Thaçi: Nuk e heqim taksën e as nuk e bëjmë asociacionin për vizat

29 maj 2019 | 12:18

Presidenti i Kosovës Hashim Thaçi ka deklaruar se për liberalizim të vizave nuk do të lejojnë që brenda Kosovës të ketë Republikë Serbe.

Këto komente Thaçi ka bërë në konferencën “20 vite pas: Perspektivat dhe Sfidat për Ballkanin Perëndimor”, të organizuar nga Qendra Kosovare për Studime të Sigurisë (QKSS) dhe Grupi Ballkanik për Hulumtime të Politikave.

“Jemi duke kaluar në një fazë të një udhëkryqi që duhet të marrim edhe vendime jo të lehta. Kosova është një storie e suksesit, por nuk është e përfunduar. Pse nuk është e përfunduar, ende 5 shtetet e BE-së nuk e kanë njohur Kosovën, aspirata jonë është anëtarësimi. Ende nuk kemi arritur marrëveshje mes Kosovës dhe Serbisë, ende nuk jemi anëtarësuar në OKB ku kemi një veto nga Rusia. Ndërsa, nuk shihet në horizont ndonjë faktor që mund ta bind Rusinë që ta heq veton që Kosova të anëtarësohet. Kemi sfidat tona të brendshme, por që kemi bërë progres qoftë në rend dhe ligj, qoftë me themelimin e ushtrisë së Kosovës. Po ndodh ajo që nuk do të duhej të ndodhte, sot BE-ja ka mbyllur dyert për Kosovën. Ne kemi përmbushur të gjitha kriteret, tash e tri vite është dhënë rekomandimi për viza dhe nuk ka vendim. Jo me fajin tonë ky izolim, por nga paaftësia e shteteve anëtare për të marrë vendim për liberalizim të vizave. Të gjitha kriteret i kemi përmbushur edhe luftën kundër krimit dhe korrupsionit”, është shprehur Thaçi.

Më tutje, ai ka thënë se për 20 vite bashkësia ndërkombëtare e ka pasur drejtësinë në Kosovë dhe sipas tij, tash 20 vite atë që nuk e kanë bërë ata kërkojnë ta bëjnë institucionet e Kosovës.

Sa i përket dialogut, Thaçi ka thënë se më e mira do të ishte që Serbia ta njeh Kosovën, por nuk ka presion ndërkombëtar.

“Për hir të liberalizimit të vizave nuk mund ta japim asociacion. Edhe taksa duhet të mbetet në fuqi. E ardhmja jonë është në BE dhe NATO”, ka thënë Thaçi.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Musa Selimi për “Epokën e re” ka thënë se ai…