Roma dhe Feyenoordi kërkojnë trofeun e Ligës së Konferencës

25 maj 2022 | 11:57

Roma dhe Feyenoordi sonte e kërkojnë trofeun e parë të Ligës së Konferencës në “Air Albania”. Kryeqyteti shqiptar ka marrë vëmendjen e mbarë opinionit evropian për evenimentin që organizohet për herë të parë. Ish-kapiteni i Kombëtares së Shqipërisë, Lorik Cana, ka thënë se kjo ngjarje do të jetë një ogur i mbarë për Shqipërinë dhe Tiranën.

Shqipëria e pret finalen e parë të kompeticionit evropian, Ligës së Konferencës. Sonte (e mërkurë) nga ora 21:00 në “Air Albania” përballen dy skuadrat finaliste të këtij kompeticioni, Roma dhe Feyenoordi. Në shtetin shqiptar kjo ngjarje po vlerësohet historike për faktin se zhvillohet për herë të parë dhe interesimi është shumë i madh.

Ish-kapiteni i kombëtares shqiptare, Lorik Cana, ishte i pranishëm në prezantimin e trofeut të Ligës së Konferencës në “Shehin Skënderbej” së bashku me presidentin e Federatës Shqiptare të Futbollit, Armando Duka dhe me kryetarin e bashkisë, Erion Veliaj. Cana ka thënë se Tirana do të jetë kryeqyteti i futbollit për këto dy ditë, ndërsa shtoi se një organizim i tillë do të jetë një ogur i mbarë për Shqipërinë. “Tirana do të jetë kryeqyteti i futbollit për këto dy ditë. Për herë të parë në edicionin e parë kemi kënaqësinë ta mirëpresim trofeun e Ligës së Konferencës. Jam i sigurt se do të jetë një ogur i mbarë për Shqipërinë dhe Tiranën. Të festojmë për dy ditë dhe fitoftë më i miri”, ka thënë Cana.

Ndërsa numri një i FShF-së, Armand Duka, ka uruar që kjo ngjarje të mos jetë i fundit për Shqipërinë dhe shqiptarët. “Uroj që ne me sjelljen tonë t’i bëjmë sërish të huajt të vijnë sërish në kryeqytet. Sot është një ditë e bukur për futbollin shqiptar që pas një pune voluminoze arriti një objektiv madhor që të ketë një trofe të rëndësishëm. Uroj që të gjithë bashkë, holandezë, italianë, shqiptarë, që jemi mikpritës, ta shijojmë këtë aktivitet dhe këtë finale. Të mos jetë e fundit për ne shqiptarët. U uroj suksese Romës dhe Feyenoordit dhe uroj që të dy ekipet ta zbukurojnë më shumë këtë festë duke dhuruar më shumë spektakël dhe ‘fair-play’”, ka deklaruar Duka.

Trajneri i Romës, Jose Mourinho, lidhur me këtë ndeshje ka folur për faqen zyrtare të UEFA-s, ku ka theksuar se shanset për të fituar janë 50 % – 50 %, por djemtë e tij në fund do ta ngrehin trofeun në qiell. “Mundësitë për të fituar në finale janë 50 % – 50 %, por ne do të bëjmë çmos për të marrë 51 % – 49 %. Puna që çon në finale gjatë disa muajve është baza për ato 90 ose 120 minuta. Dita e finales është dita e lojtarëve. Unë kam qenë me fat deri më tani duke fituar të gjitha finalet e mia evropiane. lojtarët e mi në momentin e së vërtetës kanë qenë gjithmonë aty”, ka thënë Mourinho. “Liga e Konferencës këtë sezon për ne është si Liga e Kampionëve. Ky është niveli në të cilin jemi, gara në të cilën po luajmë. Dhe klubi nuk ka pasur një mundësi të tillë për një kohë të gjatë. Finalja duhet të trajtohet si një ndeshje personale. Kjo sjell presion tension dhe ndjenjën e përgjegjësisë. Duhet të mendojmë vetëm për finalen dhe kundërshtarët me të cilët përballemi. Sa mirë do të ishte për qytetin, klubin dhe të gjithë ne nëse do ta fitonim ndeshjen”, ka shtuar portugezi.

Pesë milionë euro për fituesin e Ligës së Konferencës

Fituesi i trofeut të parë të Ligës së Konferencës do të marrë plot pesë milionë euro, ndërsa vendi i dytë do të përfitojë tre milionë euro, ndërkohë të dyja skuadrat në fjalë kanë marrë pagesa për çdo xhiro të kaluar dhe ndeshje të fituara në fazën e grupeve, që variojnë nga 150 mijë euro deri në 2 milionë euro që ka qenë shifra që përfituan në takimet e gjysmëfinaleve. Ndërsa kampioni, përveç shumës monetare, do ta garantojë edhe kualifikimin në Ligës së Evropës për sezonin e ardhshëm.

Formacionet e mundshme

Roma: Patricio; Mancini, Smalling, Ibanez; Karsdorp, Cristante, Oliveira, Zalewski; Pellegrini, Zaniolo; Abraham.

Feyenoord: Marciano; Geertruida, Trauner, Senesi, Malacia; Aursnes, Kokcu; Nelson, Til, Sinisterra; Dessers.

 

/Epoka e re/ 

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Komisioni për Buxhet dhe Transfere në mbledhjen e sotme është…