një pri­shje e sistemit të së drejtës ndërkombëtare as si kundërshtim i një sistemi mbi një krahinë autonome të shtetit të Serbisë.[5] Ai qëndron në fakt si një reflektim i thelbit të konceptit të Evropës si vend ku triumfuan rilindja evropiane dhe humanizmi. Humanistët e Rilindjes besonin se edukimi duhet të përgatisë një njeri për të pasur një ekzistencë dhe mësim të denjë jo vetëm për ta shfaqur realitetin, por edhe për t’i nxitur individët drejt njohjes dhe aplikimit të saj. Ata besonin se një njeri mund të formohej nëpërmjet “artit të elokuencës” dhe se njeriu duhej të ishte në qendër të gjithësisë. Këtë formim intelektual të marrë në katedrat e Evropës, djemtë e rinj të UÇK-së e transformuan në një filozofi udhëheqëse të luftës së vet për liri. Lufta çlirimtare, e udhëhequr nga UÇK-ja, në thelbin e saj progra­mor, kishte shpëtimin e qenies etnike shqiptare nga shfarosja, mbrojtjen e ndaljen e krimeve ndaj shqiptarëve dhe jo ushtrimin e tyre ndaj të tjerëve. Përdorimi i armëve ishte mjeti i fundit i imponuar nga rrethanat, pasi UÇK-ja, në çdo kohë, ka qenë e gatshme për të përqafuar zgjidhjet diplo­matike e paqësore, çka dëshmojnë faktet e mirënjohura historike: firmosja e Marrëveshjes së Rambujesë nga ana e përfaqësuesve të saj për zgjidhjen paqësore të krizës, e ofruar nga faktori ndërkombëtar; çarmatosja e menjë­hershme e pa rezistencë e UÇK-së me hyrjen e forcave të NATO-së e atyre paqeruajtëse si dhe pranimi, ushtrimi e respektimi i zgjedhjeve të lira e demokratike nga tërë forcat politike në Kosovën e çliruar.[6]

Pa dyshim që Hashim Thaçi ka luajtur rol shumë të rëndësishëm në këtë drejtim, në të njëjtën kohë ai e komandantët e tjerë të UÇK-së u shndërruan në gardianët e lirisë së shqiptarëve duke e ruajtur luftën për liri të shqiptarëve të Kosovës nga inflitrimet e lëvizjeve islamike, bashkëngjitjes me idetë e mykura marksiste-leniniste apo dhe akuzave si një produkt i krimit të orga­nizuar. Presidenti Thaçi ka treguar intuitën politike të një burri shteti kur kërkoi garancitë shtesë në Rambuje për ta firmosur marrëveshjen që do t’i hapte rrugë formimit të shtetit të Kosovës, organizimit të Partisë Demo­kratike të Kosovës në paqe, negociatat për pavarësi me Ahtisarin dhe fillimin e dialogut Serbi-Kosovë.

“Studimi i së shkuarës për të kuptuar më së miri të tashmen ishte i nevoj­shëm, por të bësh historinë iu duk më e dobishme për kauzën e lirisë”[7] thotë Jacques Baudouin, këshilltari i ish-Ministrit të Punëve të Jashtme të Francës, Bernard Kouchner, kur përshkruan në librin e vet “Lindja e një demokracie: Hashim Thaçi dhe rruga drejt Kosovës së pavarur (1987-2008)”, maturinë politike e shndërrimin politik nga studenti i historisë Thaçi, në burrin e shtetit që themeloi shtetin e Kosovës. Kjo histori e djemve të UÇK-së është trashëgimia historike mbi të cilën është ndërtuar shteti i Republikës së Kosovës.

