Skënderbeu shpallet kampion i ligës ‘Gjergj Kastrioti’

02 mars 2023 | 10:57

Skënderbeu i Korçës ka triumfuar në finalen spektakolare të Ligës “Gjergj Kastrioti”, femrat, kundër ekipit nga Kosova, Skenderajt, në përballjen që u zhvillua në praninë e qindra tifozëve në Pallatin e Rinisë dhe Sportit në Prishtinë.

Ishte një përballje që dhuroi spektakël të njëmendtë volejbolli, derisa u karakterizua me garë të fortë dhe luftë për çdo pikë, siç nënvizohet edhe nga rezultati i ngushtë në fund 2-3 (25-22, 24-26 25-21, 21-25, 9-15). Ishin vashat nga Skenderaj ato që patën avantazhin pas një paraqitje dinjitoze në setin e parë, por rivali nga Shqipëria punoi fuqishëm për të mos lejuar disfatë në setin e dytë, duke e fituar atë me vetëm dy pikë diferencë.

Skuadra e trajnerit Ylli Kadriu u rikonsolidua duke fituar setin e tretë, por ishte e pafuqishme t’i bënte rezistencë “ndezjes” së Skënderbeut në dy setet e fundit, të cilët ishin decisiv për ekipin nga Shqipëria për ta ngritur trofeun në fund.

Nga afër këtë ndeshje e përcolli kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, i cili pranoi një fanellë me numrin 15 të Kosovës nga presidenti i Federatës së Volejbollit të Kosovës (FVK), Bahri Gjinovci, si dhuratë për 15 vjetorin e Pavarësisë së Kosovës.

Trofeu për kapitenen e Skënderbeut u nda nga zëvendësministrja e MKRS-së, Daulina Osmani dhe presidenti Gjinovci.

Medaljet e arta për kampionet e ligës së përbashkët mes Kosovës dhe Shqipërisë patën nderin t’i ndajnë presidenti i FSHV-së, Erlind Pëllumbi, presidenti i Komitetit Olimpik Shqiptar, Fidel Ylli dhe ambasadori i Shqipërisë në Kosovë, Qemajl Mixhozi.

Medaljet e argjendta për nënkampionet nga Skenderaj i ndau zëvendësdrejtoresha e Departamentit të Sportit të MKRS-së, Afërdita Fazliu, sekretari i përgjithshëm i Komitetit Olimpik Kombëtar të Shqipërisë, Gerti Shima dhe sekretari i Komitetit Olimpik të Kosovës, Besim Aliti.

Çmimin MVP për lojtaren më të mirë të finales e ndau po ashtu ambasadori Mixhozi për lojtaren amerikane të Skënderbeut, Desiree Williams. FVK-ja uron Skënderbeun për triumfin në ligën që përfaqëson unitetin sportiv dhe vëllazëror mes dy vendeve, dhe përgëzon Skenderajn për formën dhe paraqitjet e treguara përgjatë këtij kampionati.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Mes tensionesh dhe zhurmash nga deputetët, kryetari i LDK-së, Lumir…