Rusia i lë Shqipërisë sherrin në derë

22 tetor 2021 | 00:51

Shkruan: Agron Hoti

Vdekja e mistershme e një familjeje ruse në një hotel Kavaje para ca ditësh i ka lënë Shqipërisë sherrin në derë. Përmasat e kësaj ngjarjeje brutale duken të jenë shumë më të mëdha sesa që flitet. Fakti që familja ruse ishte në zgjedhje lokale në Maqedoni të Veriut dhe më pas u gjet e vdekur në një hotel Kavaje ngreh shumë pista dyshimesh.

Një gjë dihet. Rusia, sidomos pas ardhjes së Putinit në pushtet, ka filluar me një strategji në nivel global që quhet Strategjia e Kaosit. Pra, meqë nga superfuqia ka rënë në fuqi rajonale, Rusia e Putinit, ka zgjedhur që në vend të ndërhyrjeve të shtrenjta ushtarake të përdorë mjete tjera të përsosura deri në detaje për të krijuar kaos nëpër shtete të ndryshme, e sidomos në ato rajone ku ka interes strategjik.

Deri me tani krahas masave subversive për ndryshim të përcepsionit shoqëror nëpër shtete të ndryshme që janë shumë më të rrezikshme në plan afatgjatë sesa spiunazhet, Rusia është dëshmuar edhe në sulmet dhe likuidimet brutale të oponentëve politikë dhe jo vetëm anekënd globit. Përcjellja e zhvillimeve politike në Shqipëri nga televizionet shtetërore ruse, ardhjet e gazetarëve rusë në Kosovë, hapja e Qendrës Ruse për ‘Hulumtime’ në Nish të Serbisë, ndërhyrjet nëpër zgjedhje dhe referendume në Ballkan dhe Evropë janë masa tashmë të njohura ruse.

Rritja e paparë e demoralizimit të masave se kinse njerëzit po vdesin urie, është masë kryekëput subversive ruse. Asi përcepsioni ka krijuar Rusia nëpër vende e rajone të ndryshme saqë sot, edhe po t’i tregosh dikujt diçka konkrete të mirë, ai apo ajo nuk e sheh ashtu, sepse imagjinata e tij/saj e manipuluar i thotë tërësisht diçka tjetër, pavarësisht se ai apo ajo atë të mirë mund ta prekë me dorë.

Është e vështirë të konfirmohet nëse këto masa subversive ruse kanë arritur të depërtojnë edhe në Kosovë e Shqipëri, por fakti që si Kosova ashtu edhe Shqipëria asnjëherë në historinë e tyre nuk kanë jetuar as për së afërmi më mirë se sot e në anën tjetër kurrë s’kanë pasur shkallë më të lartë depresioni dhe demoralizimi shoqëror se sot thua ti se këtu po vdesin njerëzit urie, flet shumë për një mundësi të tillë ndërhyrjeje brutale.

Fakti që sot shqiptarët ndërtojnë projekte euro-miliardëshe, të cilat as në ëndërr s’i kanë parë, por qëllimisht nuk duan t’i shohin duke i heshtur gjersa në realitet i shfrytëzojnë dhe shijojnë, flet shumë për depresionin dhe demoralizimin tonë të thellë. Fakti që sot shoqëria shqiptare është më e përçarë se kurrë flet shumë për ndërhyrje të mundshme të jashtme. Por, kjo do një elaborim më të gjerë dhe nuk është qëllimi i këtij shkrimi.

Ajo që Rusia di më së miri, ndër të tjera, është ndërhyrja në procese elektorale dhe referendume anekënd botës, sidomos nëpër vende e rajone ku ka interes strategjik. Rastet më tipike janë ndërhyrjet në zgjedhjet presidenciale në SHBA, referendumi i BREX-it, financimet e së djathtës ekstreme nëpër vende të BE-së, shfrytëzimi brutal i energjisë ruse për përçarjen e BE-së (shihni sot rritjen çmimeve të gazit dhe naftës), ndikimi mbi një pjesë të politikës bullgare për të bllokuar hapjen e negociatave për anëtarësim në BE të Maqedonisë së Veriut dhe Shqipërisë, shfrytëzimi i Serbisë si destabilizatori rus në Ballkan për ta mbajtur nën tension permanent Kosovën, Maqedoninë e Veriut, Malin e Zi, Bosnjen e Hercegovinën si dhe duke i fryrë zjarrit të përçarjes në Shqipëri, janë vetëm disa nga ndërhyrjet ruse. Rritja e antiamerikanizmit në Kosovë e Shqipëri shkon në interes të plotë të Rusisë dhe Serbisë.

Shqipëria dhe Kosova janë me fat që sot janë nën ombrellën e sigurisë së NATO-s, me theks të veçantë të SHBA-së. Sepse, përndryshe Rusia dhe Serbia do të bënin kërdinë duke eliminuar njerëz që ua prishin planet e tyre të errëta si dhe duke shkaktuar kaos në funksion të rend-ditave të tyre. Megjithatë, edhe pse Shqipëria dhe Kosova janë të mbrojtura nga NATO, nuk janë tërësisht imune ndaj ndërhyrjeve ruse. Rasti në Kavajë mund t’i sjellë dëme Shqipërisë në rrafshin ndërkombëtar, kur dihet se Shqipëria është bërë anëtare jo e përhershme e Këshillit të Sigurimit për periudhën 2022-2023 e mbështetur nga 175 vende të OKB-së nga 190 sosh sa kishin votuar.

Rusia do të mundohet që me të gjitha mjetet t’ia lë fajet Shqipërisë për përfshirje eventuale në vdekjen e mistershme të familjes ruse në Kavajë dhe më pas këtë ngjarje ta përdorë kundër NATO-s dhe Perëndimit në Këshill të Sigurimit të OKB-së dhe në BE ku Rusia është duke e rritur ndikimin e saj në përmasa eksponenciale. Kjo do të mund t’i shkaktonte dëme Shqipërisë në rrafshin ndërkombëtar dhe kryesisht në rend-ditën evropiane, ku Shqipëria gjithsesi që po bën të pamundurën për të hapur negociatat për anëtarësim në BE.

Prandaj, Shqipëria duhet që t’i ftojë partnerët e saj strategjikë sa më shpejtë që të jetë e mundur për ta parandaluar apo së paku minimizuar çfarëdo njolle të zezë që do të mund t’i mvishej nga Rusia.

Respekt!

Agron Hoti

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Kandidates së Nismës Socialdemokrate, Lejla Rama – Gashi, në formularin…