Barcelona mund ta mbushë arkën me miliona nëse PSG-ja aktivizon klauzolën e blerjes së Ez Abde
E ardhmja e Ez Abde te Real Betisi mund të ketë pasoja të favorshme financiare për Barcelonën. Sulmuesi anësor maroken është ndër lojtarët që, sipas gazetës “Le Parisien”, do të përshtatej në planet e Luis Enriques te Paris Saint-Germaini.
Lëndimet serioze të Khvicha Kvaratskhelia dhe Desire Doue kanë ndezur debatin mbi mundësinë e përforcimit të sulmit parisien, megjithëse trajneri asturian ka deklaruar se nuk e konsideron thelbësore ndërhyrjen në afatin kalimtar dimëror.
Abde ka një klauzolë lirimi prej 60 milionë eurosh, ndërsa Barcelona mban 20 për qind të një shitjeje të ardhshme të lojtarit.
Blaugranët e transferuan marokenin te Betisi në shtator të vitit 2023 për 7.5 milionë euro, fillimisht duke mbajtur një klauzolë shitjeje prej 50 për qind. Megjithatë, ata hoqën dorë nga një klauzolë shtesë prej 30 për qind në shkurt të vitit 2025, si pjesë e transferimit të Vitor Roques.
Nëse klauzola e lirimit të sulmuesit anësor do të aktivizohej, Barça do të përfitonte 12 milionë euro – një shumë që mund të lehtësonte lëvizje të tjera për të forcuar skuadrën e Hansi Flickut.
Për momentin, Betisi mbetet i qetë lidhur me vazhdimësinë e Abdes, pasi interesi i raportuar nga PSG-ja ishte mohuar më parë nga drejtori sportiv i klubit, Manu Fajardo.



