Shkodran Pulaj përpos shitblerjes së narkotikëve dyshohet edhe për dy raste të tjera të dhunimit

14 prill 2024 | 20:04

Emri i Shkodran Pulajt, i cili dikur njihej si i paprekshmi i Prizrenit që shoqërohej me zyrtarë policorë, është rikthyer sërish në ‘skenë’. Pulaj e kishte krahun e fortë dhe miqësia e tij e kishte shpëtuar nga arrestimi deri më 4 shtator 2023 kur përfundoi në pranga për drogë. Hetimi ndaj tij për shitblerje të narkotikëve u bë ‘sebep’ të ngriten dyshime edhe për veprën penale “Dhunimi”. Sinjali raportoi ekskluzivisht javën e kaluar se ndaj Pulajt, Prokurori i Shtetit në Prokurorinë Themelore në Prizren ka nxjerrë aktvendim për fillimin e hetimeve në drejtim të veprës penale “Dhunimi”.

Organet e rendit po e hetojnë përfshirjen e tij në këtë rast, ku viktimë është një djalë i moshës së mitur (emër i njohur për redaksinë), i cili dyshohet se është keqpërdorur seksualisht nga Shkodran Pulaj.

Në seancën e hetimit të veçantë, i mituri ka rrëfyer para trupit gjykues se Pulaj i kishte ofruar substanca narkotike në këmbim të favoreve seksuale.

Lidhur me dyshimet për keqpërdorim seksual tashmë janë mbledhur prova, si pamje e biseda të ndryshme të komunikimit mes Pulajt dhe të miturit.

Madje, gjatë bastisjeve nga ana e Hetimeve Rajonale, bazuar në urdhëresën e Gjykatës Themelore në Prizren, në shtëpinë e Pulajt janë gjetur dëshmi të reja lidhur me këtë rast të dhunimit, por edhe dy raste tjera.

Edhe në këto dy raste, dyshohet se bëhet fjalë për veprën penale “Dhunimi”. Njëri prej viktimave, siç merr vesh Sinjali është i moshës madhore.

Në shtëpinë e Pulajt, hetuesit policorë kanë arritur të sekuestrojnë ndër të tjera edhe një unazë e një orë dore, që shihen edhe në pamjet që janë zbuluar pas ekzaminimit të telefonit të tij.

Hetimin e Pulajt për dhunim, avokati i tij e ka quajtur montazh të sistemit të drejtësisë.

Ai e akuzoi Policinë se kanë “punuar” me qëllim kundër Pulajt, pasi sipas tij nuk ekziston asnjë provë se ka kryer veprën “Dhunimi”.

“Po, për momentin është një aktvendim për fillimin e hetimeve, mirëpo akoma nuk ka dhënë deklaratë që dy muaj. Krejt jonë montazhe, çka me të thonë…

Akoma nuk ka dhënë asnjë deklaratë dhe asnjë provë nuk është, vetëm e kanë marrë në pyetje një të mitur, i cili ka dhënë deklaratë për drogë, e me atë dyshim…se krejt është montazh, është një përgatitje prej Policisë. Unë po e akuzoj jo Policinë, po krejt sistemin tonë se nëse mshelet njeri 2 mujë e 3 mujë dhe nuk zhvillohet asnjë veprim nuk ndërmerret, është shkelje e lirive dhe të drejtave.

Ai është në paraburgim për dyshimin se ka kryer veprën penale “Dhunim”. Për shitblerje të drogës iu ka ndërpre menjëherë rasti, landa është në Pejë.”- tha ai para disa ditësh për Sinjalin.

Shkodran Pulaj ishte arrestuar pasi ishte cak i Policisë, nën dyshimet se kishte kryer veprën penale “Blerja, posedimi, shpërndarja dhe shitja e paautorizuar e narkotikëve, substancave psikotrope dhe analoge”.

Pulaj, i cili ka qenë kandidat i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës për asamblist në Prizren njihet si person që ka pasur krahun e fortë.

Veprimtaria e tij nuk është ndalur, teksa shoqërimi i tij me ish shefin e Antidrogës, Enver Bujari, në kohën sa ai mbante këtë pozitë ka vazhduar e madje edhe ishte bërë publike.

Por jo vetëm me të parin e Njësisë së Antidrogës, Shkodran Pulaj ka pasur takime të shpeshta edhe me hetuesin policor të Hetimeve Rajonale, Metë Kastrati, si dhe me rreshterin Bashkim Luzha.

Ndryshe, Betimi për Drejtësi ka raportuar së fundmi se përveç dyshimeve për pazarllëqe me lëndë me prokurorin Metush Biraj, ka pasur tendendenca për ta shuar rastin komplet.

Në mesin e pazarllëqeve nga Pulaj, është zbuluar se si gjyqtari Sejrani, ka marrë përsipër dy raste të të akuzuarit Pulaj, edhe pse kishte qenë njëri ndër gjykatësit që kishte pasur kontakte me të.

Zbulimi i komunikimeve mes tyre ka bërë që Sejrani të ndërmarrë hapa ligjorë, duke ushtruar kallëzim penal ndaj shefit të Njësisë së Antidrogës në Prizren, Fitim Thaqit dhe dy hetuesve të tjerë.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Kryetari i Degë së LDK-së në Gjilan, njëherësh nënkryetar i…