Specialen do ta shfuqizojmë për hir të UÇK-së, jo për hir të Thaçit

01 janar 16:49

Deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Rexhep Selimi, ka bërë me dije se ky subjekt politik do ta shfuqizojë Ligjin për Gjykatën Specialen kurdo që t’i jepet mundësia.

Në këtë intervistë dhënë për gazetën “Epoka e re”, Selimi ka thënë se këtë e bëjnë për hir të Kosovës dhe UÇK-së e jo për hir të presidentit Hashim Thaçi.

Ai e ka kritikuar presidentin e vendit se për këtë çështje po fshihet pas disa iniciativave dhe se po manipulon sikur para dy vjetëve me fatin e luftës së UÇK-së

“Epoka e re”: Z. Selimi, si ishte ky vit që po lëmë pas për Lëvizjen Vetëvendosje?
Selimi: Ky vit për Lëvizjen Vetëvendosje ishte vit i sfidave dhe i fitores së betejave politike. Dolëm forca e parë politike në vend pas zgjedhjeve të qershorit, rrjedhimisht edhe grupi më i madh parlamentar në Kuvendin e Kosovës. Dolëm fitues sërish në Prishtinë në zgjedhjet lokale dhe fituam edhe në Prizren dhe në Dardanë. Përveç që qeverisim në tri komuna, dy prej tyre janë qendra më të mëdha në Kosovë. Përtej kësaj udhëheqim kryeqytetin e Kosovës, Prishtinën dhe kryeqytetin historik të shqiptarëve, Prizrenin. Po ashtu, në Kuvend, përveç që jemi forcë e parë me 32 deputetë, kemi dalë fitues edhe ndaj sfidave të demarkacionit me Malin e Zi dhe të ‘Zajednicës’. Tashmë fuqisë sonë të argumentit ia kemi shtuar edhe fuqinë tonë numerike në Kuvend duke ia pamundësuar qeverisë t’i ketë as dy të tretat, por as shumicë stabile për vendime të rënda siç i kishte qeveria paraprake. Pra, viti që po shkon ishte vit i sfidave të mëdha dhe i fitoreve të Lëvizjes sonë.

“Epoka e re”: Rezultati që mori Lëvizja Vetëvendosje në zgjedhjet e qershorit ishte mjaft i mirë, por i njëjti nuk ishte edhe për zgjedhjet lokale. Çfarë mendoni se ka ndikuar në shënimin e këtyre rezultateve?
Selimi: Në zgjedhjet e qershorit shënuam rritje deri në dyfishim të fuqisë sonë parlamentare, kurse në zgjedhjet lokale, nga një komunë që e fituam në zgjedhjet paraprake, asaj ia shtuam edhe Prizrenin dhe Dardanën. Rritja, qoftë në zgjedhje parlamentare, qoftë në ato lokale, ka ardhur si rezultat i asaj çka Lëvizja jonë përfaqëson, si rezultat i aktivizmit tonë dhe si rezultat që qytetarët e Kosovës kanë arritur ta kuptojnë më qartë situatën në të cilën jemi.

“Epoka e re”: Këto rezultate kanë rënë disi nën hijen e përplasjeve që u shpërfaqën brenda kësaj lëvizje. Pse ndodhi kjo?
Selimi: Mund të keni të drejtë. Vërtet debati brenda lëvizjes është bërë shumë i rëndësishëm dhe jo vetëm për lëvizjen. Ky debat po zhvillohet tashmë me një dinamike të caktuar dhe ka marrë shumë hapësirë në media dhe në opinion. Por, pas këtij debati të hapur, në fund fjalën e ka demokracia në zgjedhjet e brendshme që tashmë po hyjmë.

“Epoka e re”: A mund të evitohen këto mospajtime brenda Lëvizjes Vetëvendosje?
Selimi: Demokracia është epilogu i këtij debati.

“Epoka e re”: Këshilli i Përgjithshëm i Lëvizjes Vetëvendosje ka shpallur zgjedhjet e brendshme për të tejkaluar këtë gjendje. Ndërsa deputeti i këtij subjekti politik, Albin Kurti, ka shpallur kandidaturën për të parin e partisë. E përkrahin ju Kurtin?
Selimi: Deri më tash kemi vetëm një kandidaturë. Nuk e di a do të ketë tjetër kandidat për kryetar të Lëvizjes. Kryetari i Lëvizjes zgjedhet me vota të fshehta dhe me parimin një anëtar një votë. Rezultati i një procesi të rregullt dhe vendimi i shumicës do të jetë i respektuar dhe i pranueshëm edhe nga unë, ashtu siç duhet të jetë nga të gjithë.

“Epoka e re”: Së fundi disa deputetë të koalicionit qeverisës kanë nisur një iniciativë ligjore për ta shfuqizuar Ligjin për Gjykatën Speciale. Cili është qëndrimi i LV-së ndaj kësaj çështje?
Selimi: Qëndrimi i Lëvizjes Vetëvendosje ndaj kësaj gjykate është i njëjti qëndrim siç ishte edhe në vitin 2015 kur e kemi kundërshtuar. Ua kemi thënë edhe deputetëve iniciues, po ashtu edhe opinionit, se Lëvizja Vetëvendosje e konsideron të padrejtë Gjykatën Speciale për UÇK-në të cilën para dy vjetësh e patëm kundërshtuar ne dhe e pati sponsorizuar qeveria e atëhershme dhe u votua si pasojë e presionit të madh ndaj partisë së tij edhe nga ana e kryeministrit të atëhershëm. Sikurse në vitin 2015, ashtu edhe kurdo që vjen në seancë, ne do ta kemi të njëjtin vlerësim për këtë gjykatë. Për kujtesën tonë, PDK-ja, LDK-ja dhe Lista Serbe e patën votuar Gjykatën Speciale kundër UÇK-së më 3 gusht 2015, me disa përjashtime të disa deputetëve të PDK-së që prapëseprapë nuk ndikuan që të mos kalojë. Kurse e patëm kundërshtuar ne Vetëvendosja dhe partitë opozitare të atëhershme. Do ta shfuqizonim këtë gjykatë kurdo që të na jepej mundësia dhe këtë e bëjmë për hir të Kosovës dhe UÇK-së e jo për hir të Thaçit i cili po fshihet pas disa iniciativave dhe po manipulon sërish sikur para dy vjetësh fatin e luftës së UÇK-së.

“Epoka e re”: Qeveria e udhëhequr nga Haradinaj ka bërë 100 ditë. Çfarë mendimi keni për këto ditë të saj?
Selimi: Unë nuk kam pritur ndonjë sukses të kësaj qeverie. Tashmë 100-ditëshi i saj është indeks i një qeverisje jofunksionale. 100-ditëshi i qeverisë së PAN-it është zhgënjyes jo vetëm për qytetarët por, ndoshta, edhe për qeveritarët.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Takimi i Tetovës 04.09.2015 Ali Ahmeti Jonuz Musliu Ismet Sylejmani…