Tahiri: Kush e di edhe sa ‘sekserë’ po përpiqet t’i mbajë të fshehur pushteti i Kurtit

24 prill 2022 | 13:25

Shefi i grupit parlamentar të Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Abelard Tahiri, ka reaguar edhe një herë për skandalin në Slloveni, në të cilin është raportuar të jetë i përfshirë edhe ambasadori i Kosovës në Kroaci, Martin Berishaj.

Tahiri ka shkruar në llogarinë e vet në “Facebook” për një “skenar të organizuar nga pushteti i Albin Kutit”.

“Skandali i Martin Berishës me mafinë energjetike të Serbisë, na dëshmoi se në rrethanat e krizës energjetike kishte pasur një skenar me prapavijë të organizuar nga pushteti i Albin Kurtit & CO, nga i cili skenar, dëmi më i madh iu shkaktua qytetarëve tanë e përfitimi në kurriz të tyre i shkoi mafisë energjetike të Serbisë”.

“Prandaj qytetarët e Republikës së Kosovës, të cilëve kjo krizë ju kushtoi drejtpërdrejtë në mirëqenie, duhet ta dinë se ku kanë shkuar e për çka janë shpenzuar paratë e tyre që qeveria ua mori përmes haraçit në emër të krizës. Duhet ta dinë se ku kanë shkuar, për çfarë janë shpenzuar dhe kush ka përfituar nga 100 milionët e ndarë nga qeveria gjatë kësaj periudhe”, ka shkruar Tahiri.

Ngritja e Komisionit Hetimor Parlamentar, sipas Tahirit, “nuk është agjendë politike por kusht i domosdoshëm demokratik për të mundësuar llogaridhënien dhe transparencën”.

Sipas tij, “tashmë është e qartë pse mazhoranca ka refuzuar ta mbështesë hetimin parlamentar për këtë çështje”.

“Por amnisti për krimin, korrupsionin dhe abuzimin me taksa të qytetarëve nuk ka e nuk do të ketë. Komisioni hetimor parlamentar do të themelohet me çdo kusht, me ose pa vullnetin e mazhorancës. Efekti i vetëm i kësaj pengese që pushteti po përpiqet ta vendosë ndaj transparencës, është rreshtimi me krimin e abuzimin”, ka shkruar ai.

Më tutje, Tahiri ka shkruar për “kartel të rrymës”, ndërsa ambasadori Martin Berishaj për të është “njëri nga “sekserët” e Albin Kurtit”.

“Kush e di edhe sa “sekserë” të tjerë kanë emër e mbiemër të cilët pushteti i Kurtit po përpiqet t’i mbajë të fshehur. Lista me gjasë do jetë mjaft e gjatë dhe ne do ta nxjerrim në dritë këtë listë”, ka shkruar Tahiri.

Ambasadori i Kosovës në Kroaci, Martin Berishaj është duke u akuzuar nga disa media në Lubjanë se është i përfshirë në një skandal për shpëlarje parash në Slloveni. Presidenca e ka ftuar për sqarime në Kosovë ambasadorin, por vetëm pasi paraprakisht presidentja Vjosa Osmani ka thënë se i beson versionit shfajësues që Berishaj e ka dhënë në “Facebook”.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Deputetja e PDK-së, Ganimete Musliu, i ka reaguar kreut të…