Sahiti: Synimi i Kosovës, Evropiani  

22 nëntor 19:53

Muharrem Sahiti për “Epokën e re” ka thënë se kualifikimi në “play-off” të Ligës së Kombeve është një sukses i madh për futbollin e Kosovës, por synimi kryesor është kualifikimi në Kampionatin Evropian.

Përfaqësuesja e Kosovës në futboll ka arritur një sukses të madh, i cili po vlerësohet historik për sportin e Kosovës, për faktin se rruga drejt kualifikimit në Kampionatin Evropian është shkurtuar shumë. “Dardanët” arritën të dalin të parët në grupin e tretë të Ligës D në Ligën e Kombeve dhe me dy fitore në gjysmëfinale dhe finale do ta siguronin realizimin e kësaj ëndrre. Muharrem Sahiti, i cili që një kohë të gjatë është pjesë e përfaqësueses në rolin e ndihmëstrajnerit, ka thënë të mërkurën për “Epokën e re” se ky rrugëtim nuk ka qenë aspak i lehtë për Kosovën.

“Ka qenë rrugëtim aspak i lehtë për Kosovën, që është skuadër e re, por arritëm të tregojmë performancë të mirë në Ligën e Kombeve dhe të arrijmë një sukses të madh. Ishim në një grup të vështirë, pasi Azerbajxhani vlerësohej favorit i madh, por ne iu kemi qasur me seriozitet të madh dhe pas barazimit si mysafir i kësaj përfaqësuese, u motivuam edhe më shumë për të arritur sukses, derisa në ndeshjen e fundit kemi qenë të bindur se do të dalim të suksesshëm, për faktin se kishim në opsion fitoren dhe barazimin. Ky është një sukses i madh, por jemi të vendosur që të qëndrojmë me këmbë në tokë dhe të vazhdojmë këtë rrugëtim”, ka thënë Sahiti.

Trajneri Muharrem Sahiti ia ka atribuuar këto suksese ish-kryetarit të Federatës së Futbollit të Kosovës, Fadil Vokrri. Sipas tij, legjenda e futbollit është personi që bëri revolucion në futbollin e Kosovës. “Ky sukses ka ardhur si rezultat i punës paraprake. Fadil Vokrri është personi më meritor për gjithë këtë sukses, pasi ai ishte nismëtari i revolucionit të madh në futbollin tonë, duke filluar nga pranimi në UEFA dhe FIFA, krijimi i një skuadre serioze të përfaqësueses e deri te punët e tjera që janë të shumta në futbollin vendor”, ka shtuar ai.

Kosova në dy ndeshjet e fundit ka arritur fitore bindëse, duke shënuar nëntë gola dhe mos e pranuar asnjë. Sahiti e ka quajtur të jashtëzakonshëm shënimin e katër golave ndaj një kombëtare siç është jo e Azerbajxhanit. “Nëntë gola në dy ndeshje është një e arritur e jashtëzakonshme. Shënimi i katër golave, e në anën tjetër mospranimi i asnjë goli ndaj një kombëtare si Azerbajxhani, është diçka e madhe. Kemi krijuar një përfaqësuese të fortë, pasi një vit nuk kemi pësuar humbje. Prej nëntë ndeshjeve të zhvilluara brenda një viti, kemi arritur shtatë fitore dhe dy barazime”, ka pohuar Sahiti.

Kundërshtar i radhës në gjysmëfinale për Kosovën është Maqedonia. Sahiti nuk ka ngurruar të flasë rreth ambicieve që kanë “Dardanët” për të ardhmen, duke paralajmëruar se kualifikimi në Evropian është synim kryesor. “Kemi kohë deri te përballja me Maqedoninë që zhvillohet në mars të vitit 2020. Deri atëherë mund të bëhemi skuadër më e mirë dhe normalisht pritet të ketë edhe prurje të reja të futbollistëve. Maqedonia është kundërshtare e fortë, por synimi ynë është kualifikimi në Evropian”, ka thënë Sahiti, i cili ka punuar edhe si ndihmëstrajner i Albert Bunjakit, që ishte përzgjedhës para zviceranit Bernard Challandes. Ai e ka vlerësuar lart punën e Bunjakit, derisa lavdëron edhe punën e përzgjedhësit aktual. “Edhe Alberti ka bërë një punë të mirë në përfaqësuese dhe është pjesë e këtij suksesi. Ndërsa trajneri i tanishëm është shumë serioz në punë dhe ka përvojë të madhe. Jemi me fat që e kemi një përzgjedhës të tillë, i cili është duke bërë një punë të jashtëzakonshme”, ka shtuar Sahiti.

/Veton ZYMBERI/  

 

Fjalët Kyçe:

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Ish-sulmuesi i Chelseat, Didier Drogba, ka bërë me dije se…