SOKOL BASHOTA SFIDON GJYKATËN E HAGËS DHE BASHKËLUFTËTARËT  

19 shtator 2019 | 10:37

Lulëzim ETEMAJ

 Dy ditë radhazi është intervistuar si i dyshuar në Hagë nga Gjykata Speciale, ish-zëvendëskomandanti i Shtabit të Përgjithshëm të UÇK-së, Sokol Bashota.

“Më është ofruar marrëveshje, që për mua ishte e favorshme, do të më ndihmonte mua në proces në të ardhmen, por do të ishte e dëmshme për UÇK-në”. Kështu ka deklaruar mbrëmë Bashota, më të kthyer në Kosovë, në Aeroportin “Adem Jashari”.

Kjo është deklarata bombë, e vetmja e këtij lloji, e bërë nga ndonjë nga të intervistuarit e shumtë të deritanishëm të Gjykatës së Hagës!

Deklarata e mbrëmshme e Bashotës, nuk paraqet vetëm një akuzë tepër të rënd në adresë të shtëpisë së drejtësisë ndërkombëtare, Gjykatës së Hagës, e cila e ka për detyrë ekskluzive trajtimin e pjesëtarëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, të të gjitha niveleve, përkatësisht luftës së tyre, por i thellon edhe më tej dilemat e shumta mbi punën e mëtejme të saj, përkatësisht paanshmërinë dhe pandikueshmërinë, jo vetëm politike, të saj.

Përmes deklaratës së mbëmshme, ish-zëvendëskomandanti i Shtabit të Përgjithshëm të UÇK-së, Sokol Bashota, nuk e ka sfiduar vetëm Gjykatën Speciale të Hagës, duke e futur në borgj për të bërë sqarim publik për opinionin, por edhe të gjithë të intervistuarit e deritanishëm të saj, ushtarë e komandatë të UÇK-së. Në rrethana normale, asnjëri prej tyre nuk ka të drejtë morale ta shijojë më tej luksin e heshtjes dhe të mos bërit publik të ofertave të mundshme nga Gjykata e Hagës, që për shpërblim kanë nxjerrjen e përfitimeve personale në kurriz të ish- bashkëluftëtarëve dhe luftës së drejtë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.

Shoqatat e dalura nga lufta e UÇK-së, shoqëria civile dhe qytetarët e Kosovës, nuk do të duhej poashtu ta kalonin në heshtje deklaratën e mbrëmshme të Sokol Bashotës. Larg fushatës zgjedhore dhe politizimit për përfitime partiake apo individuale, por në nderim dhe mbrojtje të luftës çlirimtare, përpjekjeve dhe sakrificave të panumërta, do të duhej, që përmes formave të shumta të protestës aktive qytetare, të ngritej zëri i kundërshtimit ndaj tendencave të hapura të Gjykatës së Hagës për t’i akuzuar me çdo kusht pjesëtarët e UÇK-së.  

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Në ndeshjen e djeshme, Reali humbi ndaj klubit francez në…