Spajiç: Ka ende kohë për të formuar qeverinë

21 shtator 2023 | 10:56

I mandatuari për formimin e ekzekutivit të 44-të malazez, njëherit Kryetar i Lëvizjes Evropa Tani, Milojko Spajiç, ka thënë se ka kohë ende për të formuar qeverinë e re në Mal të Zi dhe se janë duke punuar ende për të krijuar mazhorancën e re.

“Kanë mbetur edhe 50 ditë. Jemi duke biseduar intensivisht me të gjithë partnerët. Siç e dini, 44 deputetë më kanë mbështetur për mandatar dhe Komisioni Kryesor i Evropa Tani me 95 për qind të votave e ka miratuar vendimin për të vazhduar më tej”.

“Jemi duke punuar”, pohoi ai, “për të siguruar numrat e nevojshme”.

“Ne jemi duke biseduar intensivisht me grupet politike të cilave u përkasin ata 44 deputetë’, shtoi, transmeton media malazeze “Vijesti”.

Spajiç shpreson që sa më shpejtë të përfundohet ky proces, në mënyrë që qytetarët malazezë “të ndjejnë gjëra konkrete si në aspektin e anëtarësimit në BE ashtu edhe në aspektin e inflacionit”.

“Inflacioni është një problem i madh për të gjithë qytetarët, mendoj se politikanëve nuk u intereson kjo. Shpresojmë që për këtë arsye të formohet qeveria sa më shpejt që të jetë e mundur”, u tha Spajiç gazetarëve pas bisedës që pati me ambasadorët e shteteve anëtare të Bashkimit Evropian.

I pyetur nëse ka pasur presion nga ambasadorët e huaj për formimin e qeverisë, ai mohoi një gjë të tillë.

“Nuk ka presion, këto janë vende partnere që duan të ndihmojnë, që janë të hapura për ne. Kemi një bisedë dhe komunikim intensiv. Ata janë shumë të interesuar për Malin e Zi sepse Mali i Zi është lider në integrim, mund të jetë shembull për të gjithë, por ne sillemi në mënyrë joserioze në skenën politike se edhe ata janë të shqetësuar”.

Qëllimi kryesor i politikës së Jashtme të Malit të Zi, insiston, “është anëtarësimi në BE”.

Milojko Spajiç, lideri i Lëvizjes Evropa Tani, si fitues i zgjedhjeve parlamentare të 11 qershorit, është emëruar nga presidenti malazez, Jakov Milatoviç, më 10 gusht mandatar për ta formuar qeverinë e 44-të malazeze.

Ai, sipas ligjit, ka 90 ditë afat për ta krijuar qeverinë.

Mirëpo, Milatoviç, i cili është edhe nënkryetar i Lëvizjes Evropa Tani, nuk është pajtuar me mënyrën se si kryetari Spajiç i ka zhvilluar negociatat.

Ai, ndryshe nga Spajiç, beson se koalicioni “Për ardhmërinë e Malit të Zi” – të njohur për orientimin e tyre pro-ruso-serb – duhet që të jenë pjesë e qeverisë.

Nga ana tjetër, Milojko Spajiç, ka përjashtuar çfarëdo mundësie për të marrë në koalicionin qeverisës Partinë Demokratike të Socialistëve, dhe Lëvizjen Qytetare Ura – që udhëhiqet nga kryeministri në detyrë i Malit të Zi, Dritan Abazoviç.

Ndërsa, së fundmi është bërë me dije se edhe ish-Fronti Demokratik nuk do të jetë pjesë e ekzekutivit të Spajiç-it.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Emisari i Shteteve të Bashkuara të Amerikës (ShBA), Gabriel Escobar,…