Sneijder e shet për një shumë marramendëse fanellën historike të Sergio Ramosit nga finalja e Botërorit 2010

26 nëntor 2026 | 15:30

Ish-futbollisti holandez, Wesley Sneijder, ka shitur në ankand për një shumë marramendëse një prej kujtimeve më të veçanta të karrierës së tij.

Bëhet fjalë për fanellën e Sergio Ramosit, të cilën mbrojtësi spanjoll ia kishte dhuruar pas finales së Kupës së Botës në vitin 2010, të zhvilluar në Afrikën e Jugut.

Fanella është shitur për plot 65.126 euro, ndërsa blerësi është një tifoz nga Brazili, i cili e ka fituar ankandin duke ofruar shumën më të lartë.

Bëhet fjalë për fanellën me mëngë të gjata, me ngjyrë të kaltër të errët dhe me numrin 15 në shpinë, të cilën Ramos e kishte bartur gjatë gjithë finales historike në Johannesburg.

Ajo i ruan ende stemat dhe mbishkrimet origjinale dhe ndodhet në gjendje shumë të mirë.

Ramos ia kishte dhuruar fanellën Sneijderit pas përfundimit të finales, në të cilën Spanja e mposhti Holandën me rezultatin 1:0, falë golit të Andres Iniestës në vazhdime.

Për holandezët ishte një humbje veçanërisht e dhimbshme, pasi iu afruan shumë titullit të parë botëror në histori.

Sneijder ishte një prej futbollistëve kryesorë të asaj gjenerate dhe kishte zhvilluar një sezon fantastik me Interin, me të cilin kishte fituar Ligën e Kampionëve.

Interesant është fakti se në ankand ishte vendosur edhe fanella që vetë Sneijder e kishte bartur në atë finale, por ajo është shitur për pak më shumë se 5.000 euro, shumë dukshëm më e ulët se ajo e Ramosit.

Kjo nuk është shitja e parë e kujtimeve të tij sportive. Në muajt e fundit, holandezi kishte shitur edhe Topin e Argjendtë të Botërorit 2010 për 19.000 euro, medaljen e bronztë të Botërorit 2014 për 6.500 euro, si dhe topin nga ndeshja Holandë – Brazil në çerekfinalen e vitit 2014 për 6.100 euro.

Sneijder ka shpjeguar më herët se kujtimet e tij nga futbolli do të mbeten gjithmonë në zemër, ndërsa këto objekte mund t’i bëjnë të lumtur koleksionistët dhe tifozët e futbollit.

Shitjet e fundit kanë nxitur edhe spekulime për arsyet financiare, pasi ish-mesfushori kishte treguar se ishte viktimë e një mashtrimi me investime në patundshmëri në Turqi.

Megjithatë, nuk është konfirmuar se ankandet janë drejtpërdrejt të lidhura me atë rast.

Lajme të sponsorizuara

✖
Të fundit
Me rastin e Black Friday dhe festës së 28 Nëntorit,…