Të gjithë për reformë zgjedhore, Vetëvendosje kundër

25 shtator 2018 | 11:22

A është koha e duhur për reformë zgjedhore? Kjo ka qenë tema që është diskutuar sot në një tryezë të organizuar nga organizata D4D, e përkrahur nga Ambasada e Zvicrës në Kosovë, ku kanë marrë pjesë shoqëria civile dhe përfaqësues të partive politike.

Sipas Lëvizjes Vetëvendosje diskutimi për reformë zgjedhore në Kosovë është duke u bërë vetëm sa për t’ia zgjatur mandatin Qeverisë aktuale.

Deputetja Albulena Haxhiu, ka thënë se Vetëvendosja nuk është për reformë zgjedhore në rrethana të tilla, pasi sipas saj duhet të shkohet në zgjedhje të reja.

“Nuk jemi për reformë zgjedhore në rrethana të tilla. Në rrethanat aktuale me Qeveri të pakicës dhe Kuvend jofunksional, është e papranueshme që ky Kuvend kjo Qeveri të bëjë reforme zgjedhore. Mund të mos ketë asnjë efekt, të mbetet siç ka mbetur reforma e vitit 2011. Vënia në diskutim e kësaj reforme bëhet për të ia zgjatur mandatin Qeverisë aktuale, këtu nuk po flas për shoqërinë civile. Më e mira për te gjithë është të shkohet në zgjedhje”, ka thënë Haxhiu, raporton “ksp”.

Ndërsa, nënkryetari i PDK-së, Arsim Bajrami, ka thënë tani është koha më e përshtatshme për ta përfunduar reformën zgjedhore. “Vullneti politik është më i rëndësishmi për reformë zgjedhore. Koha aktuale është koha më e përshtatshme për reformë zgjedhore. Partitë politike ta marrin me seriozitetin më të madh këtë çështje”, ka thënë Bajrami.

Në anën tjetër, shefi i grupit parlamentar të AAK-së, Ahmet Isufi, ka thënë se opozita çdoherë ka të drejtë të kërkojë zgjedhje të reja, por kjo nuk e pengon të shkohet tutje me reformën zgjedhore.

Për reformë zgjedhore është pajtuar edhe Nisma Socialdemokrate.

 

 

 

 

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Sebastian Vettel dhe Kimi Raikkonen, një dyshe fantastike në pistë…