Tahiri: Paga minimale në Kosovë të jetë 400 euro

08 shkurt 2024 | 12:25

Shefi i grupit parlamentar të AAK-së, Besnik Tahiri, ka kritikuar Qeverinë e Kosovës, për pagat në sektorit publik dhe atë privat, të cilat sipas tij janë “tmerruese”.

Në fjalën e tij në Kuvendin e Kosovës, Tahiri ka thënë se rritja më e madhe e pagave ka ndodhur tek kryeministri, ministrat dhe të emëruarit politik, ku sipas tij rritja është mbi 50 për qind. “Për tri vjet rresht është diskutuar për pagat në sektorin publik dhe pagën minimale, pagat në sektorin publik janë tmerri i tmerrit. Realisht rritje tek 80 për qind tek administrata e shërbyesit civilë ka vetëm prej 20 deri 40 euro. A e din ku është rritja më e madhe? Rritja më e madhe është tek kryeministri, ministrat tek të emëruarit politik. Aty është bërë rritja më e madhe mbi 50 për qind”, ka thënë Tahiri.

Sipas Tahirit, paga e sektorit privat është ajo që ka qenë para 11 vitesh.

Më tutje, Tahiri ka kërkuar që paga minimale në Kosovë, në sektorin privat të jetë 400 euro, ku në të përfshihen edhe veteranët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK).

“Ndalemi tek paga në sektorin privat tek qytetarët e Kosovës paga minimale është ajo që ka qenë para 11 vitesh. Ne kemi kërkuar që paga minimale të jetë 400 euro dhe në të përfshihen edhe veteranët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK), që në të cilën janë larguar në atë ligj dhe tani ky ligj është në Gjykatë Kushtetuese”, ka thënë Tahiri, duke e akuzuar qeverinë edhe  për mosmiratimin e Ligjit për sigurimet shëndetësore.

Ai ka thënë se jeta në Kosovë është duke u varfëruar. “Pse nuk vjen sigurimi shëndetësor dhe cila është arsye që tri vjet nuk keni arritur me e sjell një ligj sigurime shëndetësore? Reflektoni edhe pse është viti i fundit, por kjo duhet të jetë baza e diskutimit e ballafaqimit dhe e llogaridhënies të kësaj qeverie. Aferim për çdo punë që e keni bërë në veri. Por, mos u mundoni me i qitë hije syve të popullit për shkak se jeta është varfëri, ndërsa ekonomia është dobësuar”, ka thënë Tahiri.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Girona është surpriza më e bukur në pesë kampionatet më…