Shënohet 23-vjetori i Çlirimit të Vushtrrisë, Idrizi: Liria e Kosovës po cenohet, çlirimtarët po përballen me padrejtësi

17 qershor 2022 | 15:41

Në 23-vjetorin e Çlirimit të Vushtrrisë, është mbajtur Akademi Solemne, me ç’rast u kujtuan dëshmorët dhe martirët e kësaj komune, raporton Ekonomia Online.

Kreu i pushtetit lokal, kryetari Ferit Idrizi, përmendi ish-krerët e UÇK-së të cilët gjenden në Hagë. Tha se liria e Kosovës po cenohet në forma të ndryshme, duke thënë se çlirimtarët po përballen me padrejtësi.

Para të pranishmëve, Idrizi përmendi edhe vizitën që u ka bërë ditë më parë në Hagë, për të cilët tha se qëndrojnë të fortë.

“Një ditë feste dhe gëzimi e ndërtuar mbi gjakun e dëshmorëve mbi mundin dhe sakrificën e popullit shqiptar për mese 100 vjet. Sot e 23 vjet qytetarët e Vushtrrisë frymojnë lirshëm në Vushtrrinë e vjetër antike dhe dëshmorëve e martirëve që luftuan për t’ia sjellë lirinë Kosovës. Falënderoj edhe ShBA dhe BE. Sot kur po festojmë, liria e Kosovës po cenohet në forma të ndryshme sepse i kemi çlirimtarët duke u përballur me një padrejtësi e cila s’do të duhej të kishte ndodhur. Edhe pse janë brenda qelive të burgut të Hagës unë dhe shokët e mi i vizituam dhe ata ishin shumë të fortë. Iu bëjnë të fala dhe iu uruan ditën e çlirimit të Vushtrrisë”, tha ai.

E ish-komandanti i luftës së UÇK-së, Bekim Shyti, derisa mori çmim nga i pari i Vushtrrisë, tha se ia dedikon të rënëve në luftë.

“Urime dita e çlirimit të Vushtrrisë. Ky urim shkon për ata që dhanë shumë jo vetëm gjatë kësaj periudhe por edhe në vitet 98/99. Kësaj dite i gëzohemi të gjithë. Çlirimit të Kosovës i gëzohet familja Jashari”, ka thënë ai.

Veterani i UÇK-së, Shaip Hyseni, uroi të pranishmit në ditën e çlirimit të Komunës së Vushtrrisë.

“Urime dita e çlirimit e ne veçanti familjare të dëshmorëve dhe veteranëve. 23 vjet më parë qyteti u çlirua falë luftës dhe idealit për liri dhe sot ky vend frymon lirshëm. Ne e kemi shënuar si ditën e vitit. Dëshmorëve zoti iu dhuroi traditën shqiptare besën e luftën e shenjtë”, u shpreh ai.

Për fund, u ndanë disa çmime nga kryetari Idrizi.

“Qytetar nderi” iu nda këngëtarit Arif Vladi dhe Liri Rasha. “Nderi i qytetit” shkoi për Muharrem Shabanin. Ndërsa “Emblema e Vushtrrisë” e mori ish-komandanti i UÇK-së, Bekim Shyti.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Ish-futbollisti i mirënjohur, Alban Dragusha e ka marrë drejtimin e…