I dërguari i posaçëm i Gjermanisë për Ballkanin Perëndimor, Manuel Sarrazin, në një intervistë për RTK-në, ka folur për samitin BE-Ballkani Perëndimor, mbajtur dje në Bruksel.

Lidhur me pritshmërinë e këtij samiti për vendet e Ballkanit Perëndimor, sidomos për Kosovën, Sarrazin theksoi se ka pritur rezultate sepse, siç tha ai, në Gjermani është punuar shumë për liberalizimin e vizave.

“Por betejën nuk do ta ndalim”, tha ai.

Mes tjerash në magazinën informative “Lajmet e Fundit”,  theksoi se Këshilli i Evropian ka dhënë perspektivën e Ballkanit Perëndimor drejt BE-së.

Tutje, ai foli edhe për liderët e Ballkanit Perëndimor, të cilët janë ndierë të zhgënjyer nga samiti i BE-së, që, sipas tij, nuk e ndien të arsyeshme t’i kundërvihet gjykimeve të tyre, duke shtuar se duhet bërë çdo gjë të ecet drejt BE-së.

Ndërkaq lidhur me idenë e ndarjes veç e veç të Shqipërisë dhe të Maqedonisë së Veriut,  për të ecur drejt BE-së, Sarrazin shtoi se Gjermania nuk përkrah këtë ide.

“Ne jemi për hapjen e negociatave për të dyja vendet sa ma parë të jetë  e mundur”, theksoi ai.

Sarrazin foli edhe për ‘Ballkanin e Hapur’, duke sqaruar se ai vjen nga një vend që nisi me ‘Procesin e Berlinit’, por që për ‘Ballkanin e Hapur’, nëse nismat e tilla janë gjithëpërfshirëse e që çojnë në BE, atëherë duhet mbështetur.

Ai më tej sqaroi se nismat e tilla nëse do të ishin me hapa të mesëm nuk do të ishin të domosdoshme.

Me këtë rast ai përmendi tregun e përbashkët, si ide e ofruar nga 6 vendet e Ballkanit Perëndimor, pastaj çështja e kufijve, që këto ishin edhe ide në ‘Procesin e Berlinit’.

Sarrazin foli edhe për marrëveshjen për energjinë mes Kosovës e Serbisë, si një hap pozitiv, duke inkurajuar liderët e të dyja vendeve të vazhdojnë me këtë hap.

Sarrazin duke folur për vendet e BE-së që hezitojnë të marrin vendimin për liberalizimin e vizave për Kosovën, tha se ka nga ato që ndryshojnë qëndrim, duke marrë si shembull Holandën. Ai inkurajoi zyrtarët kosovarë që të mos dorëzohen.

“Shpresa është gjithmonë aty, duhet të jetë gjithmonë, po e shihni se qëndrimet po ndryshojnë, si p.sh Holanda. Gjermania do të jetë e  përkushtuar të punojë  me aleatët tanë që ky proces të kryhet ashtu siç e meriton Kosova”, tha mes tjerash, Sarrazin.

Diplomati gjerman mohoi idenë e ndërlidhjes së dialogut Kosovë-Serbi me liberalizimin e vizave, duke theksuar zëshëm se ndërlidhja e tillë është absurde.

“Nuk shoh asnjë lidhje mes këtyre dy çështjeve, janë procese me kritere të qarta. Që të ngarkohet ky proces me kritere politike, vret idenë evropiane. Nuk ka ndërlidhje, do të ishte çmenduri  të bëhet kjo”, tha Sarrazin.

“Çështja  e anëtarësimit në BE është e ndërlidhur me dialogun e jo me liberalizimin e vizave”.

“Kancelari im është një njeri shumë i mençur”, tha në fund Sarrazin.