Rusia e do çështjen e Kosovës në OKB

20 shkurt 2024 | 21:17

Rusia mbështet kthimin e çështjes së Kosovës në Këshillin e Sigurimit të Organizatës së Kombeve të Bashkuara.

Kështu ka deklaruar ambasadori i Rusisë në Serbi, Aleksandar Bochan-Kharchenko, ndërsa ka shtuar se Moska zyrtare mbështet Serbinë në lidhje me integritetin territorial, pozicion ky i cili, sipas tij, është “shumë i rëndësishëm” për politikën ruse, si një anëtare e përhershme e Këshillit të Sigurimit të OKB-së.

Ambasadori rus ndër të tjera ka falënderuar Serbinë që nuk po vë sanksione Rusisë pas agresionit në Ukrainë.

“Është nder i madh që Serbia nuk ka pranuar dhe nuk do të pranojë të vë sanksione ndaj Rusisë, pavarësisht sulmeve, presioneve dhe kërcënimeve, gjë që na jep mundësinë të ecim përpara dhe të zhvillojmë marrëdhëniet pa asnjë ndalesë në të gjitha sferat ”, ka thënë ai raportojnë mediat serbe.

Së fundmi Kosova u bë subjekt i Këshillit të Sigurimit të OKB-së për çështjen e rregullores së re të Bankës Qendrore të Kosovës e cila ndaloi përdorimin e valutës shtetërore serbe, dinarin, për shit-blerje dhe transaksione financiare në territorin e Kosovës.

Në një përballje të rrallë publike më 9 shkurt në Këshillin e Sigurimit të Organizatës Kombeve të Bashkuara (OKB), dy liderë ballkanikë që assesi të dalin nga situata parakonfliktuale, akuzuan njëri-tjetrin për gjendjen e tendosur në marrëdhëniet ndërshtetërore, ndërsa shtetet anëtare të OKB-së shprehën drojën për potencialin destruktiv të veprimeve të papërgjegjshme.

Në hijen e retorikës së nxehtë dhe akuzave plot zemërim, në selinë e OKB-së në Nju Jork të Shteteve të Bashkuara të Amerikës (SHBA), kryeministri kosovar Albin Kurti dhe presidenti serb Aleksandër Vuçiç peshuan faktorët e alternimit të tensionit dhe krizës së mbrehtë në pjesën veriore të Kosovës të banuar nga serbët etnikë që përpiqen të mbajnë një sistem paralel.

Presidenti i Serbisë shpërtheu në propagandë në nisje të seancës së jashtëzakonshme të Këshillit të Sigurimit të OKB-së, duke thënë se vendimi i fundit i autoriteteve të Kosovës për ndalimin e përdorimit të dinarit serb në territorin kosovar nuk ilustron vetëm “vazhdimësinë e sulmeve sistematike” ndaj serbëve të Kosovës, por është “krim kundër njerëzimit”.

“Ndalimi i dinarit si mjet i ligjor pagese në territorin e Kosovës është vetëm një akt në vargun masave të planifikuara, të mirë organizuara dhe sistematike të Prishtinës, të cilat sulmojnë popullatën serbe dhe qëllimi përfundimtar i së cilave është që në fund të krijojnë kushte të padurueshme jetese dhe të dëbojnë serbët nga territori i Kosovës”, deklaroi presidenti Vuçiç.

“Me vendimin për ndalimin e dinarit, regjimi i Prishtinës drejtpërdrejt pamundëson funksionimin e institucioneve shëndetësore, sociale, arsimore e kulturore që u mundësojnë serbëve t’i sigurojnë vetes dhe familjeve të tyre kushte elementare për të pasur arsim, trajtim shëndetësor dhe medikamente që sot konsiderohet një jetë normale“, shtoi ndër të tjera ai.

E kryeministri i Kosovës gjatë adresimit para organit kryesor të OKB-së, deklaroi se pretendimet e Serbisë për shkelje të të drejtave të serbëve në Kosovë janë thjeshtë gënjeshtra të shpikura nga përkeqësimi i mendjes së një njeriu, instinktet politike të të cilit janë farkëtuar në epokën e ish-udhëheqësit fashist të Serbisë, Sllobodan Millosheviç, i cili kreu gjenocid në Kosovë.

“Ekziston një ironi e thellë dhe e pakëndshme – dhe, sinqerisht, një ndjenjë distopike – në përgjigjen ndaj akuzave të rreme për shkelje të të drejtave të njeriut të bëra nga një vend i njohur se ka kryer gjenocidin e fundit të shekullit të 20-të dhe një qeveri që aktualisht është një nga kërcënimet më të mëdha autoritare për paqen dhe sigurinë rajonale”, tha kryeministri Kurti.

Sëkëndejmi, kryeministri Kurti e kualifikoi gënjeshtër çdo pretendim të presidentit serb të shprehur në seancën e jashtëzakonshme të Këshillit të Sigurimit të OKB-së se nëpërmjet vendimit të Bankës Qendrore të Kosovës (BQK), ku specifikohet se valuta e vetme për pagesa/transaksione në Kosovë është euro, synohet përndjekja e serbëve nga Kosova.

“Më lejoni të jem absolutisht i qartë: Rregullorja nuk bën asgjë për të ndaluar apo penguar Qeverinë e Serbisë që të ofrojë mbështetje financiare për serbët e Kosovës. Çdo sugjerim për të kundërtën nuk është gjë tjetër veçse një propagandë e rreme që synon nxitjen e tensioneve etnike. Rregullorja synon thjesht të sigurojë transparencë dhe ligjshmëri”.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Protesta e thirrur nga Rithemelimi këtë të martë të 20…