Short ‘ferri’ për Shqipërinë në Euro U21, Duka e quan historik organizimin

27 nëntor 2026 | 12:20

Presidenti i Federatës Shqiptare të Futbollit, Armand Duka, e ka cilësuar Kampionatin Evropian U21, që do të organizohet vitin e ardhshëm nga Shqipëria dhe Serbia, si një ngjarje historike për futbollin shqiptar.

Duka ka mbajtur një fjalim përshëndetës në ceremoninë e hedhjes së shortit për fazën finale të këtij kompeticioni, duke shprehur kënaqësinë për mundësinë që Shqipëria të jetë nikoqire e një prej ngjarjeve më të rëndësishme të futbollit evropian për ekipet kombëtare.

Ai ka theksuar se ky Evropian do të ketë rëndësi të veçantë edhe për përfaqësuesen shqiptare U21, e cila për herë të parë do të marrë pjesë në një turne të tillë, duke u përballur me disa prej kombëtareve më të mira të kontinentit.

“Për ekipin tonë kombëtar është hera e parë që marrim pjesë në një event të tillë të rëndësishëm. Është hera e parë që futbollistët tanë të rinj do të përballen me më të mirët e Evropës. Uroj që të marrin eksperiencën e duhur dhe ta shfrytëzojnë këtë moment historik për karrierën e tyre futbollistike”, ka deklaruar Duka.

Ndërkohë, në ceremoninë e mbajtur në Beograd është hedhur edhe shorti për fazën finale të Euro U21 2027, ku Shqipëria është vendosur në Grupin B, së bashku me Spanjën, Italinë dhe Finlandën.

Një grup mjaft sfidues për kuqezinjtë, të cilët do të kenë përballë dy prej kombëtareve më të forta të Evropës në këtë grupmoshë. Grupet e tjera përbëhen nga Portugalia, Kroacia, Greqia dhe Çekia në Grupin C, ndërsa në Grupin D janë Gjermania, Holanda, Norvegjia dhe Belgjika. Kampionati Evropian do të zhvillohet nga 16 qershori deri më 3 korrik 2027, në Shqipëri dhe Serbi.

Ndeshjet në Shqipëri do të luhen në Tiranë, Elbasan dhe Shkodër, ndërsa në garë do të marrin pjesë 16 përfaqësuese, të ndara në katër grupe. Dy skuadrat e para të secilit grup do të sigurojnë kualifikimin në çerekfinale. Për Shqipërinë, ky turne përfaqëson një mundësi të veçantë për të luajtur para tifozëve të saj dhe për të fituar përvojë në nivelin më të lartë të futbollit evropian për grupmoshat U21.

Grupet e Euro U21 2027:

Grupi A: Serbia, Anglia, Franca, Polonia

Grupi B: Shqipëria, Spanja, Italia, Finlanda

Grupi C: Portugalia, Kroacia, Greqia, Çekia

Grupi D: Gjermania, Holanda, Norvegjia, Belgjika

May be an image of text

Lajme të sponsorizuara

✖
Të fundit
Kryetarja e Kuvendit të Kosovës, Albulena Haxhiu, ka thënë se…