Sonte Ballkani përballet me Clujin
Ballkani e pret sonte në “Fadil Vokrri” skuadrën e Clujit në kuadër të ndeshjes së parë në fazën e grupeve të Ligës së Konferencës. Armend Thaqi ka premtuar angazhim maksimal për këtë ndeshje mjaft të rëndësishme për futbollin e Kosovës.
Skuadra kampione e Kosovës, Ballkani, e fillon një kapitull të ri sonte (e mërkurë), që është historik për futbollin Kosova, pasi për herë të parë një klub merr pjesë në grupet e Ligës së Konferencës. Ballkani i kaloi të gjitha pritshmëritë dhe arriti të kualifikohet deri në këtë fazë, duke bërë që Superliga e Kosovës të shënojë rritje në renditjen e UEFA-s. Djelmoshat që drejtohen nga Ilir Daja sonte në stadiumin “Fadil Vokrri” e presin skuadrën e madhe rumune, Cluji.
Mbrojtësi i krahut të djathtë, Armend Thaqi, për “Epokën e re” ka folur për ndeshjen e radhës që skuadra kampione e Kosovës e zhvillon në grupet e Ligës së Konferencës. Ai premton maksimumin të enjten përballë skuadrës së Clujit. “Jemi të kënaqur me të arriturat historike që kemi bërë, por nuk jemi ndalur së punuari që sukseset t’i vazhdojmë. Të enjten e kemi ndeshjen debutuese në fazën e grupeve të Ligës së Konferencës. Do të përgatitemi në maksimum për t’u paraqitur në mënyrë të denjë. Normalisht se do të jetë e vështirë, sepse dihen kualitetet e ekipit të Clujit”, ka thënë Thaqi.
Skuadra e Ballkanit në këtë ndeshje vjen pas fitores që e arriti në fundjavë në derbin ndaj Prishtinës me rezultat minimal 0-1. Klubi nga Suhareka u ka bërë thirrje të gjithë sportdashëve që të jenë të enjten në stadium për të përkrahur këtë klub, i cili më këtë rast po e përfaqëson gjithë Kosovën. “Eja në stadiumin ‘Fadil Vokrri’ të enjten dhe përjeto emocionet e një ndeshje evropiane. Ne nuk e përfaqësojmë vetëm Suharekën. Ballkani në këto ndeshje po përfaqëson Kosovën. Ballkani më shumë se asnjëherë ka nevojë për përkrahjen tuaj”, thuhet në kërkesën e kampionëve në fuqi të Superligës.
UEFA ka caktuar gjyqtarët që do ta ndajnë drejtësinë në ndeshjen në mes të Ballkanit dhe Clujit. Në këtë ndeshje gjyqtarët nga Zvicra janë ata që do të ndajnë drejtësinë. Urs Schnyder do të jetë gjyqtari kryesor, kurse Marco Zurcher dhe Zurcher Benjamin do të jenë ndihmësit e tij. Sven Wolfensberger është caktuar për në rolin e gjyqtarit të katërt.
/Veton ZYMBERI/



