Taksa 100 %, Shqipëria ia kalon Serbisë

24 dhjetor 2018 | 22:33

Të dhënat e Agjencisë së Statistikave të Kosovës (ASK) për tregtinë e jashtme të Kosovës tregojnë për një deficit tregtar më të lartë për 4.2 për qind në muajin nëntor 2018, në raport me muajin e njëjtë të vitit 2017.
Përkthyer në shifra, sivjet deficiti është 240,2 milionë euro e vjet ishte 230,5 milionë.

Në muajin nëntor nga Kosova dolën mallra në vlerë mbi 34 milionë euro, e erdhën mallra në vlerë rreth 275 milionë euro. “Eksporti i mallrave në muajin nëntor 2018 kishte vlerën 34,7 milionë euro, ndërsa importi 274,9 milionë euro, ku është një rritje prej 15.4 për qind për eksport dhe një rritje prej 5.5 për qind për import, duke krahasuar me periudhën e njëjtë të vitit 2017”, thuhet në njoftimin e ASK-së,

Sipas të dhënave të grupeve kryesore të eksportit, 36.4 për qind e përbëjnë metalet bazë dhe artikujt prej tyre, 13.5 për qind produktet minerale, 12.8 për qind plastika, goma dhe artikujt prej tyre, 8.1 për qind ushqimet e përgatitura, pijet dhe duhani, 6.4 për qind prodhimet bimore, 3.8 për qind artikujt e ndryshëm të prodhuar, 3.2 për qind tekstili dhe artikujt prej tij etj.
Mallrat që erdhën më shumë në Kosovë ishin produkte minerale, makineri e pajisje mekanike.

“Ndërsa, sipas të dhënave të grupeve kryesore për import: 16.9 për qind e përbëjnë prodhimet minerale, 12.2 për qind makineritë, pajisjet mekanike dhe elektrike, 10.9 për qind ushqimet e përgatitura, pijet dhe duhani, 10.3 për qind metalet bazë dhe artikujt prej tyre, 7.8 për qind mjetet e transportit, 6.9 për qind plastika, goma dhe artikujt prej tyre, 6.4 për qind e përbën tekstili dhe artikujt prej tij, 6.0 për qind prodhimet e industrisë kimike etj”, është bërë me dije në këtë njoftim.

Në muajin nëntor Kosova eksportoi mbi 10 milionë euro mallra drejt vendeve të Bashkimit Evropian, me partner kryesor Gjermaninë. “Eksportet e Kosovës në vendet e BE-së arritën në 10,4 milionë euro, ose rreth 30.2 për qind e eksporteve të përgjithshme, me një rritje prej 29.6 për qind. Partnerët kryesorë për eksportin e mallrave në BE janë: Gjermania (8.5 për qind), Holanda (4.2 për qind), Sllovenia (3.6 për qind), dhe Italia (3.0 për qind)”, është theksuar në njoftimin e ASK-së.

Kurse importet e Kosovës nga vendet e BE-së ishin rreth 126 milionë euro, ose 45.8 për qind e importeve të përgjithshme, me një rritje prej 9.8 për qind.
Importet me pjesëmarrje më të lartë ishin nga Gjermania 11.0 për qind, Italia 5.1, Greqia 4.1, Franca 3.7, Sllovenia 3.5 për qind etj.

Shqipëria partneri kryesor i Kosovës në shkëmbimin në vendet e CEFTA-s

“Në muajin nëntor 2018, eksportet e Kosovës me vendet e CEFTA-s arritën në 15,3 milionë euro, ose 44.3 për qind e eksporteve të përgjithshme, me një rënie prej 1.6 për qind. Partnerë kryesorë për eksport nga vendet e CEFTA-s janë: Shqipëria (16.6 për qind), Maqedonia (10.5 për qind), Serbia (8.3 për qind), dhe Mali i Zi (6.9 për qind)”, tregojnë statistikat e ASK-së.

Ndërsa importet nga vendet e CEFTA-s në muajin nëntor 2018 arritën në 55,8 milionë euro, ose 20.3 për qind e importeve të përgjithshme, me një rënie prej 23.6 për qind. Vendet me pjesëmarrje më të lartë për import ishin: Shqipëria 7.4 për qind, Serbia 5.6, Maqedonia 5.5 dhe Bosnja e Hercegovina me 1.1 për qind. “Eksportet e Kosovës me vendet e tjera të botës arritën në 8,8 milionë euro, ose 25.5 për qind. Si partnerë më të rëndësishëm nga këto vende për eksport vlen të përmenden India (14.3 për qind) dhe Zvicra (7.8 për qind)”, thuhet në njoftimin e ASK-së.

Ndërkaq importet e Kosovës me vendet e tjera të botës arritën në 93 milionë euro, ose 33.9 për qind. Vendet me pjesëmarrje më të lartë për import në këtë grup ishin Turqia 11.2 për qind dhe Kina 10.3 për qind.

/Epoka e re/

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Ish luftëtari serb Zdravko Lubarda është dënuar me gjashtë vite…