Shqipëria, media e saj dhe Pranvera e vitit 1981 në Kosovë

29 prill 13:12

Bedri Islami

Pa as më të voglin dyshim, viti 1981 dhe sidomos pranvera e tij, ka qenë viti i provës për shqiptarët e Kosovës. Përgjithësisht, secila dekadë e ka gurin e vet themeltar ose, më saktë, ka një datë ose një moment të caktuar, që vendos pikëmbështetjet e së ardhmes. Për shqiptarët në Kosovë ka ndodhur disi ndryshe: një ngjarje ka mbajtur mbi vete më shumë se dy dekada dhe, si duket, do të vazhdojë të mbajë mbi vete edhe shumë vite të tjerë. Demonstratat e pranverës, mars – prill 1981, janë pikënyja e viteve që erdhën më pas dhe, si të tilla, kanë mbetur në kujtesën e kombit dhe në dëshminë historike të tij.
Prej këtij viti, duam apo nuk duam, jemi të vetëdijshëm ose jo, kanë rrjedhur të gjitha ngjarjet e tjera madhore që lidhen me Kosovën dhe, një pjesë e rëndësishme e tyre, edhe me Shqipërinë londineze.

Kryengritja shqiptare në ish-Jugosllavi, në fillimin e viteve ’80-ta ka qenë pa dyshim, njëra nga ngjarjet, rreth së cilës e për të cilën janë bërë analiza të shumta, me të janë marrë e sigurisht do të merren njerëz të mendimit nga të gjitha fushat, por njëkohësisht edhe spekulantë; janë marrë shkrimtarë e sociologë, historianë, protagonistë, gazetarë, janë ringritur ngjarjet, duke filluar që nga mbrëmja e 11 marsit dhe deri tek arrestimet masive, janë ngritur teza të ndryshme, hipoteza të sakta e nga më të çuditshmet, ka pasur gjykime e paragjykime, hamendje nga më të çuditshmet dhe nga më të pazakonshmet, ka pasur fillimisht çirrje dhe përbaltim institucional, diferencim masiv, pastaj heshtje, por kurrë mbrojtje institucionale në Kosovë.

Tezat, hipotezat, pikëpyetjet, hamendjet, thëniet, gjykimet dhe debatet nga më të ashprat dhe nga më të vrullshmet, kanë qenë për rolin dhe qëndrimin e shtetit shqiptar.
Që në fillim janë hedhur të gjitha pyetjet e mundshme dhe janë synuar të gjitha dilemat e hipotekuara. Në të vërtetë është bërë përpjekja, herë serioze dhe herë e rreme, për të sqaruar disa nga momentet më thelbësore të qëndrimit të shtetit shqiptar ose për të përbaltur ato. Pak ose aspak janë bërë përpjekje për të ditur gjykimin e njerëzve të zakonshëm në Shqipëri, të mendimit intelektual, si i kanë pritur ata ngjarjet e pranverës kosovare, si kanë depërtuar ato në thelbin e jetës së tyre të zakonshme; ishte merak spontan, njerëzor ose i organizuar, apo e vërteta qëndron diku në mesin e tyre? Kishte më shumë se hall, brengë, shqetësim a mërzi, kishte diçka më shumë vetes dhe përtej së zakonshmes, kishte thjeshtë brengë njerëzore apo edhe kombëtare…?

Natyrisht, për cilindo lajm përbën dilema e shtruar atëherë, nëse kishte dijeni Shqipëria zyrtare për atë që po përgatitej të ndodhte në Kosovë? A kishte dijeni Enver Hoxha, përmes strukturave të tij, se viti 1981 do të ishte njëkohësisht edhe viti i kryengritjes shqiptare? A ndikuan strukturat e fshehta të shtetit shqiptar në organizimin apo thjesht nxitjen e kryengritjes dhe afishimin e parullës Kosova-Republikë; apo të thirrjes tjetër “Republikë, Kushtetutë, ja me hatër, ja me luftë”. A kanë qenë të përgatitura dhe të instruktuara organizatat ilegale, që u vunë në ballë të demonstratave nga strukturat e fshehta të shtetit shqiptar? A kishte në Tiranën zyrtare përkrahjen e duhur kërkesa për republikën e Kosovës apo shteti shqiptar ishte kundër krijimit të një shteti të dytë shqiptar në Ballkan? Përkrahja e shtetit shqiptar ishte e vonuar apo në kohën e duhur? E gjithë ajo që ndodhi në polemikën e madhe mes shtetit shqiptar dhe shtetit jugosllav ishte thjeshtë një retorikë ideologjike apo pas saj fshihej edhe çështja kombëtare…

Mbi të gjitha cili ishte roli i shtypit dhe i mediave shqiptare, të cilat, dashje pa dashje, pasqyronin vijën e dhënë nga shteti shqiptar dhe në këtë mënyrë, nëse dikush kërkon të shohë se çfarë qëndrimi mbajti Shqipëria e atyre viteve, mbështetjen e parë, shikimin e parë e ka pikërisht tek qëndrimi i mediave të saj.