Sot Republika e Kosovës ka një trashëgimi shumë të mirë historike të përpjekjeve të veta për liri, një trashëgimi shumë të mirë kushtetuese të njohur edhe nga komuniteti ndërkombëtar me vendimin e Gjykatës së Hagës që legjitimoi të drejtën e Kosovës[8] për t’u shpallur vend i pavarur si dhe një trashëgimi kulturore të mbështetur në rrënjët evropiane të kultu­rës shqiptare.[9] Mbështetjen ndaj luftës çlirimtare të popullit të Kosovës, të së drejtës së tij për liri e pavarësi, e shpreh dhe fakti i njohjes së pavarësisë së Kosovës prej 112 shtetesh, duke përfshirë Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe shumicën e vendeve anëtare te Bashkimit Evropian, si dhe anëtarësimi i saj në shumë institucione ndërkombëtare. Legjitimiteti i shpalljes së pava­rësisë së Kosovës është pranuar dhe vlerësuar si i tillë dhe nga Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë në Hagë që është segment i OKB-së.[10]

Sigurisht që vështirësitë që hasen në shtrirjen dhe vendosjen e shtetit ligjor në pjesën veriore të Kosovës janë sfida që meritojnë vëmendje të veçantë për të përzgjedhur opsionet më të mira të mundshme. Por ashtu si në Rambuje, ku udhëheqësit politik të UÇK-së i duhej të rrezikonte duke veshur mantelin e politikanit, dhe braktisur formatin e nacionalistit romantik, edhe në ditët e sotme Kosova dhe populli shqiptar kanë nevojë për vizionin e një politikani me përvojë më se 24-vjeçare po aq sa është dhe jetëgjatësia e fillimit të shtetndërtimit të Kosovës. Sot ajo që po përjetohet në Kosovë i përngjet një ëndrre dikur të konsideruar si të paarritshme, por ja që brezat e rinj të lindur në Kosovë po e përjetojnë çdo ditë.

Mirëpo, ashtu si dihet zakonisht, se ëndrra dhe realizimi i saj zgjat shumë shkurt dhe pastaj vjen realiteti, edhe shqiptarët shumë shpejt, pasi kanë shijuar ëndrrën e tyre për themelimin e shtetit të Kosovës, u është dashur të përballohen me realitetin, i cili shpeshherë nuk ka qenë lajle lule, por edhe i zymtë dhe i trishtë. Pas një periudhe 14-vjeçare shteti i Kosovës,edhe pse ka kaluar përmes shumë vështirësive për t’i themeluar dhe përsosur institucionet e tij, i nevojitet ende ndihma bujare e komunitetit ndërkom­bëtar për t’i kuptuar realitetet përmes vendimit për liberalizimin e vizave dhe dhënies jetë të ëndrrës evropiane të Kosovës. Republika e Kosovës në këto vite ka arritur ta përforcojë identitetin e vet shtetformues dhe të promovojë maturi në politikat e jashtme në rajon.

Në këtë 14-vjetor të lindjes së demokracisë liberale me të re në Evropë, sigurisht që një ndjenjë falënderimie madhe i drejtohet komunitetit ndër­kombëtar në krye me ShBA-në që bëri të mundur çlirimin e saj nga oku­patorët serbë, ndaj në horizont nuk mund të ketë asnjëherë asnjë irritim apo acarim në mes të Kosovës dhe aleatit të vet strategjik, sepse shqiptarët në fundin e shekullit të kaluar u bënë dëshmitarë jo vetëm të shprehjes që “liria fitohet”, por se ajo edhe mund të “dhurohet”. Njëqind e dyzetëe një vjet më parë Fuqitë e Mëdha filluan ta riformatojnë hartën e Ballkanit nëpërmjet bombardimit të qytetit të Ulqinit për të zbatuar një nga vendi­met e mbrapshta të Kongresit të Berlinit, që ishte dorëzimi i qytetit me popullsi shqiptare Mbretërisë së Malit të Zi. Ishin po këto pasardhëse të këtyre Fuqive të Mëdha, që njëqind e nëntëmbëdhjetë vjet më vonë bom­barduan Beogradin për t’u sjellë lirinë e mohuar atyre që aq lehtë u kishin sakrifikuar fatin historik në Konferencën e Londrës.[11]Suksesi më i madh i postnacionalizmit shqiptar është pavarësia e Kosovës, statusi i shqiptareve në Maqedoni e në Mal të Zi. Të përpiqesh që t’i vendosësh zhvillimet e këtij postnacionalizmi nën një qendër sipas modelit Cavurian është e pamun­dur dhe jorealiste. Shekulli XXI nuk është shekulli XIX, shekulli i nacio­nalizmave dhe shoqëritë shqiptare në rajon kanë pasur paradigma të ndry­shme zhvillimi nga njëra-tjetra. Qasja moderne që duhet të mbizotërojë në zgjidhjen gjithëpërfshirëse të çështjes shqiptare në Ballkan është përba­shkimi i të gjitha rrymave të mendimit shqiptar në një patriotizëm kushte­tues shqiptar drejt një qeverisjeje më të mirë dhe mirëqenie ekonomike me standarde të larta. Kjo ecuri e proceseve demokratike është ndërprerë nga një atentat ligjor ndaj ëndrrës shekullore të popullit shqiptar të Kosovës.

