Specialja shpërfill çdo datë historike të Kosovës, në Ditën e Çlirimit i gjykon liderët e UÇK-së

12 qershor 2023 | 17:07

Gjykata Speciale është duke shpërfillur çdo datë dhe festë që ndërlidhet me Republikën e Kosovës.

Sot (e hënë) kur Kosova ka shënuar Ditën e Çlirimit, në Gjykatën Speciale në Hagë është mbajtur seanca e radhës ndaj katër liderëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK), Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit dhe Jakup Krasniqi, të cilët kanë mërita të jashtëzakonshme për çlirimin e Kosovës nga Serbia, raporton “Epoka e re”.

Edhe më herët, Gjykata Speciale kishte caktuar një seancë më 17 shkurt – Ditën e Pavarësisë së Kosovës. Por, pas reagimeve të shumta, Gjykata Speciale e kishte ndryshuar datën e mbajtjes së  kësaj seance gjyqësore ndaj liderëve të UÇK-së.

Ndonëse kishte vendosur ta ndryshojë datën e seancës, Gjykata Speciale, pikërisht më 17 shkurt të këtij viti kishte vendosur t’ia vazhdojë masën e paraburgimit Hashim Thaçit, njërit nga më meritorët për shpalljen e Pavarësisë, i cili kishte lexuar deklaratën për shpalljen e Kosovës shtet të pavarur dhe sovran.

Gjykata Speciale është themeluar nga Kuvendi i Kosovës në vitin 2015.

Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Rexhep Selimi dhe Jakup Krasniqi gjenden në paraburgim në Hagë nga nëntori i vitit 2020. Procesi gjyqësor ndaj tyre ka filluar me 3 prill të këtij viti, ku sot (e hënë) ka filluar të merret në pyetje dëshmitari i tetë i Zyrës së Prokurorit të Specializuar.

Qysh në fillim të këtij procesi gjyqësor, liderët e UÇK-së janë deklaruar të pafajshëm.

 

 

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Prishtina Parking përmes llogarisë zyrtare në "Facebook", ka publikuar disa…