Shkurtohen kolonat në kufi, dy orë për të dalë nga Kosova

16 gusht 2023 | 08:24

Kolona e pritje të gjata po krijohen në pikëkalimin kufitar në Merdar. Policia e Kosovës u ka bërë thirrje mërgimtarëve t’i shfrytëzojnë edhe pikat e tjera kufitare gjatë udhëtimit.

Qendra Kombëtare për Menaxhim Kufitar në përditësimin e orës 07:32 bën me dije se bashkatdhetarët po presin deri në dy orë për të dalë nga Kosova në pikëkalimin kufitar në Merdar.

Pritje për të dalë nga Kosova ka edhe në pikëkalimin kufitar Dheu i Bardhë deri në 40 minuta.

Në pikat e tjera kufitare nuk raportohet për kolona e pritje të gjata.

Të martën në mbrëmje Policia e Kosovës ua rikujtoi qytetarëve mundësinë e udhëtimit edhe përmes pikave të tjera kufitare në mënyrë që të evitohen pritjet e gjata në Merdar.

“Për shkak të fluksit të madh në disa nga pikat e kalimit  kufitar (pritjeve që po shkaktohen, në veçanti në pikën kufitare në Merdar), me qëllim të  lehtësimit  dhe ikjes së pritjeve të gjata, Policia e Kosovës  njofton qytetarët dhe bashkatdhetarët për mundësitë e kalimit në pikat e tjera të kalimit kufitar, si dhe i lut qytetarët që të shfrytëzojnë edhe pikat e tjera me Serbinë siç janë : PKK Muçibabë, Jarinjë, Bërnjak dhe Mutivodë në të cilat pika ka më pak pritje e ndërsa në orët e mbrëmjes nuk ka pritje fare në të shumtën e rasteve”, thekson Policia e Kosovës.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Një rekord i ri i temperaturës në historinë e Turqisë…