Specialja refuzon kërkesën e mbrojtjes së Thaçit për largimin ose zëvendësimin e gjykatësit Giju

11 prill 2024 | 17:01

Kryetarja e Gjykatës Speciale, Ekaterina Trendafilova, ka rrëzuar kërkesën e mbrojtjes së ish-drejtorit të Drejtorisë Politike të UÇK-së, Hashim Thaçit, për të hequr ose zëvendësuar gjykatësin Nikola Giju si gjykatës të vetëm në rastin e tij gjyqësor dhe të ish-pjesëtarëve të tjerë të UÇK-së, Kadri Veseli, Rexhep Selimit dhe Jakup Krasniqit.

Zëdhënësi i DhSK-së, Michael Doyle, në një konferencë për medie të enjten ka theksuar se kërkesa e mbrojtjes së Thaçit u bë mbi bazën se gjykatësi Giju bëri betimin si gjykatës në Gjykatën Penale Ndërkombëtare (GJPN) më 8 mars 2024 dhe do të ushtrojë funksionet e tij gjyqësore në GJPN duke filluar nga 19 gushti.

“Z. Thaçi argumentoi, ndër të tjera, se pavarësia e gjykatësit Giju cenohet nga fakti që ai përgjigjet para dy gjykatave dhe meqenëse do të përgatitet për të punuar me çështjet që do t’i ngarkohen në GJPN, nuk do të jetë i disponueshëm për të punuar në DHSK”.

“Kryetarja konstatoi se nuk mund të ushtrojë kompetencën për zëvendësimin e një gjykatësi, përveç nëse gjykatësi nuk është më në gjendje të kryejë detyrat e veta dhe ky nuk është rasti me gjykatësin Giju, sepse ai do të ushtrojë funksionet gjyqësore në GJPN duke filluar nga 19 gushti 2024”, ka thënë Doyle.

Doyle ka pohuar se Trendafilova ka konstatuar më tej se Thaçi nuk ka paraqitur argumente pse është cenuar puna apo pavarësia e gjykatësit Giju si gjykatës i Vetëm, “dhe se asnjë gjykatës nuk mund të hiqet mbi bazën e pretendimeve të përgjithshme apo abstrakte që nuk janë as të bazuara dhe as të detajuara”.

“Ajo doli në përfundimin se disponueshmëria e gjykatësit Giju për të ushtruar funksionin si Gjykatës i Vetëm është aspekt që vlerësohet nga Kryetarja dhe është i natyrës administrative dhe jo objekt apelimi prej palëve. Seanca e radhës në çështjen gjyqësore Thaçi dhe të tjerët është planifikuar të mbahet më 22 prill, në orën 9 të mëngjesi”, ka deklaruar Doyle.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Zëvendësministri i Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës, Jeton Raka ka…