Takohen Veliu dhe Vitia, diskutojnë për koronavirusin

27 shkurt 2020 | 13:48

Ministri i Punëve të Brendshme dhe Administratës Publike, Agim Veliu, ka pritur në takim ministrin e Shëndetësisë, Arben Vitia dhe drejtorin e Institutit Kombëtar të Shëndetësisë Publike, Naser Ramadanin, me të cilët diskutuan aktivitetet për menaxhimin e situatës lidhur me koronavirusin.

Me këtë rast, ministri Vitia ia ka bërë me dije ministrit Veliu, angazhimet e Ministrisë së Shëndetësisë dhe Institutit Kombëtar të Shëndetësisë Publike për ndërmarrjen e masave për një situatë të re të mundshme epidemiologjike, që ka përfshirë disa vende të botës dhe që potencialisht edhe vendi ynë mund të preket.

Ministri Vitia ka theksuar se Ministria e Shëndetësisë ka autorizuar IKSHPK-në që të mobilizojë të gjithë kapacitetet profesionale në menaxhimin e kësaj situate, megjithatë ai theksoi se për këtë është e nevojshme një gjithëpërfshirje institucionale dhe ndihma e Ministrisë së Punëve të Brendshme dhe Administratës Publike, për të menaxhuar çfarëdo situate që mund të ballafaqohemi në të ardhmen.

Ndërsa ministri i MPBAP-së, Agim Veliu, ka theksuar përkushtimin e tij se të gjitha kapacitetet institucionale që ka kjo ministri, do të vihen në dispozicion për të menaxhuar çfarëdo situate epidemiologjike që mund të paraqitet.

Ai ka pohuar se institucionet e sigurisë do të jenë të gatshme dhe në funksion të shtetit për çfarëdo nevoje që kërkohet, në mënyrë që situata të kontrollohet nga të gjitha mekanizmat e shtetit si tërësi.

Të dy ministrat vlerësuan se situata për momentin është stabile dhe deri më tani asnjë qytetar i Kosovës nuk është prekur nga ky virus, prandaj nuk ka nevojë për panik.

U theksua në këtë takim se është e rëndësishme që të ndiqen udhëzimet nga IKSHPK-ja, për kujdes në mënyrë që ky virus të mos bartet edhe në Kosovë.

/Epoka e re/

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Pas vlerësimeve të bëra nga zyrtar të Qendrës Rajonale për…