Unë do të mundohem të sjell disa nga përjetimet e njëzet e shtatë viteve më parë, ashtu si i kam përjetuar unë, qoftë si qytetar i zakonshëm, qoftë si gazetar. Por, edhe ata që kam mësuar nga bisedat me kolegë më të vjetër dhe më pranë regjimit të kohës. E di se për disa do të jetë disi e pazakontë, ndoshta edhe jashtë rrjedhës së trysnisë politike që përçohet ndaj shtetit shqiptar të atyre viteve, mirëpo unë do bëj mundim të sjell atmosferën ashtu si ishte në ato ditë, ashtu si është përjetuar nga unë dhe njerëzit rreth meje, nga shokët e mi gazetarë, por edhe nga njerëzit e shquar të artit, shkencës, historisë. Do t’ia lejoj vetes që, ashtu si i kam ndjekur dhe ashtu si i kam analizuar më pas, ta sjell edhe mendimin tim për ato që ishin asokohe në mendimin politik zyrtar, duke shfrytëzuar të drejtën nga takimet e mëpasshme që kam pasur me disa nga protagonistët në Shqipëri të këtyre ngjarjeve, mes të cilëve edhe me ish presidentin e Shqipërisë, Ramiz Alia. Të gjitha këto nuk i sjell për të nxitur një mendim ndryshe ose një mendim “për”, por të sjell, sado pak, ato të vërteta që ose janë thënë ndryshe, ose janë thënë të cunguara.Le të nisim me atë që përjetuan gazetarët dhe njerëzit e zakonshëm…

Njëri ndër gazetarët më të vjetër më tregonte: “Në mesin e muajit mars të vitit 1981, ata që punonin një kat më poshtë në redaksinë e gazetës “Zëri i Popullit” vunë re se,në sektorin e jashtëm, i cili ishte në katin e sipërm, kishte një lëvizje më të shumë se të zakonshme, kishte një lëvizje përgjithësisht më të ndjeshme se herët e tjera. Zakonisht ndodhte kështu, kur kishte ngjarje të rëndësishme. Aq më tepër se, shumë më shpesh se më parë, kishin filluar të vinin funksionarë të rëndësishëm të aparatit të Komitetit Qendror të Partisë, të cilët, jo radhë herë, nuk ndaleshin as në zyrën e kryeredaktorit të gazetës, që ndodhej në katin e dytë. Megjithatë, nuk ishte vërejtur ende asgjë e jashtëzakonshme nëpër radhët e artikujve, të cilët, në më të shumtën e rasteve, nuk kishin ndonjë gjë të veçantë. Edhe fakti që, përgjegjësi i sektorit ë jashtëm, ishte thirrur dy herë, brenda ditës, tek shefi, nuk përbënte ndonjë lajm, sepse kjo kishte qenë shpesh një rutinë e zakonshme.

Zakonisht, nga ora nëntë e mëngjesit, djemtë e gazetës, si i thërrisnin miqtë e tyre të afërt, mes të cilëve edhe kryeministri i djeshëm i Shqipërisë, Berisha, shkonin të pinin kafenë e mëngjesit, në kafenenë e Lidhjes së Gazetarëve, ku kishte më shumë zhurmë se në të gjitha kafenetë e tjera. “Zhurmëtarët” zakonisht ishin Pëllumb Bato i “Bashkimit”, (nuk e di se ku është tani), Filip Çakulli i “Hostenit”, i cili kishte zakonisht një mosmarrëveshje në javë me shefin e tij dhe të kritikuarit prej tij, dhe shefi i sotëm i gazetës thellësisht pëdëiste, Fahri Balliu, që aso kohe ishte gazetar special i “Zërit të Popullit” dhe i udhëheqjes së lartë politike. Ishte vënë re se prej dy ditësh, gazetarët e sektorit të jashtëm të “Zërit të Popullit” apo të “Bashkimit” ose nuk po vinin fare, ose pinin një kafe, tepër shpejt dhe iknin. Ndërsa ato të RTSh-së, sektori i jashtëm, që vinin nganjëherë për kortezi gazetareske, meqë kishin klubin e tyre, nuk dukeshin”.