Për fat të keq, sot disa nga ish-udhëheqësit e UÇK-së që ndërtuan dhe shtetin modern të Kosovës u është hequr liria dhe po hetohen në dhomat speciale të Gjykatës së Hagës. Pa dashur t’i paragjykojmë hetimet nëse ato do të ndërmerren sërish nuk mund të rrimë këtu pa nënvizuar se ngjarja ngjan, në fakt, si një film horror. Një film, një skenar që i përmban të gjitha klishetë e mundshme të historive të shekullit XIX, ku shqiptarët paraqite­shin si “barbarë” dhe të “pacivilizuar” që vrisnin, prisnin dhe rrëmbenin mbi popullsitë e tjera “paqedashëse” të Ballkanit. Aktakuza kryesore ndaj udhëheqësve të UÇK-së është mbështetur mbi raportin e politikanit zvi­ceran Dick Martyit të vitit 2010 të titulluar ‘Inhuman Treatment of People and Illicit Trafficking in Human Organs in Kosovo’. Dhomat e Speciali­zuara janë një precedent historik; ato janë imponuar me vendim politik të Këshillit të Evropës, bazuar mbi një aktakuzë publike, gjithashtu politike. Si të tilla, gjithkush ka të drejtën t’i shprehë vlerësimet e mospajtimet për gjithçka që lidhet me reflektimin e këtyre akuzave dhe qëllimeve politike gjatë ngritjes së Dhomave të Specializuara dhe në veprimtarinë e mëtejshme të saj, pasi kjo vë në dyshim e komprometon paanësinë e besimin për një gjykim të drejtë e të pandikuar.[12]

Raporti famëkeq i Dick Martit, i konsideruar tashmë raport i pabazuar në fakte dhe paragjykues ndaj shqiptarëve, zgjon nga gjumi Drakulën e famshëm dhe ua vesh shqiptarëve, të cilët, në ditën me diell dhe nga aeroporti i vetëm zyrtar i shtetit të tyre, bëjnë trafik organesh! Por s’mbetet me kaq, për trafikun dinë shërbimet e fshehta shqiptare dhe organizatori kryesor i tyre është kryeministri i një vendi sovran. Deklaratat e tij lënë pa gojë opinionin botëror dhe aty ku asnjë nuk mund të flasë pasi janë shumë të shokuar nga amatorizmi i paraqitjes së hamendësimeve si fakte, bash vjen një zë nga Moska i ministrit të Jashtëm rus, Lavrov, që e “dinte prej kohësh se UÇK-ja ishte e përfshirë në këto veprimtari kriminale”. Nga ana tjetër e oqeanit, një zonjë që ka shkuar për pushime diplomatike në Argjen­tinë, pasi ka dështuar plotësisht kapjen dhe dënimin e kriminelëve të luftës në ish-Jugosllavi, përsërit sërish fantazitë e saj të përshkruara në librin që s’mundi dot të bëhej bestseller edhe pse zonja loboi shumë që t’ia arrinte këtij qëllimi.[13] Gjatë gjithë kësaj periudhe, asnjë gjykatë, përfshirë dhe Gjykatën e Hagës për ish-Jugosllavinë, që ishte gjykata më e specializuar e më e lartë ndërkombëtare për krime lufte, ashtu dhe as ato lokale, nuk kanë vërtetuar kryerjen e krimeve të luftës e kundër njerëzimit, në mënyrë sistematike a masive nga ana e UÇK-së si formacion a nga drejtues e seg­mente drejtuese të saj. Në mbyllje të veprimtarisë së Gjykatës së Hagës, UÇK-ja, si formacion, dhe zinxhiri drejtues i saj kanë dalë, ashtu siç janë vlerësuar e mbështetur nga institucionet e opinioni i shëndoshë ndër­kombëtar gjatë gjithë periudhës së luftës në Kosovë, si një forcë çlirimtare që drejtoi luftën dhe rezistencën popullore për liri e pavarësi me përkrahjen e NATO-s dhe shteteve e institucioneve demokratike.[14]

