Sholtes: Shfuqizimi i Gjykatës Speciale izolon Kosovën

17 janar 2018 | 14:36

Raportuesi për Kosovën në Parlamentin Evropian, Igor Sholtes, ka kërkuar që të mos shfuqizohet ligji për Gjykatën Speciale.

Ai ka thënë se shfuqizimi i kësaj gjykate do ta izolojë Kosovën. Në një intervistë për “Deutsche Welle”, Sholtes, ka vlerësuar se një vendim i tillë do të paraqiste një hap të madh mbrapa për Kosovën.

“Ky vendim do të ishte në kundërshtim të drejtpërdrejtë me parimin e sundimit të ligjit dhe do të lëkundte kredibilitetin e Kosovës si një partner i barabartë me BE-në. Mendoj se një vendim i tillë do të rrezikonte shumë përparimin që është arritur në Kosovë në disa vitet e fundit. Mendoj se edhe ky kapitull i të kaluarës duhet të përmbyllet. Ndaj edhe njëherë u bëj thirrje të gjitha institucioneve dhe liderëve të partive në Kosovë që të mos lejojnë miratimin e një vendimi të tillë, sepse kjo do të thotë se Kosova po shkon drejt izolimit dhe jo bashkëpunimit”, ka deklaruar Sholtes.

Ai u ka bërë thirrje institucioneve të Kosovës që të ratifikojnë marrëveshjen e demarkacionit të kufirit me Malin e Zi. Sepse sipas tij, qytetarët e Kosovës e meritojnë liberalizimin e vizave.

“Autoritetet e Kosovës duhet të jenë të ndërgjegjshme se çfarë përgjegjësie kanë mbi vete, sepse bllokimi i kësaj çështje rrezikon procesin e liberalizimit. Kjo është një çështje që duhet të zgjidhet sa më parë në rrugën drejt BE-së, në mënyrë që më pas të mos ketë probleme. Shpresoj se kjo do të ndodhë sa më parë, sepse qytetarët e Kosovës e meritojnë liberalizimin e vizave”, është shprehur Sholtes.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Kryetari i komunës së Gjilanit, Lutfi Haziri, së bashku me…