Sonte Liga e Kampionëve sjell përballjet Dortmund – Chelsa dhe Club Brugge – Benfica

15 shkurt 2023 | 08:00

Përballja e parë në mes të Borussia Dortmundit dhe Chelseat  zhvillohet të mërkurën mbrëma në “Westfalenstadion”, teksa dy skuadrat kanë synime të mëdha për t’u kualifikuar në raundin tjetër të Ligës së Kampionëve.

Dortmundi kaloi fazën e grupeve, pasi përfundoi i dyti në Grupin G pas Manchester Cityt, ndërsa “Blutë” e Londrës ishin të parët në Grupin E, para AC Milan, Red Bull Salzburg dhe Dinamo Zagreb. Dortmund aktualisht ndodhet i treti në tabelën e Bundesligës dhe mbetet në një garë të ashpër për titullin e kampionit, me vetëm tetë pikë që ndajnë gjashtë skuadrat e para me 14 ndeshje të mbetura deri në fund të kampionatit.

“Westfalenstadion” është bërë një fortesë për ekipin gjerman në Ligën e Kampionëve, pasi Dortmundi ka humbur vetëm katër nga 21 ndeshjet e fundit në shtëpi në këtë kompeticion, por ato tri humbje i ka kundër skuadrave angleze. Dortmundi kundër ekipeve angleze ka dështuar të fitojë në asnjërën prej dhjetë ndeshjeve të fundit, duke barazuar dy herë dhe pësuar plot tetë herë. Fitorja e tyre e fundit kundër një skuadre angleze daton në mars të vitit 2016, kur sulmuesi aktual i Chelseat, Pierre-Emerick Aubameyang, shënoi dy gola në fitoren 2-1 kundër Tottenham Hotspurit në Ligën e Evropës. Pavarësisht kësaj, Dortmundi në këtë edicion arriti të jetë në grup para Sevillës dhe Kopenhagës dhe tani do të synojë ta eliminojë Chelsean.

Ndërsa Graham Potter si trajner i Chelseat ka fituar vetëm tri herë në 14 ndeshjet e zhvilluara dhe kjo mund të bëjë që ai shumë shpejt ta humbasë punën e tij. Shpresat e Chelseat për të përfunduar në katërshen e parë vazhdojnë të zbehen pasi aktualisht janë në vendin e nëntë në tabelën e Premierligës dhe 10 pikë prapa Newcastle Unitedit në vendin e katërt. Londinezëve iu duhet ta fitojnë Ligën e Kampionëve nëse dëshirojnë të konkurrojnë sërish në kompeticionin elitar të klubeve evropiane sezonin e ardhshëm.

Kampionët e nisen keq këtë edicion në Ligën e Kampionëve duke pësuar humbje nga Dinamo Zagrebi, por më pas u rikthyen dhe përfunduan në vendin e parë në grup, kurse tash synojnë të marrin rezultat pozitiv dhe në ndeshjen e kthimit ta kenë më të lehtë kalimin e klubit gjerman. Në njëmbëdhjetë ndeshjet e fundit me klubet gjermane si mysafirë, Chelsea ka regjistruar vetëm tri fitore. Sonte zhvillohet edhe ndeshja tjetër në Ligën e Kampionëve mes Club Brugge dhe Benficës.

Të mërkurën takohen:
21:00 Borussia Dortmund – Chelsea
21:00 Club Brugge – Benfica

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Në të njëjtin vit të së përkohshmes është edhe një…