Këtij skenari, filmi në fakt, i mungon vetëm epilogu, i cili nuk shkruhet, por lihet të nënkuptohet që Kosova, ndoshta, do të ishte më mirë që të administrohej sërish nga Serbia, pasi ky shtet është shtet zotëri, të vret si vrau në Bosnjë dhe Kosovë por, të paktën, është i qytetëruar, nuk i tejkalon normat ndërkombëtare të luftës dhe nuk bën trafik organesh me kufomat e vrara. Kurse këta shqiptarët duket që s’e meritojnë lirinë, janë barbarë, pasi mu në mes të fitimit të saj e kanë mendjen të bëjnë para me trafiqe organesh. Edhefilozofi francez Montenji që përshkruan veset e kanibalëve në esenë e njohur të tij për ta, do ta kishte zili stilin përshkrues të Del Pon­tes, solemnitetin e deklarimeve të Dick Martyt dhe njohurinë e gjerë rreth çështjeve ballkanike të Lavrovit.Skenave të përshkruara më lart, po të mos diheshin ngjarjet, mund t’u vije çfarëdolloj viti poshtë si vit kur zhvillohen ngjarjet pasi kjo histori ngjan si dy pika uji me shumë histori të stisura rreth shqiptarëve, të paktën këtu e 150 vjet qëkur çështja e formimit të shtetit shqiptar ka dalë në skenë. Ajo që me të vërtetë mbetet shqetësuese në gjithë këtë histori është pohimi që shumë mballoma të kësaj historie Marty për ta thurur pëlhurën e vjetër të paragjykimeve antishqiptare i ka huazuar nga akuza të politikës shqiptare në Kosovë mes palëve. Papërgjegjshmëria e deklarimeve, thjesht dhe për kapital politik të çastit, është një sëmundje kronike e gjithë politikës shqiptare që sa vjen nga papjekuria e atyre që merren me politikë po aq ka brenda dhe trillin krijues ballkanik popullor shqiptar. Duke vazhduar të sillet në mënyrë folklorike klasa politike shqiptare për shumë kohë ende do të vazhdojë të jetë viktimë e papërgjegjshmërisë së vet, e paaftë të ndërtojë vektorë besueshmërie për atë çka kërkon dhe deklaron.

Në histori mitin nga ngjarjet e vërteta e ndan besueshmëria e këtyre të fundit e bazuar në dokumente të burimeve parësore. Ka ardhur koha që dhe klasa politike shqiptare në rajon të ndjekë rastin e shkrimit të historisë dhe që të bëhet e besueshme për ato çka deklaron duhet të sjellë para opi­nionit platformat, idetë dhe zhvillimet ekonomike të vendit dhe jo broçku­llat dhe pallavrat e thashethemnajave provinciale dhe ambicie politike brenda llojit të vet. Në fakt, në reagimin e përbashkët që ajo pati këndej dhe andej kufirit ndaj raportit të Martyt, pjesa më thelbësore dhe sfida e saj ndaj të ardhmes nuk mbetet bashkimi i saj para kësaj dukurie, pasi kjo gjë është vërejtur dhe më parë, por gjetja e “burimeve parësore” të veta, pra ndërtimi i kodit të ri etik dhe një morali ri politik në marrëdhëniet e saj brenda vetes dhe për ta gëzuar pjekurinë dhe lirinë politike. Të gjitha këto nuk përputhen me të vërtetat historike, të tashme e të asaj kohe. UÇK-ja, si forca kryesore e luftës dhe rezistencës së popullit shqiptar të Kosovës, është vlerësuar e do të vlerësohet si një reagim legjitim i një populli për të mbijetuar ndaj spastrimit etnik shekullor dhe masakrave e shpërnguljes biblike, të kryer tashmë në shekullin 20; një forcë që me përkrahjen e NATO-s dhe forcave demokratike çoi në çlirimin e pavarësimin e Kosovës dhe vendosjen e një rendi demokratik, të bazuar mbi bashkëjetesën ndër­etnike.Vlerësimi do të jetë i tillë, pasi përcaktimin e karakterin e ngjarjeve të mëdha historike nuk e bëjnë gjykatat, por vetë historia dhe e vërteta, të mbartura e të bazuara në dëshmitë dhe kujtesën publike e institucionale.[15]

