Sveçla: Figura e policit është figura më e afërt e qytetarit me institucionet
Rruga “Luan Haradinaj” në Prishtinë është bllokuar për qarkullim sot në një qëllim të vetëm, që të zhvillohet organizimi për nderimin e të rënëve në krye të detyrës në kuadër të Policisë së Kosovës.
Teksa po zhvillohej ky organizim për “Ditën memoriale të policëve të rënë në kryerje të detyrës”, ku të pranishëm ishin figura të shumta shtetërore, ministri i Brendshëm, Xhelal Sveçla, ka thënë se para çdo zyrtari tjetër, është polici ai që krijon tek qytetari ndjenjën se shteti është në dispozicion të qytetarit e në mbrojtje të tij.
Ai ka thënë se figura e policit është figura më e afërt e qytetarit me institucionet.
“Se vetë shteti është në dispozicion të qytetarit, e në mbrojtje të tij. Të gjithë zyrtarët publikë dhe shtetërorë kanë pretendimin e drejt të shërbimit të shoqërisë në cilësinë e jetës, por është polici ai që çdo ditë e ka jetën e tij në mbrojtje të qytetarit duke rrezikuar kështu edhe jetën e vetë për qytetarin”, ka thënë Sveçla.
Ai ka thënë se në rolin e tij si ministër i Brendshëm e sheh policin si pjesë integrale të policisë, pasi vetëm në këtë vizion, sipas tij policia do të jetë institucioni më dinjitoz i shtetit.
“Ka për qëllim të mbrojë shtetin. Nëse duam një polici dinjitoze kemi përcaktuar se duam një shoqëri prosperuese, një qytetar që ndjehet i mbrojtur e një fëmijë që ritet e zhvillohet i sigurt. Duhet që të gjitha mekanizmat e sigurisë dhe hetuesisë të funksionojnë në sinkron të sigurt. Duhet përkujtuar se këta janë ndeshur me faktin se për shumë vite ligji ka qenë çaluar përballë korrupsionit e ka dështuar kundrejt bandave të strukturave paralele dhe veprimtaria e sigurimit të rendit shoqëror, ekonomik është ndeshur me ndërhyrje të ardhura nga shtete që nuk duan funksionimin e shtetit tonë, e se duan ekzistencën tonë si shtet e shoqëri”, ka thënë Sveçla.



