Si e shkrova këtë libër

23 tetor 2020 | 12:20

Arben Veselaj

Ideja për ta shkruar këtë libër më ka lindur në qershor të vitit 2019 derisa po përgatisja një reportazh për gazetën Zëri të Prishtinës, në të cilin po përpiqesha t’i paraqisja përshtypjet e para prej gazetari për katundet arbëreshe të Kalabrisë, ku ende flitej gjuha shqipe e Mesjetës dhe ku rronte identiteti i vjetër arbëror.

Reportazhin me titull Rrini mirë, arbëreshë! e botova menjëherë, por seç m’u duk se ai nuk mjaftoi për ta rrëfyer krejt atë që ndieja për të rrëfyer për botën arbëreshe. Takimi me atë botë për mua ishte sikur një udhëtim në kohë, një udhëtim historik dhe fantazist njëherësh.

Udhëtimi në botën arbëreshe për një gazetar albanolog do të thotë më shumë sesa një udhëtim ekspeditiv sepse papritmas të zbulohet “i gjallë” trualli ku lindën idetë e qytetërimit modern shqiptar.

Bota arbëreshe ka qenë gjithmonë një lloj ekzotizmi për çdo gazetar dhe udhëpërshkrues. Të rrallë kanë qenë ata që kanë mundur ta frenojnë yshtjen e të mos shkruajnë për të. Edhe mua më mahniti ajo botë.

Ato vise të hirnosuara të gjeografisë kalabreze që i kisha kaptuar sa e sa herë në leximet e pionierëve të romantizmit shqiptar ma nxitën kureshtjen për të rrëmuar sërish në letërsinë arbëreshe, nëse do të mund ta gjeja një kuptimësi të re për ta nxjerr, mbase, edhe një interpretim të ri, ndryshe nga ai tradicional  historik.

Kësaj hyrjeje të këtij libri ndoshta mund t’i mungojnë fjalitë klishe të tipit: çfarë shërben ky libër, ose çfarë synon ky libër, por mund të them se disa pjesë të tij provojnë të sjellin një interpretim ndryshe të historisë së letërsisë dhe në përgjithësi të historisë së mendimit shqiptar.

Gjatë shtjellimit të materies të librit mund të haset në një qasje jotradicionale dhe johistoriciste për disa autorë e vepra të letërsisë arbëreshe, si dhe në disa të pathëna rreth dialektikës historike të kësaj letërsie, por ky libër, në asnjë mënyrë, nuk pretendon të jetë kritikë për historinë e letërsisë.

Më shumë se një reportazh nga toka kalabreze, ky libër është një “flashback” në disa faqe të historisë së letërsisë. Mbase mund të jetë edhe një “short history” për botën arbëreshe, por besoj se në një version alternativ më së miri do t’i rrinte titulli Tri rrëfenja arbëreshe, pasi substanca e tij rrëfen sfondin historik (kombëtar), estetik (letrar) dhe ikonik (religjioz) të botës arbëreshe.

As krejt reportazh, as udhëpërshkrim i plotë, as rrëfim i pastër… por të gjitha nga pak, të shkrira në një triptikon gjithëpërfshirës dritëhijesh arbëreshe.

Pasueset e këtij libri mund të jenë deskriptivë e eseistikë më shumë sesa që duhet, por ata janë shkruar kryesisht gjatë kohës së udhëtimit e, ndërkaq, vetë udhëtimi, në përvojën time jetësore e profesionale, ka qenë jo një vizitë e zakonshme, por një pelegrinazh i vonuar në Arbërinë e vjetër.

 

 

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Xhudistet Nora Gjakova e Flaka Loxha janë eliminuar nga Grand…