Shqipëria mbyll universitetet për një muaj, shkak Covid-19

29 tetor 2020 | 16:52

Komiteti i Ekspertëve për pandeminë e koronavirusit ka vendosur sot mbylljen e universiteteve dhe konvikteve për një periudhë një mujore. Vendimi u bë i ditur nga zëvendësministrja e Shëndetësisë dhe Kryetarja e Komitetit Teknik të Ekspertëve, Mira Rakacolli.

Në një konferencë për mediat, Rakacolli tha se po diskutohet dhe mbyllja e lokaleve në zonën e ish-bllokut në Tiranë, pas orës 22:00. Masat e reja merren pas rritjes së numrit të infektimeve dhe viktimave me koronavirus gjatë javëve të fundit.

“Në mbledhjen e zhvilluar pak momente më parë Komitetin Teknik i Eksperteve, ka analizuar situatën dhe risqet, kemi vlerësuar situatën në rajon dhe Evropë, masat e ndërmarra nga këto vende, zbatimin e masave në vendin tonë, ecurinë e epidemisë në vend dhe kemi vendosur unanimisht të propozojmë që universitetet të zhvillojnë vetëm mësim online, pra mësim vetëm ne distancë, pa prezencë fizike të paktën për muajin e parë të hapjes, duke vlerësuar situatën ne dinamikë. Aulat dhe konviktet do të jenë të mbyllura deri në një vendim të dytë”, tha Rakacolli.

Kryetarja e Komitetit Teknik të Ekspertëve tha se situata në 2 javët e fundit paraqitet me një rritje të numrit te rasteve, të cilat përkojnë me hapjen e  shkollave, bareve, restoranteve dhe njëkohësisht me fazën e lehtësimit të masave shtrënguese.

“Për dy javët e fundit incidenca e rasteve me COVID-19 për Shqipërinë është 130 për 100,000 banorë. Aktualisht janë rreth 500 vatra aktive ne vend, 35% e te cilave janë përqendruar ne Tiranë. Vlerësohet se rastet e rritura pozitive përkojnë me hapjen e shkollave, bareve dhe restoranteve dhe njëkohësisht me fazën e lehtësimit të masave shtrënguese por dhe me sezonin e vjeshtës që sjell më shumë grumbullime në ambientet e brendshme dhe rritje të kontakteve në ambiente të mbyllura”, tha Rakacolli.

https://www.facebook.com/watch/?v=670711680125594

Kryetarja e Komitetit Teknik të Ekspertëve ju ka bërë apel qytetarëve të zbatojnë masat për parandalimin e COVID19, për të shmangur një mbyllje të dytë të vendit.

“Një thirrje për të gjithë, për të zbatuar rregullat e vendosura, nëse nuk ka disiplinë do të rrezikojmë mbylljen që askush nuk e do. Secili prej nesh e ka në dorë të frenojë përhapjen e epidemisë. Vendimi që kemi marrë për maskën e detyrueshme është një vendim i drejtë, i provuar tashmë për dobinë e tij. Mbajeni maskën kudo dhe ruani distancimin fizik, pa harruar higjienën e duarve”, tha Rakacolli.

 

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Ministrja e Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Meliza Haradinaj-Stublla, të…