Shënohet 25-vjetori i të pagjeturve dhe martirëve në Mitrovicë

16 prill 2024 | 12:07

Në “Shtëpinë Muze” që ndodhet në Lagjen e boshnjakëve në veri të Mitrovicës, është shënuar dje Dita e të pagjeturve dhe martirëve, ku janë përkujtuar 116 të pagjeturit shqiptarë nga rajoni i Mitrovicës, si dhe 620 martirë të vrarë në luftën e fundit në Kosovë.

Në këtë aktivitet të pranishëm ishin, nënkryetar i komunës, Arian Tahiri, drejtorë komunal, kryetari i organizatës “Zëri i Prindërve”, Bajram Çerkini, familjarë të të pagjeturve e martirëve, përfaqësues të shoqatave të dala nga lufta e UÇK-së, si dhe qytetarë të tjerë, të cilët me homazhe nderuan emrat e martirëve të vendosur në pllakën përkujtimore.

Në fjalën e tij, nënkryetari Arian Tahiri, ka thënë se muaji prill, është muaji i dhimbjes dhe pikëllimit për të gjithë neve, e sidomos për familjarët e martirëve të cilët u vranë 25 vite më parë në shtëpinë muze në Lagjen e Boshnjakëve.

“25 vite më parë në këtë shtëpi u vranë e u torturuan bashkëqytetarët tanë të cilët përjetuan dhunën dhe tmerrin, mirëpo sot ne gëzojmë lirinë dhe shtetësinë tonë, falë luftës së lavdishme të UÇK-së. Me respektin më të madh përulemi para të gjithë atyre që sakrifikuan për lirinë e vendit tonë. Lavdi dëshmorëve dhe të gjithë martirëve të luftës”, u shpreh ndër tjerash nënkryetari Tahiri.
Kurse, kryetari i organizatës “Zëri i Prindërve”, Bajram Çerkini, ka falënderuar qeverisjen lokale për bashkëpunimin e treguar në shënimin e kësaj dite me rëndësi për qytetarët e Mitrovicës.

Ndërsa, pas kësaj ceremonie janë bërë homazhe dhe janë vendosur kurora me lule tek “Shtëpia Muze”.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Skuadra e Llapit ka bërë dy gabime të mëdha në…