Për ta merituar këtë liri politike Kosovës i duhet të afrohet sa më pranë vlerave të aleatëve të saj strategjikë, ndaj përforcimi i demokracisë dhe rritja ekonomike do të ishin dy shtylla të mira prej nga do të ngrinte shumë më lehtë ngrehinën e triumfit të demokracisë liberale në Kosovë. Ndry­shimi i vizionit dhe fillimi i një politike moderne ndaj të drejtave të shqip­tarëve në rajon, duke lënë pas retorikat boshe nacionaliste dhe duke ridi­mensionuar të gjitha potencialet e bashkëpunimit ndër shqiptarë, ka hapur rrugën për një afrim gjithnjë e më të madh mes dy shteteve shqiptare. Ndje­kja e modelit evropian, ku pikësëpari synohet një ekonomi e fortë e përba­shkët, ku njëra ta plotësojë tjetrën dhe anasjelltas, hedh themelet për një premisë shpresëdhënëse për krijimin e një zone albanosfere në ekonomi që do të bëjë të mundur që faktori shqiptar të mos jetë i përçarë nën ombrellën e sferave të tjera ekonomike, por edhe të ketë mundësinë që t’i shpalosë dimensionet e tij në të gjitha fushat e tjera, si arsim, kulturë , energjetikë, bujqësi etj.

Ky proces është krejtësisht i natyrshëm dhe nuk ka pse paragjykohet për sa kohë është një projekt evropian dhe vjen si premisë e një bashkëpunimi rajonal. Ndjeshmëritë e Shqipërisë si shtet përkundrejt bashkëkombësve të vet për ta realizuar lëvizjen e lirë të shtetasve të Republikës së Kosovës në Evropë, mbrojtjen e identitetit kombëtar e kulturor shqiptar në Mal të Zi apo zbatimin e marrëveshjes së Ohrit në Maqedoni, duhen parë si lëvizje emancipuese brenda një kuadri evropian ashtu si kanë qenë të kuptueshme dhe vazhdojnë të jenë interesimet e Greqisë për Qipron, apo të Hungarisë për të drejtat e hungarezëve në Rumani e gjithandej ku harta politike e shteteve evropianë nuk korrespondon me atë të kombeve. Patriotizmi shqiptar i elitës andej dhe këndej kufijve nuk ka pse matet vetëm me mirë­qeverisje, luftë kundër korrupsionit dhe administrim territori, por edhe me bashkëpunim të mirëfilltë ekonomik që eliminon praktikat korruptive për tregtinë midis dy vendeve, kulturë të përbashkët pa kufij që rrëzon muret e vjetra të ndërtuar mes vete, administrim të përbashkët të baseneve ujore të Drinit dhe bashkëpunim të përbashkët në energji për t’i shmangur krizat ekonomike që i qëndrojnë si shpatë e Domekleut mbi kokë demokracisë. Shqiptarët janë të ndërgjegjshëm që për ta shekulli XXI, shekulli ku liria dhe të drejtat e njeriut janë kthyer tashmë në një vlerë universale dhe stan­darde të vlerësimit të demokracisë, është shekulli i shumëpritur për ta shi­juar lirinë e mohuar të shekullit XX të mbisunduar nga nacionalizmi etnik, ideologjitë ekstreme dhe Lufta e Ftohtë. Për këtë arsye ata duhet të kontri­buojnë po aq sa të tjerët për ndërtimin e një paqeje afatgjatë në Ballkan, duke e parë të shkuarën si një reflektim historik për të nxjerrë mësime dhe jo si një instrument të pavlerë që i nënshtrohet vetëm stendës së muzeve.[16] Përpjekjet për të arritur një stabilitet të Kosovës dhe mirëqenie qytetarëve të saj nuk duhet të monopolizohen nga askush, por të jenë përpjekje gjithë­përfshirëse që do të bëjnë të mundur arritjen e qëllimit final të disa brezave e gjeneratave andej dhe këndej kufirit.