Përgjithësisht, në sektorët e jashtëm të shtypit punonin asokohe gazetarë nga më të mirët, të aftë dhe patriotë, si u dëshmuan shumë prej tyre në vitet që erdhën. Në “Zëri” ishte i njohur Shaban Murati, në “Bashkimi” ishte Napoleon Roshi, në RTSh ishte Bujar Muharremi. Megjithatë, fjalët kishin filluar të rridhnin, më shumë jo nga kanalet zyrtare, sa nga “rebelët” që ndiqnin herë pas here, kanalet radiofonike të huaja. Kishte filluar të flitej se në Prishtinë kishte pasur demonstrata një apo dy ditë më parë, mirëpo nuk dihej më tepër. Njëri nga shokët e mi, që kishte qëndruar deri vonë për të ndjekur thuajse të gjitha stacionet radiofonike që mund t’i kuptonte, më tha, se në Prishtinë kishte pasur një demonstrim të studentëve, por ajo kishte qenë për kushte më të mira jetese dhe ushqimi dhe, si duket, nuk kishte pasur asgjë politike.

Thënë të vërtetën unë kisha disa kohë që isha përgatitur për një udhëtim në Kosovë, i cili, siç më kishte thënë shefi im i atëhershëm, Namik Dokle, do të bëhej në fundin e muajit mars. E dija se në atë grup do të ishte edhe Vera Kapo, bija e numrit dy të dikurshëm PPSh-së, Hysni Kapo dhe nëna e gazetarit të sotëm Andi Bushati, Xhafer Dobrusha, pedagog në Universitetin e Tiranës, që drejton sot Federatën e Arsimit dhe disa të tjerë.

Kishte disa kohë që marrëdhëniet në dy anët e kufirit ishin në një pikë të lartë intensifikimi. Kishte më shumë se pesë vite që mes dy qeverie, në Beograd dhe në Tiranë, kishte një periudhë zbutje dhe, si duket, të dy palët kishin llogaritur të ndikonin tek njëra tjetra, përmes atyre që e quanin më të rëndësishme. Qeveria e Beogradit mendonte të ndikonte në Shqipëri duke dërguar aty, përmes strukturave të ndryshme, një nivel më të ngritur jetese, njohje më të gjerë të botës, hapje më të ndjeshme; ndërsa qeveria e Tiranës kishte menduar të ndikonte përmes shkallës së kulturës, njohjes reciproke, artit, gjuhës, traditës, duke pasur gjithnjë në anën e saj, përkushtimin e pakufishëm të shqiptarëve matanë kufirit për shtetin amë. Këtë masë përcaktuese nuk e kishte llogaritur, ose e kishte përllogaritur keq, qeveria e Beogradit, ndërsa e kishte ditur shkëlqyeshëm qeveria e Tiranës.

Pranimi i gjuhës së përbashkët shqipe, ribotimi, pa asnjë redaktim kritik i teksteve të historisë së Shqipërisë dhe pranimi i teksteve të njëllojta , thuajse në të gjitha lëmitë, ansamblet artistike që ishin më të shpeshta se asnjëherë, këngët që ishin përgjithësisht mbi bazën e teksteve me ndjenjë të theksuar kombëtare, si ishte ajo e Pjetër Gacit “Kaçanik o shkëmb e gurë…”pritja e jashtëzakonshme që i bëhej Nexhmije Pagarushës dhe rihapja e shpejtë e këngëve të saj…të gjitha këto ishin më të se të prekshme dhe të pranueshme nga njerëzit e zakonshëm.

Kishte shumë kohë që në shtypin shqiptar, duke pasur edhe një censurë të kujdesshme, nuk shkruhej kurrë negativisht për Kosovën ose për njerëzit e saj. Termat që dolën më vonë, pas viteve ’90-ta, për Kosovën ose për shqiptarët e Kosovës, atëherë as nuk njiheshin dhe as nuk lejoheshin të përdoreshin. Edhe kur flitej për masakrën e 4 shkurtit bëhej kujdes të evitohej emri i Xhafer Devës, sado që shumë gjëra ishin të ditura. Fakti që u vu re më pas, se gjatë gjithë kohës që regjimi i Hoxhës ishte në pushtet kishte bërë vetëm tri përmendore të mëdha për individë të shquar të periudhës së Pavarësisë dhe se që të tre kishin ardhur nga viset shqiptare të Kosovës, përkatësisht busti i Bajram Currit, Hasan Prishtinës dhe Isë Boletinit, apo fakti që Enver Hoxha, në shënimin e tij për Monumentin e Pavarësisë kishte kërkuar që, krahas Ismail Qemalit, të vihen në qendër të monumentit edhe figura e luftëtarit nga Kosova, kishin qenë të prekshme për njerëzit. Sado që mund të ishe apo jo dakord me regjimin, nuk mund as të ishe kundër veprimeve të tilla, të cilat, sado që mund të kishin, ashtu si u tha më pas, nënshtresa të tjera, përsëri, në kohën e dhënë, ishin të mirëpritura.

