Të enjten, seanca e parë pranverore e Kuvendit

22 janar 2018 | 14:11

Kryesia e Kuvendit të Kosovës, në mbledhjen e sotme ka vendosur që seanca e parë pranverore  të mbahet të enjten.

“Të enjten, më 25 janar 2017, në orën 10:00, Kuvendi do të shqyrtojë pikat e papërfunduara nga seanca plenare e mbajtur më 14 dhjetor 2017. Kështu, fillimisht do të votohet Raporti i Institucionit të Avokatit të Popullit për vitin 2016 dhe do të shqyrtohet Raporti i Fondit të Kursimeve Pensionale të Kosovës për vitin 2016. Po ashtu, do të shqyrtohet edhe kërkesa e Fondit të Kursimeve Pensionale të Kosovës për miratimin e taksave vjetore për vitin 2018. Po në këtë seancë pritet formimi i Komisionit Ad-hoc për përzgjedhjen e kandidatëve për anëtarë të Bordit të Radiotelevizionit të Kosovës, si dhe formimi i Komisionit Ad-hoc për përzgjedhjen e kandidatëve për një anëtar të Bordit për Ankesa”, është thënë në komunikatën për medie të kuvendit.

Pas përfundimit të këtyre pikave, Kuvendi do të fillojë seancën e re plenare. Pas pikave të zakonshme të rendit të ditës, deklarimeve jashtë rendit të ditës dhe pyetjeve parlamentare, do të zhvillohet interpelanca e kryeministrit Ramush Haradinaj, sipas kërkesës së Grupit Parlamentar të Lidhjes Demokratike të Kosovës, për ta informuar Kuvendin në lidhje me gjuajtje me armë nga Dardan Gashi, zëvendëskryeministër dhe ministër i Diasporës dhe Investimeve Strategjike.

Më pas, pritet të shqyrtohet Propozim-rezoluta për miratimin e objektivave për zhvillim të qëndrueshëm – Agjenda 2030 për Kosovën, si dhe Projekt Kodi i Drejtësisë për të Mitur.

Kurse, kërkesa e OVL- UÇK-së, Shoqatës së Invalidëve të Luftës së UÇK-së dhe Shoqatës së Familjeve të Dëshmorëve të UÇK-së për seancë të jashtëzakonshme, është proceduar në Komisionin për të Drejtat e Njeriut, Barazi Gjinore, Persona të Pagjetur dhe Peticione.

 

 

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Deputeti i LDK-së, Lumir Abdixhiku, i ka reaguar shefit të…