(Marrë nga libri “Ushtria Çlirimtare e Kosovës, vlerë kombëtare”, botuar nga Agjencia Shtetërore e Arkivave e Kosovës. Kjo kumtesë është paraqitur në sesionin shkencor mbajtur në Prishtinë më 7 mars 2022, organizuar nga: Instituti Albanologjik i Prishtinës, Drejtoria e Përgjithshme e Arkivave e Shqipërisë dhe Agjencia Shtetërore e Arkivave e Kosovës. Kumtesat e njëzet intelektualëve shqiptarë gazeta “Epoka e re”, përpos në portal, do t’i botojë për njëzet ditë me radhë edhe në formatin pdf. Librin mund ta gjeni në Agjencinë Shtetërore të Arkivave të Kosovës.)

 

[1] Shih për më tepër Francis Fukuyama, The End of History and the Last Man, Penguin Adult, 1992.

[2] E. T. (Hyskaj), Sfidat e nacionalizmit, rasti i Ballkanit, Progres, Tiranë, 2008, f. 26.

[3] Po aty f. 182.

[4] Ilir Kalemaj, Tranzicioni i vështirë i Shqipërisë: saga e një historie ende të papërfunduar. Nga komunizmi drejt demokracisë tranzicioni shqiptar Qendra e Studimeve Albanologjike, Instituti i Historisë, Muzeu Historik Kombëtar, Tiranë, 2017, f. 100.

[5] Disa vende kontestuese të pavarësisë së Kosovës e kanë parë aktin e shpalljes së saj si dhunim të ligjit ndërkombëtar. Këtu përshihen Federata Ruse, Republika Popullore e Kinës, disa vende arabe dhe pesë vende të Bashkimit Evropian: Greqia, Rumania, Sllovakia, Qiproja dhe Spanja.

[6] 23-vjetori i UÇK-së / Deklaratë e përbashkët e institucioneve shkencore dhe kulturore të Kosovës, të Shqipërisë dhe të Maqedonisë së Veriut. Gjendet në https://ata.gov.al/2020/11/27/23-vjetori-i-uck-se-deklarate-e-perbashket-e-institucione-shkencore-e-kulturore-te-kosoves-shqiperise-dhe-maqedonise-se-veriut/.

[7] Jacques Baudouin, Lindja e një demokracie: Hashim Thaçi dhe rruga drejt Kosovës së pavarur (1987-2008), Buzuku, Prishtinë, 2018.

[8] Vendimi për Kosovën nga Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë ishte përgjigje ndaj një kërkese për një opinion këshillues të Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë nga Asambleja e Përgjithshme e Kombeve të Bashkuara lidhur me shpalljen e Pavarësisë së Kosovës në vitin 2008. Ky ishte rasti i parë në lidhje me një shpallje të pavarësisë që u paraqit para kësaj gjykate. Gjykata Ndërkombë­tare e Drejtësisë me qendër në Hagë, që përfaqëson gjykatën e nivelit më të lartë të Organizatës së Kombeve të Bashkuara, publikoi pasditen e datës 22 korrik 2010 opinionin këshilldhënës lidhur me ligjshmërinë e shpalljes së Pavarësisë së Kosovës në vitin 2008. Gjatë fjalës së tij, kryetari i Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë, z. Hisashi Owada, tha: Shpallja e Pavarësisë së Kosovës më 17 shkurt të vitit 2008 nuk e ka shkelur të drejtën ndërkombëtare. Me 10 vota për dhe 4 kundër, gjykata është e mendimit se Deklarata e Pavarësisë së Kosovës nuk e ka shkelur të drejtën ndërkombëtare. Sipas gjykatës, nga të gjitha të dhënat del se Pavarësia e Kosovës nuk ka shkelur as Rezolutën 1244, as Kornizën Kushtetuese të UNMIK-ut. Në favor të Kosovës kanë votuar këta gjyqtarë: Hisashi Owada – nga Japonia, president i GjND-së, Thomas Buergenthal nga ShBA, Christopher Greenwood nga Britania e Madhe, Ronny Abraham nga Franca, Bruno Simma nga Gjermania, Kenneth Keith nga Zelanda e Re, Awn Shawkat Al-Khasawneh nga Jordania, Antônio A. Cançado Trindade nga Brazili, Abdulqawi Ahmed Yusuf nga Somalia, Bernardo Sepúlveda – Amor nga Meksika. Kundër Kosovës kanë votuar këta gjyqtarë: Peter Tomka – nënpresident, përfaqësues nga Sllovakia, Leonid Skotnikov nga Federata Ruse, Abdul G. Koroma nga Sierra Leone, Mohamed Bennouna nga Maroku. Shih për më tepër Adam Tanner, Reed Stevenson (22 korrik 2010). “Kosovo independence declaration deemed legal” (në anglisht), “Reuters”. Marrë më 15.06.2022 dhe Howard Clark, Civil Resistance in Kosovo, p. 73. Pluto Press, 2000.

