Tahirsylaj: Temperaturat deri në minus 18 gradë celsius

27 shkurt 2018 | 23:01

Eksperti dhe profesori i Meteorologjisë, Sylë Tahirsylaj, tregoi se ditën e enjte, më 1 mars, temperaturat do të jenë më të ulëtat e këtij viti kalendarik.

Temperaturat të enjten sipas Tahirsylajt do të jetë minus 18 gradë celsius në vende kodrinore-malore, ndërsa minus 13 do të jenë në ultësira.

“Me datën 1 do të jenë temperaturat më të ulëta në këtë vit kalendarik. Minimalet do të jenë -18 gradë celsius në vende kundrinore-malore, ndërsa në ultësira do të jetë -13 gradë celsius”, ka thënë Tahirsylaj për KALLXO.com.

Ai ka shtuar se reshjet e dëborës nuk do të ndalen deri ditën e shtunë të kësaj jave.

“Këto temperatura janë të ulëta të cilat do të zgjasin deri në fund të javës. Do të ketë reshje të borës deri të shtunën. Më pas do të ndërpriten”, ka deklaruar ai.

Sipas Tahirsylajt, ditën e diel, temperaturat do të fillojnë të rriten, në vende të ulëta do të jenë temperaturat +7 gradë celsius ndërsa në vende të larta deri në 4 gradë celsius.

Ai ka treguar se të premten e kësaj jave do të ketë reshje të shiut e cila sipas tij do të krijojnë një shtresë akulli, e cila mund të paraqes rrezik në komunikacion.

“Ditën e premte do të ketë reshje të shiut. Ato pastaj në temperatura të ulëta do të krijojnë shtresa të akullit dhe kjo do të paraqes problem të veçantë në qarkullimin e automjeteve. Për këtë rast mund të përdoren hedhat e sharrës ose thëngjilli i bluar e ajo ndikon pozitivisht që ajo shtresë të eliminohet”, ka thënë më tutje Tahirsylaj, duke shtuar se një mot i tillë ka qenë edhe viteve të kaluara.

Sipas tij në temperatura -11 gradë celsius, kripa nuk reagon për eliminimin e shtresave të akullit.

“Shtresa që do të krijohet ditën e premte është pak me rrezikshmëri. Po e përsëris që mund të përdoret thëngjilli i bluar për ta shmangur të paktën rrezikshmërinë”, është shprehur ai.

Ai ka thënë se edhe se një situatë e tillë nuk është brengosëse pasi në Kosovë sipas informatave që ka, reshjet e borës kanë arritur deri në 10 centimetra.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Real Madridi pas një serie të fitoreve i është kthyer…