Nga ana tjetër, në universitetin e Prishtinës ishin mysafirë dhe jepnin leksionet e tyre korifenjtë e mendimit shkencor shqiptar, ëndërrimi i plejadave shqiptare në Kosovë, si Eqrem Çabej dhe Aleks Buda, Shaban Demiraj, Androkli Kostollari, Kristo Frashëri, Rexhep Meidani, dijetarët më të shquar të shkencave albanologjike, historike, ribotohej Kadare dhe Agolli dhe Veprat e Plota të Poradecit.

Në vitin 1978, me një vëmendje tejet të veçantë u përkujtua 100-vjetori i ngjarjeve të Prizrenit dhe për herë të parë, publikisht ajo u quajt Lidhja Shqiptare e Prizrenit, duke i shtuar kështu, cilësimin Shqiptare, si shenjë e etnisë kombëtare. Deri atëherë ajo ishte quajtur thjeshtë “Lidhja e Prizrenit”.
Të gjitha këto po sillnin imazhin e ri të lidhjeve të përbashkëta dhe, krejt befas, sidomos për njerëzit e zakonshëm, erdhi njoftimi se në Kosovë kishte ndodhur diçka.

E vërteta është se njoftimi i parë për demonstratat e 11 marsit në Kosovë është bërë i njohur, pra publik, më 13 mars 1981, dy ditë pas zhvillimit të tyre. Ky ishte një njoftim i shkurtër, pa koment, burim i së cilës ishte agjencia e lajmeve “Tanjug” dhe i përforcuar edhe nga disa agjenci të tjera informative perëndimore. Nuk është bërë ndonjë kujdes i veçantë për afishimin e tyre dhe po ashtu, vëmendja ndaj botimit të artikullit apo dhënies së lajmit, nuk ka qenë e një rëndësie të veçantë. Në ditarin radioteleviziv të RTSH-së ai u dha, pa foto të veçanta, së bashku me lajmet e tjera, ndërsa në gazetën “Zëri i Popullit” që ishte aso kohe gazeta kryesore e vendit, me më shumë se njëqindmijë kopje në ditë, shënimi u vendos në faqen e katërt, majtas, aty ku edhe më parë vendoseshin lajmet e përgjithshme të politikës së jashtme.

Si do e përcaktojë saktësisht analisti i shquar shqiptar Shaban Sinani, “kjo ishte faza e një mpirje të dukshme të opinionit në Shqipëri, që, siç duket nga shënimet e vëzhguesve politikë, në Kosovë u shoqërua me ankth e padurim”.
Ishin disa ditë, në të cilat, njerëzit e thjeshtë dhe intelektualët, ishin në pritje të një zhvillimi të ri apo edhe të ndonjë lajmi më të gjerë se kaq. Kishte një vajtje ardhje më të dendur tek njeri tjetri dhe sidomos tek të afërmit, antenat satelitore të të cilëve mund të shfaqnin pamjet e Radiotelevizionit të Prishtinës. Mirëpo edhe aty, pas 11 marsit dhe deri më 26 mars, nuk mund të mësoje më shumë se sa një informacion të zakonshëm, shenja të dënimit të udhëheqjeve të larta politike republikane e krahinore, por të gjitha këto nuk të jepnin përmasat e asaj që kishte ndodhur.

Edhe pas shumë vitesh, secili që në një mënyrë ose në një tjetër, ka kaluar nëpër ngjarjet e asaj kohe, qoftë edhe si i jashtëm, si ishim ne në Shqipëri, nuk mund ta ketë ndjerë veten jashtë tyre. Disa gjëra mbeten në kujtesë, si ishte dita e 8 prillit 1981, kur për herë të parë, ne gazetën kryesore të kohës dhe më pas, disa herë radhazi në emisione të veçantë radiotelevizive, u dha qëndrimi i shtetit shqiptar.

Ishte e diel dhe kisha shkuar në shtëpinë time në Shkodër. Ishte ditë plot diell, krejtësisht pranverë. Nga të gjitha radiot e komshinjve dëgjoja spikerin e radios tek lexonte, për të disatën herë, tekstin e plotë të Artikullit të parë në “Zërin e Popullit”. gazeta kishte dalë asaj dite me dyfishin e tirazhit të saj, pra në dyqind mijë kopje, dhe që në mëngjesin e hershëm, nuk e gjeje dot askund. Ishte shitur brenda pak çasteve dhe nëpër të gjitha qoshet e rrugëve kishin ndaluar njerëzit që kishin filluar ta lexonin, pa pritur për të shkuar në shtëpi.
Jam krejt i bindur se qëndrimin e shtetit shqiptar e përkrahën të gjithë shqiptarët, edhe ata që ishin pro regjimit, edhe ata që nuk e donin atë.

Fjalët Kyçe:

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Gjysmë maratonën “Prishtina 2018” e ka fituar vrapuesi nga Kenya,…