[9] Kultura shqiptare njeh si baza të saj përcaktimet që ka dhënë Jacques Delor: filozofinë antike si bazë e racionalizmit të sotëm evropian, të drejtën romake si ndërtim i shtetit modern të së drejtës dhe vlerat e kristianizmit si vlera humane dhe universale të njeriut. Në rastin e kulturës shqiptareajo është e pasuruar dhe me vlerat e islamizmit si pasqyrim i diversitetit të Evropës, një tipar të cilin shumë studiues, përfshirë edhe hartuesin e Kushtetutës evropiane, ish-presidentin francez Valéry Marie René Giscard d’Estaing, e konsiderojnë si një nga “vlerat universale të Evropës”.

[10] 23-vjetori i UÇK-së / Deklaratë e përbashkët e institucioneve shkencore dhe kulturore të Kosovës, të Shqipërisë dhe të Maqedonisë së Veriut. Gjendet në https://ata.gov.al/2020/11/27/23-vjetori-i-uck-se-deklarate-e-perbashket-e-institucione-shkencore-e-kulturore-te-kosoves-shqiperise-dhe-maqedonise-se-veriut/

[11] Dorian Koçi, Misioni fisnik i Lëvizjes Vetëvendosje, Gazeta Shqip, 13 dhjetor 2010.

[12] 23-vjetori i UÇK-së / Deklaratë e përbashkët e institucioneve shkencore dhe kulturore të Kosovës, të Shqipërisë dhe të Maqedonisë së Veriut. Gjendet në https://ata.gov.al/2020/11/27/23-vjetori-i-uck-se-deklarate-e-perbashket-e-institucione-shkencore-e-kulturore-te-kosoves-shqiperise-dhe-maqedonise-se-veriut/.

[13] Dorian Koçi, Raporti i Dick Martyt dhe politika shqiptare, Gazeta Shqip,24 dhjetor 2010.

[14] 23-vjetori i UÇK-së / Deklaratë e përbashkët e institucioneve shkencore e kulturore të Kosovës, të Shqipërisë dhe të Maqedonisë së Veriut. Gjendet në https://ata.gov.al/2020/11/27/23-vjetori-i-uck-se-deklarate-e-perbashket-e-institucione-shkencore-e-kulturore-te-kosoves-shqiperise-dhe-maqedonise-se-veriut/

[15]23-vjetori i UÇK-së / Deklaratë e përbashkët e institucioneve shkencore dhe kulturore të Kosovës, të Shqipërisë dhe të Maqedonisë së Veriut. Gjendet në https://ata.gov.al/2020/11/27/23-vjetori-i-uck-se-deklarate-e-perbashket-e-institucione-shkencore-e-kulturore-te-kosoves-shqiperise-dhe-maqedonise-se-veriut/

[16] Dorian Koçi, Marrëdhëniet serbo-shqiptare dhe shqetësimi evropian, Gazeta Shqip, 13 prill 2015.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Sekretari i Shtetit i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Antony…